“Zhgënjyese mosvotimi i ligjeve të integrimit, konsensusi është i mundshëm”
Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth
Një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë nuk votoi tre ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, vjen edhe reagimi zyrtar i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë. Ambasadori Eugen Wollfarth u shpreh dje se mos votimi i 3 ligjeve të Komisionit Evropian, është zhgënjyese.
Ai deklaroi se konsensusi është ende i mundshëm deri në 19 nëntor, për të konkluduar kështu kuadrin e progresit të reformave. Sipas Wollfarth, marrja e vendimeve në kohën e duhur është në të mirë të qytetarëve si dhe përshpejton proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian
A u zhgënjyet dje nga mosmiratimi i tri ligjeve të nevojshme për integrimin evropian?
Deri në njëfarë mase është, sigurisht, zhgënjyese. Me sa kuptoj, mbeten edhe disa orë për të arritur në një përfundim në kuadrin e progresit të reformave. Sigurisht është shumë e rëndësishme të shohim përpara, po aq sa e rëndësishme është të shohim çfarë kemi sot në tavolinë. Bëhet fjalë për të tashmen dhe për të ardhmen e qytetarëve, bëhet fjalë për çështje të rëndësishme për jetën e përditshme. Ne sot po prezantojmë një plan strategjik për zhvillimin e luginës së Vjosës. Kjo do të thotë plan administrativ i shëndoshë, ekonomi e shëndoshë, ku përfshihen edhe furnizimi me ujë dhe energji elektrike. Kështu që unë, edhe një herë, do të bëja ftesë për marrjen e vendimeve në kohën e duhur, në të mirë të qytetarëve dhe procesi i reformës legjislative është qartësisht pjesë e saj.
Sa të vështirë e shihni konsensusin?
Me sa duket, është shumë, shumë i vështirë, por jo i pamundur. Konsensusi është i arritshëm dhe duhet të arrihet.
A mund të kushtëzohet çështja e integrimit evropian, çështja e statusit, me një, le të themi, zhvillim lokal, siç është zgjidhja e një çështjeje për qarkun Fier, nëse një parti apo një parti tjetër duhet të ketë shumicën apo pakicën në këtë qark?
Kjo është një pyetje për politikanët shqiptarë, kështu që do t’ju ftoja t’ua bënit atyre.