Eskalon dhuna

Qeveria izraelite ka miratuar të mërkurën mbrëma vendimin për rekrutim të rezervistëve, me qëllim të zgjerimit të operacionit ushtarak në Rripin e Gazës, menjëherë pas vrasjes së komandantit të krahut ushtarak të Hamasit, Ahmed al-Jabari, gjatë sulmi ajror të Izraelit.
Ndryshe, gjatë një serie të sulmeve ajrore izraelite, që u realizuan gjatë së mërkure mbrëma, është raportuar për vrasjen e të paktën nëntë palestinezëve, në mesin e të cilëve ishte edhe shefi i krahut ushtarak të Hamasit, al-Jabari. Si përgjigje, brenda territorit të Izraelit kanë rënë 85 predha raketore që u lancuan nga Rripi i Gazës. Mediat ndërkombëtare kanë raportuar për të paktën tre viktima izraelite si pasojë e këtyre sulmeve palestineze.
Presidenti palestinez, Mahmoud Abas, organizata e të cilit (Fatah) mbanë kontrollin në Bregun Perëndimor, e ka dënuar ashpër operacionin e fundit ushtarak të Izraelit. Edhe më i ashpër në reagim ka qenë kreu ushtarak i grupi Hamas.
"Duart tona të bekuara do të vijnë deri te liderët dhe ushtarët tuaj, kudo që të jenë ata. Ju sapo i hapët dyert e ferrit për veten tuaj", thuhet në një kumtesë postuar në rrjetin Twitter.
Në ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OKB, Ban Ki-moon, u ka bërë thirrje palëve për ndërprerje urgjente të dhunës. E, nga ana tjetër, SHBA nënvizuan se Izraeli ka të drejtë që të mbrohet, përderisa nga Washingtoni zyrtar u dënuan sulmet raketore palestineze ndaj jugut të Izraelit.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, përmes një kumtese për media, theksoi se "Izraeli inkurajohet që të vazhdojë me përpjekjet për shmangien e viktimave civile".
Zyra e Jashtme (Foreign Office) e Britanisë së Madhe, kumtoi të enjten se ky vend "do të vazhdojë t'iu bëjë thirrje palëve që të japin mbështetje paqes dhe që të pengojnë eskalimin e rrezikshëm, i cili nuk do të jetë në interes të askujt".
Shefat e diplomacive të shteteve anëtare të Ligës Arabe bënë thirrje të enjten për mbajtjen e një takimi urgjent të premten, në të cilin do të diskutohej eskalimi i papritur i dhunës mes palestinezëve dhe Izraelit.
Egjipti ndërkaq ka dënuar sulmet izraelite, dhe ka ftuar ambasadorin për konsultime në Kajro. Gjithashtu, Egjipti ka kërkuar mbajtjen e një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB’së dhe të Ligës Arabe.