Essien i kthehet Ganës

Mesfushori ganez, Michael Essien ka njoftuar për rikthimin e tij në ekipin kombëtar pas një vit mungese. Futbollisti i Chelseas u tërhoq përkohësisht nga skuadra e Ganës pas pësimit të dy lëndimeve serioze. Por, pas rikthimit në formë të mirë fizike me Chelsean, Essien është deklaruar në dispozicion për ndeshjen e ardhshme të Ganës.
“Jam plotësisht i gatshëm të kthehem për Ganën në ndeshjen e ardhshme kualifikuese për Kupën e Afrikës kundër Kongos në qershor”, tha Essien për BBC Sport.
“Pas dy lëndimeve serioze që kam pësuar në paraqitje për Kombëtaren time, kam kërkuar leje nga Federata ganeze të më lirojë nga detyrat në mënyrë që të rikuperohem plotësisht. Ata e kuptuan situatën time dhe më dhanë leje për shkak të lëndimeve që kisha. Vërtet dua t’i ndihmoj shtetit tim të kualifikohet për garën e vitit të ardhshëm në Kupën e Afrikës dhe jam i gatshëm t’u bashkohem kolegëve të mi për t’i ndihmuar skuadrës të kualifikohet”, shtoi ai.
Mungesa e Essienit nga ekipi kombëtar kishte zgjuar spekulime se ai është duke konsideruar mundësinë e pensionimit ndërkombëtar, por ai e mohoi një gjë të tillë. “Kam ende shumë për të dhënë për shtetin tim dhe asnjëherë nuk kam menduar të pensionohem nga ekipi kombëtar”, përfundoi ai. Essien nuk ka luajtur për Ganën nga 45 minutat në Kupën e Afrikës 2010.