Kërkon trofeun e tretë

Emir Bajrami e ka arritur suksesin e dytë në fanellën e Twentes. Pasi e fitoi Superkupën e Holandës gjatë verës së vitit që shkoi, mesfushori kosovar të dielën mbrëma e fitoi edhe Kupën e këtij vendi.
Twente bëri rikthim sensacional, pasi e përmbysi avantazhin prej 2:0 të Ajaxit, për të fituar në fund 3:2 pas lojës shtesë. Përfaqësuesi suedez e ka analizuar këtë ndeshje, ku ai u inkuadrua në pjesën e dytë, kur edhe u bë kthesa e madhe.
“E filluam dobët ndeshjen, duke pësuar dy gola. Por, më pas gjërat ndryshuan për të mirë. Loja ishte e ekuilibruar, ishte ndjenjë e veçantë të futesha në lojë në momentin kritik. Në fund arritëm ta fitojmë këtë trofe”, tha Bajrami për ueb faqen suedeze fotbollskanalen.se.
Apetitet e ish futbollistit të Elfsborgut për të fituar trofe janë shtuar. Ai synon që me Twenten ta fitojë edhe titullin e kampionit. Ky ekip gjendet në pozitën e parë të kampionatit holandez, vetëm një pikë përpara Ajaxit, me të cilin do të takohet në fundjavë, kur do të vendoset kampioni i ri.
“Jemi të fortë, jemi në pozitën e parë, në ‘pole-position’. E kemi mundësinë që ta fitojmë ‘treshen’, pasi më parë e patëm fituar Superkupën e Holandës. Kemi ekip më të mirë se Ajaxi, kemi lojtarë më të mirë në të gjitha pozitat”, shtoi ai.
Bajrami e kaloi një pjesë të karrierës në Suedi. Sipas tij, dallimi ndërmjet futbollit holandez dhe atij suedez është i madh në të gjitha aspektet.
“Ta fitosh Kupën e Holandës është një gjë e madhe. Absolutisht nuk mund të bësh krahasime me Suedinë. Ishte një atmosferë e shkëlqyeshme në stadium, me të vërtetë e mahnitshme. Kishim 25 mijë tifozë me ne. Ata i ‘shtypën’ tifozët e Ajaxit”, përfundoi Bajrami.
Twente pati një sezon të suksesshëm në përgjithësi, por ai do të kompletohej në rast se ky ekip nxjerr së paku një barazim këtë fundjavë në shtëpi të Ajaxit, që do të nënkuptonte se Emir Bajrami me shokë do ta festonin edhe titullin e kampionit.