Befasohet nga suksesi

Mesfushori i Manchester Unitedit, Ryan Giggs ka pranuar se kurrë nuk kishte pritur që klubi të jetë në prag të tejkalojë rekordin e Liverpoolit prej 18-të titujve në ligë, kur ai e fitoi të parin, të tetin për Djajtë e Kuq, më 1993.
Vetëm një pikë i nevojitet Manchester Unitedit nga dy ndeshjet e fundit kundër Blackburn Rovers dhe Blackpool, pas fitores 2-1 ndaj Chelseas në Old Trafford të dielën, për të siguruar titullin e 19-të në histori të klubit.
Giggs ka qenë pjesë e të gjitha skuadrave që përfunduan në krye nën drejtimin e Sir Alex Fergusonit, pas debutimit si 17 vjeç më 1990. Uellsiani, i cili shfaqi një tjetër paraqitje prej lideri në Old Trafford, theksoi se titulli “nuk është caktuar matematikisht”, por është jashtëzakonisht i lumtur me mundësinë e tejkalimit të Liverpoolit.
“Pesëmbëdhjetë ose 20 vite më parë kurrë nuk e kemi imagjinuar. Është arritje e madhe nga ky klub dhe menaxheri të tejkalojmë rivalin tonë më të madh nga vitet e 70-ta, 80-ta e 90-ta”, tha Giggs për mediet angleze të hënën.
Edhe pse titulli ende nuk është fituar, Giggs pranoi se fitorja ndaj Chelseas ishte “një hap i madh para”.
“Tani duhet vetëm të përfundojmë punën, shpresojmë fundjavën e ardhshme. Na duhet të marrim një pikë nga dy ndeshjet e ardhshme. Është mundësi e mirë për ne dhe do të mundohemi ta realizojmë sa më parë që është e mundur. Blackburn është vend i vështirë për të shkuar, por jam i sigurt se shumë tifozë do të vijnë për të na përkrahur në udhëtim. Do të jetë një atmosferë e mirë, gjithmonë është e tillë. Dhe, si zakonisht, ne nuk do të shkojmë për barazim, do të mundohemi të fitojmë”, shtoi ai.
Titulli ende nuk është fituar, por festa në fund, përfshirë përkuljen e Fergusonit para Stretford End, nuk la askënd në dyshim. “Duke njohur futbollistët, ata nuk do të gabojnë. Ata do ta marrin edhe atë pikë. Nuk kam dyshim rreth kësaj”, tha Ferguson.
“Prej kur fituam të parin më 1993, dera u hap për ne. Të jemi të përfshirë çdo vit prej atëherë është arritje e jashtëzakonshme”, shtoi ai.
Blackburn ishte fusha ku e gjithë shpresa ishte shuar sezonin e kaluar, andaj Djajtë e Kuq kanë rastin për hakmarrje. Ata po ashtu mund të kenë kujtimet nga Rovers, që ishte kundërshtar i tyre në mbrëmjen e vitit 1993, ku ata përfunduan pritjen 26 vjeçare për titullin e tetë.
“Do të tregojmë respekt për Blackburnin dhe Blackpoolin, sepse ato janë skuadra lokale për ne. Ato janë klube të mira të futbollit dhe duhet të përkujdesemi të mos i nënçmojmë”, përfundoi Ferguson.