Mehmeti pëson tronditje në kokë

Agon Mehmeti ka pësuar një tronditje në kokë të dielën, në ndeshjen ndërmjet Malmos dhe Syrianskas, e cila përfundoi pa gola, 0:0. Sulmuesi kosovar pati një përplasje me një kundërshtar në minutën e 40-të, por vazhdoi të luante edhe në pjesën e dytë, derisa e kërkoi zëvendësimin në minutën e 59-të.
“Lojtari kundërshtar Ijeh ngriti këmbën dhe më goditi në fytyrë. Adrenalina ime ishte ajo që vendosi që të vazhdoj të luaj në pjesën e dytë. Më pas pushova pak pas pjesës së parë, por kur filloi pjesa e dytë ndihesha turbullt pas asaj tronditjeje dhe kërkova zëvendësimin”, tha 21 vjeçari.
Fundjavën që vjen, Malmo do të takohet me Orebron e Valdet Ramës e Kushtrim Lushtakut. Mirëpo, prania e përfaqësuesit U21 të Suedisë në këtë takim është vënë në dyshim.
“Pas kësaj tronditjeje do të pushoj dhe do ta shohim nesër gjendjen time për të vendosur se a do të jem ndaj Orebros apo jo”, përfundoi Mehmeti i cili ishte i përkushtuar ta ndihmonte ekipin aq sa mundi, pavarësisht tronditjes që pësoi në pjesën e parë.