Estonia turpëron vajzat kuqezi
Shqipëria në basketboll për femra e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme aventurën e saj në Grupin B eliminator të Europianit, në Divizionin B. Skuadra e drejtuar nga trajneri Viron Toska është turpëruar me rezultatin e thellë 127:33 nga Estonia, në sfidën e parë të zhvilluar në Talin. Kjo ndeshje ka qenë një makth i vërtetë për vajzat kuqezi, të cilat e kanë nisur përballjen duke menduar më së shumti për mbrojtjen. Një taktikë e cila jo vetëm ishte e gabuar, por që shkaktoi shkatërrimin e Shqipërisë. Prej minutave të para të lojës, rezultati ishte 21:0 për skuadrën estoneze, ndërsa femrave kuqezi iu deshën afro 6 minuta lojë për të realizuar pikët e para. Situata që u duk se po përmirësohej, u përkeqësua sërish përpara pjesës së dytë të takimit, kur rezultati ishte 65:13. Të dymbëdhjeta basketbollistet e Estonisë arritën të shënonin pikë, ndërsa në total ato regjistruan plot 33 asiste. Përgjatë gjithë takimit, vajzat e Kombëtares shqiptare kanë ndjekur “hijet” e kundërshtareve në fazën mbrojtëse, ose janë thyer shpejt në manovrat sulmuese: gjatë sfidës ato e dorëzuan topin 29 herë. Rezarta Hoxhaj ishte me e mira nga vajzat kuqezi, me 7 pikë të realizuara dhe 7 topa të fituar nën tabelë.
#