E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikuperohet Cana, në stërvitje me skuadrën

Gallatasarai

Gallatasarai vazhdon përgatitjet për ndeshjen e kthimit përballë OFK Beograd në turin e tretë të Europa League, ndërkohë skuadra turke ka marrë një lajm të mirë: dëmtimi i mesfushorit Lorik Cana nuk është shqetësues. Zv.kapiteni i Kombëtares shqiptare u detyrua të braktiste stërvitjen e ditës së premte, pas një përplasjeje me një shok të skuadrës. Edhe pse fillimisht u mendua më e keqja, rezultoi që gjendja e 27-vjeçarit nuk ishte problematike. Mediat turke kanë bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme ai është stërvitur së bashku me pjesën tjetër të skuadrës së drejtuar nga tekniku holandez, Frenk Rajkard. Në këtë mënyrë, “shkatërruesi” kuqezi do të jetë i gatshëm për Gallatasarain, që të enjten do të kërkojë të vazhdojë aventurën europiane, pas barazimit të pabesueshëm 2-2 në ndeshjen e parë me serbët. Cana u aktivizua vetëm gjatë 8 minutave të fundit në sfidën e luajtur pak ditë më parë në Turqi, ndërsa kur mendohej se gjithçka kishte përfunduar, pasi ekipi i Rajkard kryesonte 2-0, miqtë arritën të realizonin 2 gola të shpejtë. Ky rikuperim bën që Cana të jetë i gatshëm për miqësoren e 11 gushtit, kundër Uzbekistanit. Menjëherë pas dëmtimit të mesfushorit u mendua se Cana nuk do të ishte në dispozicion të trajnerit Kuzhe.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›