E Shtunë, 31 Tetor 2026

Estrada sfidohet në Superligë

Përveç përforcimeve dhe garës së nxehtë që pritet të bëhet për titull dhe mbijetesë, Superligën interesante pritet ta bëjnë edhe disa emra të njohur të estradës. Afrim Muçiqi, Sinan Vllasaliu e Afrim Macula nga sezoni i ri, përveç në muzikë, do ta kenë edhe një konkurrent në fushën e gjelbër. Ai është Mehedin Pergjegjaj – Meda, i cili është kryetar i klubit Hajvalia.

Inkuadrimi i furishëm i Ferronikelit, Llamkos Kosovës e Hajvalisë në Superligë, e po ashtu përforcimet e mëdha që i kanë bërë shumica e skuadrave elitare, pritet ta ndezin kampionatin e ri, që nis në mesjavë.

Mirëpo, këtë edicion interesant pritet ta bëjnë disa emra të njohur të estradës, të cilët tashmë janë bërë udhëheqës të disa klubeve të Superligës. Afrim Muçiqi, Sinan Vllasaliu (Prishtinë) dhe Afrim Macula (Hysi) nga sezoni i ri, përveç në muzikë, do ta kenë edhe një konkurrent në fushën e gjelbër.

Ai është Mehedin Pergjegjaj, i njohur si Meda, i cili një kohë edhe vetë ishte futbollist. Ai është kryetar i klubit Hajvalia dhe njëri prej më meritorëve që kjo skuadër nga Liga e Parë është ngjitur në Superligë. “I kam miq të mirë të gjithë. Kemi raporte të mira mes veti, por në sport kjo ka pak rëndësi, sepse aty ekipet luajnë për fitore, andaj fitoret do të jenë synime edhe për skuadrën time Hajvalinë, pavarësisht kë do ta kemi përballë. Gëzohem që tani do të luajmë në Superligë, sepse ky ka qenë synim imi qysh moti”, ka thënë Meda.

Në anën tjetër, Afrim Muçiqi, i cili është nënkryetar i FC Prishtinës, tregohet shumë i sinqertë. Edhe pse janë miq shumë të mirë në mes veti, kur vjen puna te futbolli, detyrohet që mos ta njohë asnjë njeri, e lëre më njëri-tjetrin.

“Në muzikë kemi raporte shumë të mira mes veti. Por, në futboll, kur është në pyetje klub im i zemrës Prishtina, nuk e njoh babanë, e lëre më dikë tjetër”, thotë për Express Muçiqi, i cili tash e një kohë të gjatë është pjesë e klubit bardh e kaltër.

Përndryshe, Muçiqi thotë se gëzohet kur dëgjon se ndonjë anëtar i estradës i është bashkuar ndonjë klubi futbolli.

“Kultura e sporti janë si vëlla e motër. Unë fillimisht kam luajtur futboll, kurse sot jam në muzikë, por zemra gjithmonë më rrah për futboll. Ndihem i lumtur që jam pjesë e Prishtinës. Më vjen mirë që edhe këngëtarë të tjerë po kyçen në futboll, kurse edhe të tjerët i apeloj të bëhen pjesë të futbollit kosovar”, theksoi Muçiqi.

Për kuriozitet, Muçiqi një pjesë të madhe të kohës e kalon duke kënduar nëpër ahengje të ndryshme, nën tingujt e instrumentit të Afrim Maculës, të cilin e ka konkurrent të fortë në futboll, si zyrtar i lartë i Hysit që është.

“Si këngëtarë kemi raporte shumë të mira mes veti, posaçërisht unë me Afrim Muçiqin. Gjithë natën këndojmë bashkë, kurse një ditë më vonë mund të jemi kundërshtarë në futboll. Secili prej nesh i ruajmë marrëdhëniet në muzikë, pavarësisht rivalitetit nga futbolli. Madje, edhe në futboll jemi miq të mirë. Në muzikë punojmë me muzikë, kurse në futboll punojmë për futboll. Është diçka interesante”, theksoi Macula, i cili është kryeshef ekzekutiv i skuadrës së Hysit.

Se cilit prej tyre do t’i shkojë zëri më mirë në sezonin e ri në Superligë, mbetet të shihet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›