E Diel, 1 Nëntor 2026

Transferime me bollëk

Afati kalimtar i verës ka qenë me bereqet për klubet e Superligës. Edhe pse në krizë financiare, rreth 70 transferime kanë kryer 12 skuadrat e Superligës. Klubet më të përforcuara janë Hajvalia e Drita, derisa ekipet që kanë sjellë më së paku përforcime në radhët e tyre, janë Besa e Liria.

Pak ditë para fillimit të sezonit të ri në Superligë, është mbyllur edhe afati kalimtar për transferimin e futbollistëve nga klubi në klub. Ky afat kalimtar ka qenë me bereqet për klubet e elitës së futbollit kosovar.

Edhe pse në krizë të thellë financiare, rreth 70 transferime janë kryer gjatë kësaj vere nga

12 klubet e Superligës.

Më së shumti hajrin këtij afati kalimtar ia ka parë skuadra e promovuar sivjet në Superligë, Hajvalia. Klubi i këngëtarit të njohur kosovar, Mehdi Pergjegjaj – Meda ka transferuar në radhët e veta plotë dhjetë futbollistë.

Pas Hajvalisë, ekipi më i përforcuar është skuadra e Dritës. Ekipi i trajnerit Arbnor Morina, në radhët e veta ka sjellë nëntë futbollistë.

Pas Dritës, vijnë Trepça dhe Feronikeli me nga shtatë përforcime, derisa kampioni aktual Prishtina dhe ekipi i rikthyer në Superligë, Lamkos Kosova kanë kryer nga gjashtë përforcime.

Për dallim nga vitet e kaluara, skuadra e Hysit këtë verë ka fjetur. Bardhezinjtë kanë transferuar pesë lojtarë ‘të panjohur’, derisa janë braktisur nga disa lojtarë cilësorë. Me pesë futbollistë është përforcuar edhe Drenica.

Edhe nënkampioni dhe fituesi i Kupës, Trepça ’89 nuk ka qenë shumë aktive pasi ka marrë vetëm katër lojtarë, sikurse skuadra e Vëllaznimit.

Lira ka marrë vetëm tri përforcime, derisa ekipi që ka transferuar më së paku futbollistë është skuadra e Besës. Kjo e fundit, në radhët e veta ka sjellë vetëm Egzon Gashin, derisa është braktisur nga lojtarët kryesorë të saj.

Transfere nga jashtë

Klubet e Superligës kanë arritur që të përforcohen me disa lojtarë kosovarë që viteve të fundit kanë luajtur jashtë Kosovës. Kështu, Trepça ’89 ka transferuar Ejup Llumnicën, i cili sezonin e fundit ka luajtur te skuadra zvicerane, Winterthur.

Kampioni i Kosovës, Prishtina ka transferuar Leondrit Marajn, i cili ishte pjesë e klubit gjerman Nurnberg. Kurse Vëllaznimi është përforcuar me portierin Feim Statofci, i cili i ka mbrojtur ngjyrat e një klubit austriak.

Drenica ka transferuar Denis Bejlerin nga skuadra shqiptare Skrapari, derisa Kosova e Vushtrrisë ka angazhuar ish-mbrojtësin e Kalmarit, Alban Dragusha, i cili sezonin e fundit ka mbrojtur ngjyrat e Besës së Kavajës. Kurse Hajvalia ka transferuar Visar Zogianin, i cili së fundit ka luajtur te klubi francez, FC Sable.

BOX: Transferimet

Prishtina:

Argjend Malaj (KEK-u),

Florim Bërbatovci (Hysi)

Leondrit Maraj (Nurnberg)

Kushtrim Mushica (Vëllaznimi)

Liridon Kukaj (Trepça ’89)

Labinot Ibrahimi (Ulpiana)

Drita:

Emir Rama (Flamurtari)

Ismet Caka (Kosova V)

Ismet Ramushi (Gjilani)

Genc Sermaxhaj (Gjilani)

Besmir Gjika (Lepenci)

Xhevdet Shabani (Lepenci)

Ardian Latifi (Gjilani)

Bujar Shabani (Ferizaj)

Besart Morina (Gjilani)

Drenica:

Liridon Zeqiri (Ferronikeli)

Berat Hyseni (Trepça ’89)

Fitim Llapashtica (Prishtina)

Denis Bejleri (Skrapari)

Muhamet Dragusha (Hajvalia)

Trepça:

Erdin Hashani (Drita)

Florent Sejdiu (Drita)

Isuf Sejdiu (pa ekip)

Arben Beqiri (Trepça ’89)

Emin Baliqi (Trepça ’89)

Yll Ramadani (Flamurtari)

Visar Sermaxhaj (Drita)

Ferronikeli:

Fatih Karahoda (Vëllaznimi)

Rexhep Sogojeva (Hysi)

Fidan Gërbeshi (Drita)

Sylvester Ambe (Trepça ’89)

Rafet Mullallari (Vëllaznimi)

Faton Maloku (Gjilani)

Visar Haklaj (Besa)

Llamkos Kosova:

Alban Dragusha (Besa Kavajë)

Arbër Prekazi (Trepça)

Alban Mavriqi (Hajvalia)

Mehë Uka (Prishtina)

Labinot Jetullahu (Drita)

Yll Prekopuca (Hajvalia)

Trepça ’89:

Lorik Maxhuni (Drenica)

Edmond Turku (Trepça)

Samir Sahiti (Drenica)

Isuf Llumnica (Winterthur)

Hajvalia:

Bajram Zuqaku (Prishtina)

Faruk Statovci (Drenica)

Bashkim Ahmeti (Prishtinë)

Ilir Avdyli (KEK-u)

Armend Kastrati (Drita)

Nikollë Dushi (Fushë-Kosova)

Visar Zogianit (FC Sable, Francë)

Samir Zeneli (Drenica)

Festim Krasniqi (Trepça 89)

Venhar Sermaxhaj (Drita)

Hysi:

Taulant Zeneli (Llapi)

Leutrim Blaku (Llapi)

Arlind Zylfallari (Rahoveci)

Jeton Mehmeti (Ferronikeli)

Fidan Ademaj (Hajvalia)

Liria:

Fitim Krusha (pa ekip)

Agron Skeraj (Vëllaznimi)

Ardian Thaçi (Vëllaznimi)

Besa:

Egzon Gashi (Drenica)

Vëllaznimi:

Dardan Rugova (Teuta)

Valon Kasapi (Futsall)

Feim Statovci (Austri)

Alban Guci (Liria)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›