Thaçi drekon në një familje serbe, inkurajon kthimin e tyre
Kryeministri Hashim Thaçi i ftoi të gjithë qytetarët pa dallim etnie që të kthehen në pronat e tyre duke theksuar se shteti i Kosovës është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj me mundësi të barabarta afirmative për të gjitha komunitetet. Kryeministri Thaçi shprehu përkushtimin e Qeverisë që ai drejton për kthimin e të zhvendosurve dhe për krijimin e kushteve për jetë normale duke u siguruar atyre se Kosova është atdhe i të gjithëve .
Me rastin e kthimit të familjes 11 anëtarësh Spasiq, në fshatin Palaj të komunës së Obiliqit, kryeministri Thaçi theksoi se ky rast është shembulli më i mirë i jetës së përbashkët në Kosovën e re, demokratike e të progresit. Kryeministri Thaçi, pasi ka ngrënë drekë me familjarët serbë, ka premtuar se Qeveria që ai drejton, do të mundësojë kthimin për secilin serb që dëshiron të jetojë në Kosovë. Falënderoj familjen Spasiq për mikpritjen, për këtë drekë, drekën e përbashkët në Kosovën demokratike, në Kosovën atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, në Kosovën vend i mundësive të barabarta për të gjithë, i mundësive afirmative për të gjithë qytetarët e komuniteteve, theksoi Thaçi. Sipas tij, Familja Spasiq, është shembulli më i mirë i mundshëm i jetës në Kosovën e këtij viti, në Kosovën e suksesit, progresit, multietnike, të tolerancës, zhvillimit. Është familje e kthyer për të jetuar në Kosovën e re, me shtëpi të re që sapo e filluam, e që besoj se shumë shpejt do të përfundojë, me investime të qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilat investime nuk do të ndalen, përkundrazi do të rriten. Kosova është vend i të gjithëve, vend i paqes, stabilitetit, tolerancës, i bashkëjetesës, vend unik, i perspektivës për integrim në NATO dhe në Bashkim Evropian, theksoi Thaçi. Ndërkaq kreu i ekzekutivit premtoi mbështetje institucionale për të kthyerit dhe kërkoi që ky proces sa i vështirë aq edhe delikat të mos politizohet. Darko Spasiç, njëri nga anëtarët e familjes së kthyer, falënderoi qeverinë për gjithë atë që po bën për kthimin e të zhvendosurve. Në Kosovë është më mirë se në Serbi, ka deklaruar ai. Kjo familje për vite me radhë, së bashku me anëtarët tjerë të familjes, ka qenë e zhvendosur në Vërnjaçka Banjë të Serbisë.