E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHP: Një në dy shqiptarë vdes prej sëmundjeve të zemrës

03/06/2009  Raporti shqetësues: “Sëmundjet kronike po vrasin shqiptarët”

Sëmundjet kronike janë kthyer në makthin e stafeve mjekësore, pasi çdo vit e më tepër shtohet shkalla e vdekshmërisë që vjen prej tyre. Ky fakt pranohet zyrtarisht nga ekspertët e shëndetit publik, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë deklaruar rrezikun e madh që i kanoset popullatës shqiptare. Fatkeqësisht, pohohet se një e dyta e shqiptarëve humbasin jetën si pasojë e problemeve dhe shqetësimeve që vijnë nga sëmundjet kronike. Vendin e parë në shkallën e lartë të vdekshmërisë rezulton ta mbajnë sëmundjet kardiovaskulare, të cilat shënojnë numrin më të lartë të viktimave, por nuk mbeten pas edhe sëmundjet e tjera të rënda, si: llojet e ndryshme të kancerit, traumat, sëmundjet respiratore obstruktive të mushkërive etj. Shqetësuese janë sëmundjet infektive, por ndryshe nga sa ndodh në shtete e tjera, kanë ardhur në rënie. Vazhdimisht është pohuar se sëmundjet kronike, e veçanërisht ato të zemrës, mbeten edhe më të rëndat, por dje gjatë mbledhjes së konferencës mbarëkombëtare të shëndetit publik është ngritur alarmi se po shtohen gjithnjë e më shumë rastet me sëmundje kronike, duke e kthyer në atë që drejtoria e shëndetit publik e quan “vrasësi i shqiptareve”. Shkak për këtë, sipas tyre, bëhet evidentimi dhe trajtimi i këtyre sëmundjeve në faza shumë të rënduara, kur është tepër e vështirë që të realizohet ndërhyrja e duhur trajtuese. Mjekët shtojnë se jo vetëm moshat e rritura mbeten problematike në këtë drejtim, por fatkeqësisht kohët e fundit është vënë re përhapje masive edhe te më të rinjtë. Ekspertët e shëndetit publik kanë pohuar se faktorë rriskues që çojnë në rëndimin e kësaj problematike renditen të jenë pirja e duhanit dhe alkoolit, por edhe obeziteti, stresi dhe dhuna. Ndonëse konstatojmë ulje të përhapjes së sëmundjeve infektive, vërehet shtim i problemeve që lidhen me jetëgjatësinë e rritur, me rëndësinë në rritje të sëmundjeve kronike dhe me dëmtimin e mjedisit si pasojë e zhvillimit intensive. Të parat kanë të bëjnë me kushtet e shëndetshme apo jo të vendbanimeve, sigurinë e ushqimit apo të ujit, si dhe me shkaqet infektive, toksike dhe traumatike të vdekjeve, të cilat mbizotërojnë në një popullsi me moshë të re dhe që shpesh janë të lidhura me standarde të ulëta jetese”, - ka deklaruar ministrja e Shëndetësisë Anila Godo. Instituti i Shëndetit Publik ka kërkuar që përballë këtij problemi të punohet në mënyrë të koordinuar nga institucionet për të shmangur rritjen e mëtejshme të këtij alarmi, i cili po kërcënon seriozisht dhe me faza tepër të shpejtuara popullatën shqiptare. "Nëse Shqipëria ka faktorë risku, sëmundshmëri dhe vdekshmëri të ngjashme me vende të tjera të Evropës Lindore, problemet ende janë të pazgjidhura për sa kohë që ne nuk punojmë së bashku", - ka deklaruar kreu i këtij institucioni Alban Ylli.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›