E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi e Xhaçka prezantojnë programim e PS në Korçë

Kandidati për deputet në Qarkun e Korçës, Ben Blushi, shoqëruar nga kandidatja Olta Xhaçka, kanë vizituar lagjet 14, 15, 16 të qytetit. Gjatë takimeve me banorët, kandidatët socialistë kanë prezantuar programin e Partisë Socialiste. Blushi është shprehur se programi i PS është programi më i mirë që u ofrohet shqiptarëve, përgatitur nga grupe ekspertësh dhe i mbështetur nga një ekip profesionistësh. Më 28 qershor ka vetëm një rrugë: Shkojmë për të votuar për kandidatët e PS në të gjithë Korçën, shkojmë për të votuar për veten. Në qoftë se ka një ndryshim të madh përveç faktit që qeveria e Berishës është e kriminalizuar, e majta dhe e djathta kanë një ndryshim në gen, në AND, sepse e majta ndihmon të varfrit, ndihmon ata që nuk kanë punë, ndihmon ata që shkojnë në emigracion, sepse në Shqipëri nuk ka punë. E djathta dhe sidomos kjo e djathtë e deformuar që kemi ne sot në Shqipëri, ndihmon vetëm dhjetë apo njëzetë miqtë e Saliut, ka dhe nja dy këtu në Korçë bashkë me Ridvan Boden, që vijnë këtu për tju vjedhur taksat, theksoi Blushi. Ndërsa kandidatja Xhaçka ka folur për politikën e re të ndryshimit, me fitimin në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Partia Socialiste do ti kushtojë një rëndësi të veçantë zgjidhjes së problemeve me të cilat hasen sot qytetarët, duke i vënë ata dhe shqetësimet e tyre në qendër të politikëbërjes. Është e tmerrshme, është vërtet e trishtueshme që pas 18 vjetësh tranzicion, në vitin 2009 të vazhdojmë të ndeshemi me fenomene të tilla, të vazhdojmë të ndeshemi me një qeverisje të korruptuar si kjo e kryeministrit Berisha, ku pushtetarët mbushin xhepat dhe shqiptarët varfërohen nga dita në ditë, nënvizoi ajo duke u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve, se alternative është Partia Socialiste me programin e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›