Ethet e zgjedhjeve lokale, “në lojë” edhe shtëpia e Kadaresë
Ethet e zgjedhjeve lokale të 8 Majit nuk kanë kursyer as shtëpinë e shkrimtarit Ismail Kadare. Pas gati 1 vit përplasje mes Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër dhe bashkisë së qytetit në lidhje me restaurimin e Memorialit të Rilindësve, debati i ashpër mes dy institucioneve tashmë po përdoret politikisht, ose të paktën kështu pretendojnë palët në debat. Bëhet fjalë për përplasjen e radhës që ka në qendër zhbllokimin e punimeve restauruese në banesë, të cilat vazhdojnë të jenë të pezulluara për shkaqe pronësie. E pikërisht dje kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, ka deklaruar se bashkia do të japë kontributin e saj duke shpronësuar fqinjin e Kadaresë, që pretendon pronësinë mbi një pjesë të zonës e cila është përfshirë në projektin restaurues të banesës. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare nga ana e saj kërkon nga bashkia e qytetit mospolitizimin e çështjes për fushatë elektorale dhe mosshkeljen e ligjit për shpronësimet.
Pasi ka vizituar shtëpinë në restaurim e sipër të shkrimtarit Ismail Kadare, në lagjen ‘Palorto’, kryetari i baskisë, Flamur Bime, është shprehur për gazetarët se ne si bashki, me njohjen e problematikës së bllokimit të punimeve restauruese, kemi vendosur shpronësimin në vlerë të plotë të fqinjit të Kadaresë, i cili mban të bllokuara punimet. “Shpronësimi nga ana jonë ka si qëllim rinisjen e restaurimit të banesës së Kadaresë, që për ne është shtëpia e shqiptarëve kudo ku ndodhen”, është shprehur kryebashkiaku Bime. Madje, ai ka publikuar edhe dy projekte që do të realizohen nga bashkia, të cilat kanë në qendër restaurimin e rrugicave me kalldrëm që lidhin banesën e Kadaresë me pjesë të tjera të qytetit. Sipas Bimes, kjo nismë ka për qëllim kthimin e shtëpisë në një qendër të zhvillimit të turizmit kulturor në Gjirokastër.
Pas këtyre iniciativave të Bashkisë së Gjirokastrës, ka qenë i menjëhershëm reagimi i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare. Nga ana e tij drejtori i këtij institucioni, Spartak Drasa, i ka cilësuar deklaratat e kryebashkiakut Flamur Bime si elektorale, në prag të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Sipas tij, problemi i banesës së Kadaresë nuk ka pse të politizohet dhe sidomos tani në prag fushate, pasi ky problem ka qenë evident për një vit rresht dhe nuk ka patur asnjë reagim apo prononcim për këtë çështje nga ana e bashkisë së qytetit. “Edhe vetë shkrimtari Ismail Kadare s’e ka dashur dhe nuk do ta dëshironte kurrë një politizim të kësaj çështjeje. Gjithashtu, për shpronësimin që aludon bashkia se do të bëjë, unë i rikujtoj kryetarit të bashkisë së Gjirokastrës se ligji i shpronësimeve e përcakton mjaft qartë se kush e bën shpronësimin. Pra, bëhet një propozim në instancat përkatëse, ose në ministrinë përkatëse, që në rastin konkret është Ministria e Turizmit, dhe kjo ministri këtë propozim ia kalon Këshillit të Ministrave, pra del një vendim i qeverisë për shpronësimin”, ka pohuar Drasa. “Në rastin konkret, ka vijuar ai, ne tashmë e kemi një përvojë të tillë, pra është bërë një shpronësim për të arritur në restaurimin e banesës së Kadaresë dhe është mirë që secili të kontribuojë në problematikat që ka qyteti dhe kryesisht qendra historike dhe këto kontribute mos jenë një herë në katër vjet, por të jenë të përhershme, sepse ky qytet e do vëmendjen ditë për ditë”, është shprehur drejtori i Kulturës Kombëtare në Gjirokastër.
Ka qenë një grup intelektualësh gjirokastritë, miq të Kadaresë, që në 75-vjetorin e lindjes së shkrimtarit në një deklaratë publike kërkuan rinisjen e punimeve restauruese në shtëpinë e gurtë të Kadaresë.