E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozita: Monedha kombëtare në 85-vjetorin e saj

Leku, monedha kombëtare, numëroi dje 85 vite që nga dita e hedhjes në qarkullim për herë të parë. Banka e Shqipërisë me këtë rast organizoi ekspozitën “85 vjet - monedhë kombëtare” në ambientet e hollit të Muzeut Historik Kombëtar. “Sistemi monetar e financiar i një vendi jo vetëm që shpreh sovranitetin e politikave ekonomike të shtetit, por edhe mundëson zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit. Natyrisht që në gjithë këtë histori, emetimi i parasë kombëtare, në formën e monedhave e kartëmonedhave, ka një rol unik” tha guverantori i Bankws sw Shqipwrisw, Ardian Fullani. Ai siguroi se, busulla e institucionit që ai drejton mbetet e orientuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, nëpërmjet një progresi të pandalshëm drejt konvergjencës ekonomike dhe ligjore me Bashkimin Europian. Nga ana e tij, kreu i qeverisë, Sali Berisha, e ka cilësuar monedhën kombëtare lek si një simbol shumë të rëndësishëm të kombit, duke e vlerësuar për rezistencën ndaj monedhave të tjera të valutës: euro dhe dollar, të cilave u rezistoi si gjatë krizës botërore, ashtu edhe krizës së brendshme ekonomiko-politike. “Këto vite, në dallim nga të gjitha monedhat e tjera të rajonit, sigurisht që u luhat, por shumë herë më pak se të gjitha simotrat e saj dhe qëndroi si një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ajo u përball me një agresion shumë të pandershëm politik, sepse të sulmosh çdo ditë monedhën, në kohëra të vështira për sistemin monetar europian dhe botëror, do të thotë të sulmosh çdo ditë xhepat dhe kontot e qytetarëve shqiptarë, sepse mbi këto kursime, mbi këto të ardhura e mbi këtë monedhë, më shumë se në çdo gjë tjetër, përcaktohet mirëqenia e tyre, përcaktohet mundësia reale e tyre e përballimit të jetës së përditshme. Kur je i mëkëmbur nuk e ndien, por, kur je nën mesatar apo i varfër, kjo të krijon dhimbjet më të mëdha.” - u shpreh kreu i qeverisë. Monedha kombëtare u paraqit në ekspozitën e organizuar dje me të gjithë spektrin e vlerave që ajo mbart.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›