Zija Çela: Jam në garë me vetveten
“Qëllimi im është që në çdo roman të jap më të mirën e vetes”. Në Teatrin e Metropolit, mes disa miqve, shkrimtari Zija çela ka promovuar librin e ri, “Goja e botës”. Vjen vetëm një vit pas romanit “SOS, një buzëqeshje” dhe së bashku me romanin e mëhershëm “Laz Varrezas”, Rudolf Marku dhe Mehmet Kraja e kanë cilësuar si pjesë të një triptiku. Irena Toçi, drejtoresha e shtëpisë botuese “Toena”, duke iu referuar edhe krijimtarisë së mëparshme të çelës, e ka cilësuar atë si shkrimtar që bën garë vetëm me vetveten. Poeti e njëkohësisht botuesi Arian Leka, duke shpjeguar kozmosin ku vërtiten personazhet, një botë absurde e personazhe kryeneçë që vuajnë mungesën e komunikimit, e ka përfshirë Zija çelën në një rrëfim mes shkrimtarësh.
Një qytet i mbyllur, i quajtur Fifara, me njerëz që jetojnë thuajse në absurditet, që dinë ekzistencën e të ngjashmëve të tyre, por që nuk mund të komunikojnë me ta. Këtyre brengave u shtohet teatri veror, ku për 13 vjet me radhë luhet “Hamleti”. A e vuan njerëzimi sot mungesën e komunikimit?
Asnjëherë nuk më ka rënë rasti të bëj një promovim libri, i cili në mënyrë rastësore, por të thekshme, përputhet me atë që kam shkruar. “Goja e botës”, që në faqen e parë fillon kështu siç jemi ne, me një skenë dhe një sallë. Kështu zhvillohet i gjithë romani. I vetmi aktor profesionist, i cili ka guxuar të shkojë nga kryeqyteti në Fifara me shpresën se menjëherë do t’ia jepnin Hamletin, e merr atë rol pas 8 vjetësh. Fifara është një qytet me 4700 banorë, diku në krah të një mali, banorët e të cilit nuk komunikojnë me kërrkënd. Një regjisor i çmendur, duke parë se jeta është banale, e mërzitshme vendosi ta fisnikërojë atë qytet, por që ta fisnikërojë ai mori një vepër ku kishte mbretër, kishte mbretëresha, princër dhe oborrtarë plot. çdo vit jepeshin 4 ose 5 shfaqje në teatrin veror. Asnjëri nuk e luante rolin deri në fund sepse regjisori donte të kishte sa më shumë fifarë që të hipnin në skenë. Ulërima e këtij qyteti është që të komunikojë me botën. Matanë malit, rrëzë të cilit shtrihet Fifara, ekziston një qytet tjetër. Këta që jetojnë në lindje presin të fryjë era në krah të kundërt, që të marrin vesh se ç’po thotë Perëndimi, ç’halle ka, si jeton, ku po shkon bota. Të njëjtën gjë bëjnë edhe ata të Perëndimit. Shumë shpejt, pas 3-4 ditësh vjen 2 korriku, që kujtohet si hapja e dyerve të ambasadave dhe fitimi i lirisë. Pas 20 vjetësh unë mendoj që sado që janë shembur muret tona, u shemb edhe Muri i Berlinit, por njerëzimi ka një mur të përjetshëm, që herë e shemb e herë rindërtohet. Ky është kurrizi i njeriut: sa herë që dy njerëz ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit, ata kanë ngritur në mes një mur, ndërpritet komunikimi e dashuria.
Pse keni zgjedhur një vepër klasike si “Hamleti” e jo atë të ndonjë prej shkrimtarëve të absurdit?
Shumë shkrimtarë që kanë shkruar për librat e mi më cilësojnë si realist magjik. Unë ngul këmbë që kam qenë dhe mbetem një shkrimtar realist. Nëse shkrimtarët e absurdit kishin nevojë të krijonin letërsinë e absurdit dhe e krijuan, unë jam shkrimtar që shkruaj për realitetin absurd dhe kjo më bën mua që të zgjedh një vepër klasike dhe gjithëpërfshirëse siç është “Hamleti”. Dy të ngjashme shtyhen, dy të kundërta tërhiqen, në këtë tërheqje vepron edhe romani.
Nëse “Laz Varrezas” flet për mekanizmin e vdekjes, “SOS, një buzëqeshje” flet për dëlirësimin e shpirtit, mos libri i fundit kërkon t’i çlirojë njerëzit nga ndjenja e fajit?
Në këtë roman janë 160 personazhe të listuar, prania e një prifti dhe e një hoxhe nuk është thjesht sepse janë aktorë si gjithë të tjerët, por ka marrëdhënie që e tejkalon dhe vet rolin e tyre. Diku në fund, Dom Markajani do të thotë: nuk është e rëndësishme që njeriu vetëm të besojë te Zoti, njeriu duhet të mësojë nga teknikat dhe shkencat që përdor Zoti. Pa ndihmën e Zotit nuk do kisha mundur ta bëja këtë roman. Ka qenë një kaos me gjithë ngjarjet dhe kompleksitetin që ka romani. Në këtë rast jam përpjekur të përdor teknikën që përdori Zoti: që nga kaosi të krijojë rregull dhe një rregull që gjithashtu është një kaos.
Dy shkrimtarët, Rudolf Marku dhe Mehmet Kraja, në mënyrë të mëvetësishme e kanë cilësuar këtë libër si përmbyllës të një triptiku që fillon me “Las Varrezas”, vazhdon me “SOS, një buzëqeshje” dhe mbyllet me “Goja e botës”. Ju vet ku do ta vendosnit këtë roman?
Më duket se të dy shkrimtarët kanë konstatuar të njëjtën gjë, sepse kanë zbuluar një të vërtetë. Ndonëse këta janë romane që kanë pavarësi të plotë e nuk ka kalime subjektesh nga njëri te tjetri, i bashkon një botë dhe një frymë. Tek unë nuk ka ndonjë qytet real. Në çdo roman unë krijoj një qytet nga e para, e populloj atë, bëj urbanistikën dhe në frymën e përgjithshme të gjitha këto teknika krijojnë një ansambël romanësh. Nuk mund të them se kam qenë në vetëdije të plotë, por nganjëherë instinkti fillon e të çon në një rrugë të caktuar e duhet po një çast i caktuar që të fillosh të kuptosh se ku po shkon. Nuk e di si do quhet më vonë, por nuk mendoj se është triptik i mbyllur, përderisa do vazhdoj të shkruaj.
Gati çdo gjë në librat tuaj është imagjinare, fantazi dhe atmosferë fantastike. A ndjehet e rrezikuar gjuha metaforike dhe alegorikja në këtë kohë që po pritet drejt konkretizimit, drejt thjeshtësimit, minimalizmit dhe asaj që quhet kohë reale?
Guxoj të them se romani fillon sot, zhvillohet pikërisht sot dhe është i mbytur me një konkretësi që ka të bëjë me fatin e njerëzve. Nëse vdes metafora, ka vdekur letërsia. Në të gjitha kohërat letërsia nuk është zhvilluar thjesht si nevojë e zhvillimit të realitetit, por të vizioneve që ka pasur shkrimtari për njerëzimin. Mali që rrotullohet dëshmon se bota ka qenë dhe do mbetet e ndarë. Njerëzimi do të ketë gjithmonë problemin e marrëdhënieve dhe në këtë lëvizje të vazhdueshme merr subjektin letërsia. Në kuptimin tim, krijimi i metaforës është i detyrueshëm. Në pikëpamjen time çdo betejë për universalen nuk është e qëllimshme. Unë nisem nga një realitet konkret dhe nëse arrij një meriadian është mirë.
Duke sjellë në kujtesë krijimtarinë tuaj, duket sikur një personazh apo kryepersonazh i padukshëm që lëviz dhe punon më shumë se gjithë personazhet e tjerë është vdekja. çdo të thotë të shkruash letërsi jo të dominuar nga vdekja, por duke e parë në sy?
Ne shohim vetëm tiranët që janë figura reale. Njerëzimi ka një kryetiran: vdekjen. Ankthi kryesor i njerëzimit është ballafaqimi me vdekjen. Në pikëpamjen time, liria absolute e një njeriu krijohet kur ka mundur idenë e vdekjes. Kjo nuk e bën të pavdekshëm, por i jep lirinë për të shkuar deri te caku i fundit. Njeriu duhet të arrijë një çast ku sado i madh të jetë mendimi i vdekjes, duhet të ketë një rikuperim të shpirtit.
Për shkrimtarët shqiptarë, të Ballkanit apo të Europës Juglindore është krijuar një Godo: ata janë në pritje të një eurolexuesi. Të gjithë presin të përkthehen jashtë, t’i drejtohen një lexuesi më të madh dhe e gjitha kjo ka kushtëzimin e botuesit europian i cili sillet si një lloj porositësi. Ai pret prej këtyre shkrimtarëve temat e dëshiruara prej tij. A i drejtohet një lexuesi të tillë libri i ri?
Letërsia e porositur për mua përbën rrezik kur vet autori e koncepton atë si mundësi që të botohet lehtësisht jashtë. Kjo nuk ndodh për shkrimtarët seriozë. Një shkrimtar bëhet vetvetiu i lexueshëm edhe duke qenë një shkrimtar i mirë. Unë nuk jam kundër asnjë lloj letërsie, edhe letërsisë së lehtë, edhe asaj rozë, por jam kundër vetëvrasjes së shkrimtarit. Vetëvrasja ndodh kur ti vret thelbin tënd, bëhesh i përpunueshëm, i porositshëm, lakmon shumë pas tregut e pas kamerës. A mjafton në jetë të jesh i famshëm për të qenë i lumtur. Kalimi i eurolexuesit është një mrekulli, shkrimtari duhet ta kërkojë lexuesin kudo që të jetë. Unë kam një përjashtim: kur lexoj u hap krahët të gjithëve, kur shkruaj iu kthej shpinën. Nuk njoh askënd kur shkruaj përveç vetes.
Akti i krijimit mbetet krejtësisht personal. Në një klimë shpesh të ngurtë, herë edhe me xhelozi, pas 30 vjetësh krijimtarie, cila është forca që ju shtyn të mos dorëzoheni?
Kur shkruaj, shkruaj për vete. E përjetoj të gjithë këtë proces dhe nuk kam parasysh se një ditë do të arrij në dorën e dikujt. Lexuesi i parë i romanit jam vet unë dhe a e dini kur e marr vesh? Kur kam shkruar fjalinë e fundit. Krijimtaria është vuajtje, por shkruaj se dua të zbuloj veten. Unë nuk bëj garë me askënd përveç vetvetes. Qëllimi im është që në çdo roman të jap më të mirën e vetes. Kjo nuk do të thotë se nuk e dua lexuesin, por në masën që duhet. Ju siguroj vetëm për një gjë: e fundit që do të dalë nga unë është mirënjohja.
#