Retorika pansllaviste që po ripërdoret ndaj Rufi Osmanit

Isha tek mendoja për lojën e pistë me kandidaturën e shtetasit Rufi Osmani dhe, përnjëherë, më ranë në mend, tri 7-she si një simbolikë e numrave edhe atë, viti 1997, neni 7 i kodit zgjedhor dhe 7 vjet burgim. Refuzimi i kandidaturës së profesorit të nderuar Rufi Osmani për kryetar të Komunës së Gostivarit, paraqet një shembull tipik se si nuk duhet interpretuar dhe zbatuar normat ligjore. Aktvendimi i KZK të Gostivarit është tendencioz, diskriminues, joligjor, jologjik dhe arbitrar. Pas një analize të këtij aktvendimi, mund të konstatohen tri faktet në vijim:
I pari, neni 7 paragrafi 2 i Kodit zgjedhor përcakton kushtet e asaj që në të drejtën zgjedhore njihet si "e drejta pasive zgjedhore" ose e drejta e një personi për t'u kandiduar për një funksion. Në dispozitën e tij përcaktohen katër kushte: mosha madhore prej 18 vjet, zotësia e veprimit, personi të mos ndodhet në vuajtje të dënimit me burgim dhe të mos jetë dënuar me vendim të prerë gjyqësor, me dënim të pakusht me burgim mbi 6 muaj. Meqenëse, falë liderit të BDI-së, shqipja nuk është zyrtare në shtet, patjetër duhet referuar kësaj dispozite në maqedonisht e aty thuhet: "ne e osuden so pravosillna sudska odlluka na bezusllovna kazna zatvor nad 6 meseci", pra, ligjvënësi nuk thotë "ne bill osuden" por, thotë "ne e osuden" që nënkupton kohën e tashme, e jo kohën e kaluar. Sipas interpretimit gjuhësor të kësaj dispozite ligjore arrijmë deri te domethënia e drejtë e normës juridike si dhe te qëllimi i kësaj norme ligjore, e cila konsiston në kërkesën e ligjit që personi që kandidohet, në momentin e kandidimit të mos jetë i dënuar me vendim të prerë me burgim prej së paku 6 muajsh, sepse është normale, se personi që ka një dënim të tillë të plotfuqishëm, nuk duhet ta bëjë gati veten për në parlament, komunë apo presidencë shteti, por për vuajtje të dënimit me burg dhe ky është qëllimi dhe "ratio legisi" i kësaj norme ligjore. Nëse këtë normë e interpretojmë ashtu siç e ka interpretuar KZK-ja e Gostivarit, atëherë del se të gjithë personat që kanë qenë (në të kaluarën) të dënuar me burgim prej së paku 6 muajsh, asnjëherë nuk do të kenë të drejtë për t'u kandiduar nëpër funksione shtetërore dhe lokale. Dhe, kjo është një kuptim absurd i ligjit që i diskriminon këta persona si shtetas të shtetit për arsye se kështu këta persona mbesin gjithë jetën të dënuar (në fakt, burgimi prej së paku 6 muajsh, de jure, u shndërrohet në burgim të përjetshëm). Paramendoni Nelson Mandelën që në vendin më diskriminues në botë, Republikën Jugo-Afrikane ishte bartës i një funksioni të zgjedhshëm, edhe pse ka vuajtur me dekada nëpër burgjet e këtij vendi. Në drejtësi është i njohur parimi "non bis in idem" që d.m.th. "jo dy herë për të njëjtën", pra, në këtë rast prof. Rufiu dënohet dy herë për një "vepër penale" të kryer në v. 1997, për çka të gjithë shqiptarët e dinë se ai ishte një proces i montuar politik nën diktatin e atëhershëm të Cërvenkovskit. Neni 14 paragrafi 2 i kushtetutës thotë: "Askush nuk mund të gjykohet sërish për vepër për të cilën ka qenë i dënuar një herë dhe për të cilën është marrë vendim i plotfuqishëm gjyqësor". Habit fakti se, si kryetari shqiptar i KZK-së ia sheh për të madhe prof. Rufiut që në v. 1997 e ka shpalosur "këmishën e popullit shqiptar" pra, flamurin kombëtar para godinës komunale të Gostivarit. Kjo do të ishte shumë normale për një maqedonas, por për një shqiptar! Turp!
I dyti, me Ligjin për amnisti të 5 shkurtit 1999, prof. Osmani është liruar plotësisht nga ekzekutimi i dënimit me burgim kurse, nga ana tjetër, sipas Kodit penal, amnistia ka për efekt juridik edhe fshirjen e dënimit, që d.m.th. se ai është i rehabilituar dhe i risocializuar në jetën shoqërore por, edhe në jetën publike dhe, si çdo shtetas tjetër, i gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë të garantuar me kushtetutë, me ligje dhe me aktet ndërkombëtare. Këtu, vlen të përmendet neni 23 i kushtetutës ku thuhet: "Çdo shtetas ka të drejtë të merr pjesë në ushtrimin e funksioneve publike", që në këtë rast, si një e drejtë e garantuar i është shkelur në mënyrë drastike shtetasit Rufi Osmani.
I treti, aktvendimi i KZK-së ka efekt prapaveprues, sepse thirret në "vepër penale" që është kryer para 12 vitesh. Ndërkaq, aktet juridike zakonisht vlejnë "pro futuro" (për të ardhmen). Neni 52 paragrafi 4 i kushtetutës thotë: "Ligjet dhe dispozitat e tjera nuk mund të kenë efekt prapaveprues, përveçse përjashtimisht, në rastet kur kjo është më e favorshme për shtetasit". Është evidente se ky aktvendim i KZK-së të Gostivarit me të cilin i refuzohet kandidatura, nuk është më i favorshëm për shtetasin Rufi Osmani, prandaj është në kundërshtim me këtë normë kushtetuese dhe me të drejtat e tij. Në fund, një mendimtar i njohur juridik me emrin Benxhamin Konstant lidhur me arbitrarizmin e pushtetit thotë: "Arbitrarizmi mund të ndalet vetëm me respektimin e ligjit, sepse germa e ligjit është një engjëll mbrojtës i secilit njeri, një mburojë për pafajësinë e secilit. Në të kundërtën, çdo gjë do të ishte e padukshme dhe do t'i lehej ndërgjegjes personale. Germa e ligjit është e vetmja gjë që shihet dhe personat e shkelur në emër të kësaj germe, vetëm asaj mund t'i referohen". Mbetet të shihet nëse kjo germë ligjore "ne e osuden" do të jetë engjëll mbrojtës për shtetasin Rufi Osmani.
Autori është ligjërues i së drejtës kushtetuese në Fakulteti juridik-UEJL
...