E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Lipe:Arroganca? “Detyrimet” me publikun më bëjnë shpesh nervoz...

SHKRUAN: Ilda Lumani 14-07-2011 12:11

Të jesh vetvetja! Duket tashmë si një fjali shabllone, por ajo që bëjmë më shpesh në të përditshmen tonë, është vënia e një maske pa kuptuar. Dhe kur ti qëllon që je vetvetja, jo vetëm brenda mureve të shtëpisë, por edhe në një transmetim “live” çdo mëngjes 5 herë në javë, atëherë thënien e gjërave troç ne e marrim si arrogancë, e nisim paragjykojmë. Vërtetësia e dikujt shoqërohet me pyetje dhe stërpyetje; si në këtë rast…, në këtë intervistë…, ku Aldon Lipe, njeriu që është bërë ikona e mëngjeseve tona, në vend të na përgjigjet na bën disa kundërpyetje që na vënë në mendime… Por mes të tjerave, në këtë intervistë për gazetën “Mapo” do të mësoni disa kuriozitete që kanë të bëjnë me zbulesën që të japin telefonuesit, audiencën e gjerë dhe mësimet që merr prej tyre!

Aldo, në çfarë ore zgjoheni në mëngjes dhe kur flini në mbrëmje?

Nuk e di pse kur më pyesin kështu, më duket vetja sikur kam bërë ndonjë gjë të paparë, ndonjë prej atyre rekordeve Guinness, të cilat të bëjnë të dukesh gjysmë i çmendur përballë të tjerëve. Të ngrihesh herët është njëlloj si të biesh vonë. Ky është viti i 11-të që unë, dhe të tjerët si puna ime, gdhihen në 4:45 AM për të qenë maksimumi në 6:00 në zyrë, d.m.th jo më pak se një orë përpara fillimit të transmetimit. Këtë pa diskutim do e bënte kushdo që do të kishte një punë të tillë. Tentoj gjithnjë të fle rreth orës 11, ashtu siç bëjnë ndoshta shumë e shumë të tjerë. Është ky një regjim i hekurt, të cilin mund të ma prishë gjithsej 2 apo 3 herë në vit ndonjë sebep i pazakontë, apo ardhja e dikujt nga larg, apo nuk e di ç’tjetër. Por, ju betohem jo më shumë se 2 apo 3 herë në vit.

E di që në mëngjes, gratë më shumë rrinë me ty se me burrat e tyre?

Ky është një konstatim-batutë që tenton të më miklojë sadopak, por dikur, kur punoja në RadioKlan e më pas në Top Channel në emision, lejoheshin të telefononin vetëm gra; kjo për dy arsye. E para se komunikimi me gratë është paksa më i “pastër” në aspektin e fjalorit me të cilin atyre do t’ju duhej t’i përgjigjeshin ngacmimeve të mia, dhe e dyta, sepse burrat dhe meshkujt ishin pak “të papërballueshëm” kur nervozoheshin nga fjalori dhe nga mosditja e përgjigjes. Me kalimin e kohës, natyrisht që edhe unë fitova edhe më shumë eksperiencë dhe pas rikthimit tim në Tv Klan u lejuan të dyja gjinitë, por gjithnjë me prenotim.

“Arroganca” jote i ka bërë edhe më shumë për vete dëgjuesit. Kjo gjë a të bën të mendosh se ky popull nuk e do shumë butësinë, ëmbëlsinë…?

Nuk do të më pëlqente termi “arrogancë”, ndonëse thellë-thellë dhe në raste të veçanta e pranoj edhe vetë, heshturazi, që është e tillë. Janë thjesht “detyrimet” mes meje dhe publikut, që më bëjnë jo pak herë nervoz. Ka një problem! Edhe unë në fillimet e mia u bëja atyre, që prodhonin emisione e programe radiotelevizive, jo pakherë vërejtje e sugjerime, pa kuptuar aspak se ata thjesht kështu e mendonin, kështu ishin. Unë e shihja me sytë e mi, ndërsa ata me sytë e tyre. Flasim këtu për vitet ’90, kur si një adoleshent me pantallona të shkurtra, konsumoja orë e ditë të pafundme nëpër korridoret e Radio Tiranës. Me kalimin e viteve, fillova të kuptoj se duhen pranuar të tjerët, siç janë dhe atë që ata prodhojnë e krijojnë. Është njëlloj sikur t’i thuash një kompozitori të shtojë edhe një masë tjetër akordesh, se kështu del më bukur. Ose, siç mund të të thonë, fjala vjen ty, se ç’janë këto pyetje. Pavarësisht nga niveli i atij që ke përballë, unë kurrsesi nuk i imponohem, sepse e pranoj tjetrin siç është. Duke qenë i tillë, pra, duke qenë liberal në një farë mënyre, jam po kaq konservator përkundrejt vetes time, e thënë në shqip, nuk dua sepse nuk ka të drejtë askush përveç atij që më paguan, të më kërkojë llogari përse e bëre kështu apo përse e bëre ashtu. Kam një marrëdhënie tejet komode me Aleksandër Frangajn këtu në Tv Klan: ai me ka pranuar siç jam dhe unë e pranoj atë siç është. Aspak me arrogancë, por e them me bindje se përveç atyre me të cilët punoj dhe u besoj, nuk pres asnjë lloj sugjerimi apo vërejtje nga të tjerë, sepse unë vetë nuk ua bëj këtë të tjerëve. Përse, nuk e di unë se si mund të ishte më i bukur, fjala vjen “Gjeniu i Vogël“, apo “Portokallia“, apo “Njerëz të humbur“, apo gazeta “MAPO“!? Jo! Unë e pranoj atë siç është, deri sa më pëlqen. Në rast të kundër, nuk e shoh fare dhe as nuk e lexoj. Pikërisht kjo ndoshta më bën mua të dukem paksa “arrogant“.

Jeni penduar me ndonjë gjë u keni thënë telefonuesve? E keni ndjerë ndonjëherë veten se e keni tepruar e lënduar dikë?

Sigurisht që po! Sado që përpiqem ta kem gjithë kohën veten nën kontroll, prapëseprapë bëhem jo rrallëherë pishman për ndonjë batutë apo ndonjë shprehi, që mund të lëndojë jo thjesht një telefonues, por një kategori të caktuar njerëzish. Mundohem ta mbaj gojën, por fatkeqësisht e kap lëndimin pasi e kam thënë. Mbase rregullohem me kalimin e kohës...!:)

Në gjithë këto vite mëngjesi në ekran, çfarë ke mësuar nga telefonuesit?

Mënyrën se si zgjohen njerëzit, çka përkthehet në njohjen gjithnjë e më të thellë të natyrës njerëzore. Kjo që po them është fjalë e madhe, por mendoj se realisht është bukur teksa komunikon me lloj-lloj njerëzish, me të njohur e të panjohur, me të mençur e budallenj, me 20-vjeçarë e 80-vjeçarë. Më ka ndodhur që shpeshherë me miqtë e mi, që merren me politikë, ta konsumoj këtë pyetje, sidomos në prag fushatash. Më kanë pyetur se si e mendoj unë këtë gjë, apo një gjë tjetër. Ua kam shpjeguar me aq sa mundem dhe me aq sa unë i njoh njerëzit, se dalja nga vetja është thjesht një sforcim që herët a vonë do të bjerë në sy dhe automatikisht bëhesh i pabesueshëm. Ndërsa sjellja çlirët me tjetrin, ndoshta bien ndesh pikëpamjet, por nga ana tjetër je më shumë i besueshëm. Sa do të doja që në garat politike, dikush prej kandidatëve që thonë “Po, do e bëjmë këtë gjë“, apo “Ma jep votën, se brenda mandatit do e zgjidhim“, të thoshte fare thjeshtë: “E di si është puna xhaxhi, këtë gjë unë nuk e bëj dot, pse të të gënjej!“. Dhe jam i bindur që po ky hallexhi do e votonte me motivin më të thjeshtë: Unë e besoj këtë kandidat! Nejse, se i hymë kot politikës...!

Nuk mund të evitohet në asnjë bisedë. Aldo, cila ka qenë ankesa më pavend e telefonuesve, që e kujton me humor?

Përse nuk transmeton këngë nga Parashqevi Simaku.......

Po kërkesa më e dhimbshme e telefonuesve?

Jam me kancer....a më lidh dot me Lul Bashën?

Telefonata më e largët që keni marrë, nga cili vend ka qenë?

Po.....nuk e di, me Afrikën jam dobët në përgjithësi sepse kam pasur shumë telefonata nga çdo kontinent ku ka shqiptarë. Nga Alaska po e po, Australia, nga Zelanda e Re, Siberia.....ku e di unë...të tjerat me duken normale....!

“Aldo Morning Shoë”, është emisioni më i ndjekur i mëngjesit. Sa ju përkëdhel ky fakt?

Jam mësuar të ma thonë këtë, ndonëse është një kompliment që çdokush do ta kishte zili, por në fakt nuk është kështu. E para e punës, që përveç meje dhe regjisores se programit, Rozi Merkos, askush tjetër nuk mund ta ndjekë një program mëngjesi prej 3 orësh dhe unë jam shumë koshient, që njerëzit shohin edhe Bashkim Hoxhën, sepse unë vetë kur jam pushim vetëm atë ndjek, për të mos harruar këtu edhe Enon me Ledionin, Kelin me Edin, radiot apo televizionet e tjera lokale, për të cilat as unë e as ti nuk e kemi haberin se ç’transmetojnë dhe sa mirë e bëjnë ata programin e tyre, edhe RAI-n apo MEDIASSET, apo ndonjë kanal tjetër. Është një botë RadioTelevizive, ku secili ka ajrin e vet dhe merr frymë në të.

Vazhdoni ende të keni etalon jetëgjatësie emisionin “Trupi dhe shëndeti”?

E pse jo, do të isha krenar po ta arrija atë, dhe jo vetëm. Ka një sërë programesh që u kanë mbijetuar selektimit publik, të kujtojmë këtu “Nga njëra ndeshje në tjetrën” të Ahmet Shqarrit, apo edhe “Opinionin” e Blendi Fevziut. Mirë a keq, ata kanë qenë apo janë kthyer tashmë në emisione rit, pjesë e të cilit jo vetëm unë, po kushdo do të donte të ishte.

Deri kur do të vazhdoni transmetimin për këtë sezon dhe ku do të pushoni?

Këtë sezon e mbyll të premten e fundit të korrikut, më 29. Idera kemi sa të duash, por tashmë e konfirmuar është vetëm kjo: pushimet i kam të pakta, ndaj s’mund t’i ndaj me kërrkënd përveç familjes.

“E diela shqiptare”, e shihni si një impenjim që i jep më shumë ngjyra aktivitetit profesional tuaj?

Impenjime të tilla unë kam pasur gjithnjë qejf dhe për hir të së vërtetës e kam ndarë programin tim të mëngjesit me angazhime të tilla të mëdha. Ka ndodhur në periudha të caktuara, që pikërisht këto angazhime të kenë qenë më primare sesa mëngjesi, dhe natyrisht që “E diela Shqiptare” është një prej tyre. E kush nuk do të pranonte që puna me “E diela Shqiptare” s’do të ishte një shkollë e madhe. Puna me Arditin, jo vetëm që më ka dhënë kënaqësi dhe momente e orë të paharrueshme, por të qenit staf i vogël për realizimin e këtij programi, na ka bërë që të jemi edhe më shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Të punosh me markën “Gjebrea”, nuk do të thotë thjesht të punosh, por të jetosh me të. 3 sezone me një program të tillë të madh nuk janë pak, ndaj të gjithë ne kemi nevojë për ca pushime të thella !

Aldo, keni njohur ndonjë fans besnik?

Jo, sepse sinqerisht nuk para kam kontakt me ta. Kam një rreth shumë të kufizuar bashkëpunëtorësh, madje edhe me ta merret Rozi, regjisorja. Jam mirë me njerëzit të cilët unë zgjedh për të punuar, ose që edhe më zgjedhin, dhe pjesën tjetër dua ta ndaj me familjen, të cilës i kam shumë “borxhe“. Një familje e re. E cila prej 3 vjetësh nuk ka të shtuna e të diela. Pastaj....në një punë të tillë si kjo e imja, nuk para i besoj edhe aq shumë termit “fans“.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›