Ngërçi i Qipros vazhdon ndërsa përvijohet presidenca e BE
Pas gati 38 vjetëve negociatash të pafrytshme që kërkojnë të ribashkojnë Qipron, krerëve grekë dhe turq qipriotë u është thënë nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun të gjejnë një zgjidhje deri në 1 korrik. Por shumë pak besojnë se kjo mund të ndodhë përpara se pala greke qipriote të marrë presidencën gjashtë-mujore të radhës të BE, një ngjarje që efektivisht do të ngrinte çdo negociatë deri në 2013. Bisedimet e Qipros nuk po dalin nga hendeku, me presidentin Demetrios Kristofias të angazhuar në konflikte dhe që ndesh probleme të brendshme dhe me popullaritetin që po i bie, i paaftë të bëjë përpara në negociatat me homologun e tij turk qipriot Dervish Eroglu lidhur me çështje themelore të tilla si prona dhe qeverisja e përbashkët. "Sekretari i përgjithshëm do që t’i japë fund kësaj vuajtjeje," i tha SETimes Ahmet Sozen, drejtor i Qendrës së Politikës së Qipros në Famagusta, në anën turke të ishullit. "Atij i duhet të marrë hapa vendimtarë në vend vetëm të thotë se të dy palët duhet të intensifikojnë negociatat. Kjo nuk do të thotë asgjë", tha Sozen. Kriostofias dhe Eroglu u takuan në Long Ajland, Nju Jork, më parë këtë vit por përparimi ka qenë i ngadaltë në negociatat që nisën në shtator 2008 midis Kristofias dhe kreut të atëhershëm turk qipriot Mehmet Ali Talat. Tani Eroglu thotë se është dakord me një të dërguar befas pesimist të OKB-së, Aleksander Dovner, që thotë se bisedimet do të marrin fund në qershor, duke fajësuar qipriotët. "Edhe po t’u jepni atyre qipriotëve tërë Qipron, nuk do t’i kënaqnit ata," raportoi agjencia e lajmeve ANSAmed të thoshte i dërguari. Ban, që ka vënë afate të mëparshme që kanë ardhur e ikur, u duk po aq i dëshpëruar kohët e fundit. "Dritarja e tanishme e mundësisë nuk është pa kufij dhe ka pak për të sugjeruar se e ardhmja do të sjellë rrethana më të volitshme për një zgjidhje," tha ai. Dovner është caktuar të paraqesë një raport për Ban që Sozen thotë se do të tregojë se bisedimet ose do të prishen ose duhet të pezullohen. Kjo do t’i shtynte negociatat në 2013, pasi Qiproja të mbaronte presidencën e BE. I shtuar presionit ka qenë qendrimi i ashpër marrë nga Turqia që ka kërcënuar të ndërpresë bashkëpunimin me BE në një numër fushash sapo Qiproja të marrë përsipër presidencën e BE. Qiproja, anijet dhe aeroplanët e së cilës nuk lejohen në Turqi, ka prishur përsëritshëm procesin e pranimit të Turqisë në BE, duke zemëruar politikëbërësit dhe publikun. Thanos Dokos, drejtor i institucionit kërkimor me bazë në Atrhinë, Fondacioni Helenik për Politikën Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP) i tha SETimes se krerët turq nuk dëshirojnë të lëshojnë terren. "Ka një zgjidhje, por dinamikat janë të ngadalëshme. Nuk ka shtytje apo presion," tha ai. "Turqia ndjen se nuk ka arsye të tregojë vullnet të mirë". Kristofias është dobësuar që nga shpërthimi i depos së municioneve vitin e kaluar dhe Eroglu është më pak i dëshërueshëm të pranojë ndonjë gjë, thotë ai. "Ai merr instruksione dhe ndjek kryesimin nga Ankaraja," vuri në dukje Dokos, duke e përqasur situatën me një luftë të ftohtë. "Është e vështirë dhe e pakëndshme. Nuk ka luftë reale midis palëve kështu që fuqitë e mëdha mund t’ja lejojnë vetes ta lënë këtë mënjanë," tha ai. Stavros Karkalecis, kreu i Qendrës Helenike opër Analizat Evropiane dhe Ndërkombëtare me bazë në Athinë, thotë gjithashtu se asgjë nuk ka gjasë të zgjidhet. "Ban po përpiqet të sjellë një zgjidhje finale për shkak se Kristofias e di se pas kësaj nuk ka zgjidhje," i tha ai SETimes. "Kristofias do ta humbasë këtë lojë në se e shpie këtë zgjidhje në një referendum. Do të ketë zëra më negativë se sa për planin Anan," tha ai. Ai thotë se Kristofias u ka ofruar turqve qipriotë të ndajnë një presidencë të radhës për Qipron dhe është kaq jo këmbëngulës në një federatë bi-zonale, bi-komunale sa që është i gatshëm të bëjë koncesione që shumë qipriotë do t’i kundërviheshin vrullshëm. Megjithë papajtueshmëritë në të dy palët, Sozen thotë se si banorët grekë dhe turq qipriotë përfundimisht duan t’i japin fund dilemës. Duke treguar një sondazh që po përgatit për të dërguar në OKB, ai thotë se ndërsa 70% e qipriotëve në të dy palët besojnë se bisedimet do të dështojnë, i njëjti numër duan që ato t’ja dalin. "Ata nuk duan ta lënë ngarkesën te brezat e ardhshëm".
...