E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europën nuk e ndalin vështirësitë dhe sakrificat

02-03-2013 / Nga Ilirian Dahri

Shumë prej vendeve të Bashkimit Europian kanë ndjekur me vëmëndje zhvillimet politike që po ndodhin në kontinentin e vjetër. Nganjëherë zgjedhjet e zhvilluara në ndonjë vend të vecantë të Bashkimin Europian kanë simbolikën e tyre për vetë Europën dhe ekonominë e saj  por efektet negative apo pozitive mund të shtrihen edhe më gjërë, duke arritur deri në ekonominë globale. Duke qenë të ndërgjegjshëm për këto rreziqe shumë prej presidentëve të vendeve të Bashkimit Europian këto ditë kanë dashur të japin një frymë optimizmi për vendet e tyre por edhe për vetë Bashkimin Europian. Natyrisht një zë i përhershëm që kërkon gjithmonë fraza të zgjedhura dhe të mbushura plot optimizëm  është presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi por tashmë edhe presidentët e vendeve të ekonomive më të zhvilluara europiane po ecin në këtë rrugë. «Nuk kemi të bëjmë me një Itali që po shkon drejt rrënimit. Nuk ka rrezik infektimi sepse për të infektuar duhet që të kesh një sëmundje» - kanë qenë këto fjalë të matura që ka deklaruar në Berlin, përgjatë një konference për shtyp, presidenti i Republikës italiane, Xhorxho Napolitano. Këto deklarata të  kreut të shtetit italian janë shpërndarë nga agjensitë e lajmeve direkt pas takimit që presidenti i vendit fqinj zhvilloi me presidentin e Gjermanisë, Joakim Gauk. «Qeveria Monti do të përfaqësojë Italinë në Këshillin e Europës deri në gjysmën e marsit duke marrë të gjitha përgjgjegjësitë e nevojshme për të vazhduar me politikën e saj dhe duke u konsultuar me forcat politike të dala nga zgjedhjet». I të njëjtit mendim ka qenë edhe presidenti gjerman:
«Nuk mendojmë aspak që Europa është në fund të ditëve të saj, madje ndodhemi në një fazë diskutimesh dhe jemi në gjëndje që të kuptojmë dhe të shikojmë fuqinë që mund të shfaqë Italia dhe ne si gjermanë nuk duhet të themi se kemi frikë nga infektimi». Në të vërtetë në Berlin nuk ka shkuar gjithcka sipas parashikimeve. Kandidati për kryeministër, Peer Stainbruk nuk është takuar me kreun e shtetit italian, Xhorxho Napolitano por ky i fundit ka nënvizuar se: «Gjithkush është i lirë të mendojë brenda vetes atë që do, por kur flitet për gjëra që i përkasin zgjedhjeve të lira të një vendi mik, duhet të jemi të matur në gjykime” . Edhe vetë presidenti german, Joakim Gauk nuk ka dashur të komentojë këtë fakt por gjithsesi ka shtuar për këtë argument se: «Gjërat janë ashtu sic thotë Napolitano: nuk dua të bëj komente të tjera sepse fjalët e tij flasin vetë». Dy vendet, të cilësuara edhe njëherë tjetër nga dy presidentët si dy vende mike, nëpërmjet dy krerëve të shteteve i kanë përqëndruar bisedimet e tyre në rrugën europiane që të dy vendet kërkojnë të ndjekin edhe pse janë të ndërgjegjshëm se rruga është e vështirë dhe plot sakrifca. Natyrisht rezultati i zgjedhjeve në Itali ka qenë i komplikuar dhe plot surpriza. Vetë presidenti italian ka theksuar se “populli është shprehur lirisht, këto janë ligjet e demokracisë, duhet debatuar duke patur parasysh vullnetin e zgjedhesve”. Në Itali koha nuk pret sepse në këto momente janë shpallur të zgjedhurit të cilët  brenda pak ditëve do të fillojnë edhe mbledhjet e para ndërsa ndonjë ditë më vonë do të fillojnë edhe grupet parlamentare me konsultimet e para. Për vetë italianët demokracia është një prej themeleve të Kushtetutës dhe në një demokraci të pjekur si ajo e vendit fqinj kur zgjedhësit shprehen me anë të votës cdo zgjedhje gjithsesi meriton respekt. Natyrisht mbi rezultatin e zgjedhjeve italiane  ka patur komente shpeshherë jo shumë ortodokse, madje hera –herës  këto komente kanë qenë edhe të ashpra sic ishte edhe rasti i Peer Stainbryk i cili kur kishte folur për ndonjë prej liderëvë italianë, duke i krahasuar me palaçot. Ndoshta kjo ka qenë një frazë e diktuar nga emocionet e castit sepse Stainbryk ka patur një telefonatë sqaruese me presidentin e republikës italiane, Xhorxho Napolitano. Natyrisht kriza greke ka ndikuar shumë në rritjen e pasigurisë në vendet e Bashkimit Europian dhe shqetësimi i përkohshëm gjerman ka qenë ai i një rasti tjetër si ai i Greqisë. Por shpeshherë krerët e vendit fqinj të Italisë kanë deklaruar me vendosmëri se Italia është ekonomia e tretë e eurozonës dhe me gjithë respektin sipas tyre nuk është as si Spanja dhe as si Greqia.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›