Etiopia dënoi dy gazetarë suedezë

Martin Schibbye dhe Johan Persson u arrestuan në korrik, pasi kishin hyrë në Etiopi nga Somalia, me kryengritësit e grupit Fronti Kombëtar për Çlirimin e Ogadenit.
Gazetarët u shpallën fajtorë për akuzat javën e kaluar, me prokurorët që kishin kërkuar dënime më të gjata për ta. Dy gazetarët kanë pranuar se kishin kontaktuar kryengritësit dhe se kishin hyrë në vend ilegalisht.
Gjithsesi, ata pretendojnë se kjo ishte mënyra e vetme për të raportuar mbi aktivitetet e një kompanie suedeze nafte që vepron në një rajon të Etiopisë, ku qeveria lokale nuk i lejon reporterët të hyjnë.
Rebelët e FKCO luftojnë për pavarësinë e rajonit të Ogadenit që prej vitit 1984. Dënimi i Martin Schibbye dhe Johan Persson është kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut dhe qeveria suedeze.