Eto drejt largimit

Samuel Eto thotë që po e sheh se është i nevojshëm një ndryshim, por pa saktësuar qartë nëse mendon apo po vendos të largohet nga Barcelona, ndërsa shfaq admirim për futbollin britanik. Sulmuesi i shquar i kombëtares së Kamerunit njeh problemet dhe prandaj ai, sipas gazetës “Marca”, edhe e pohon se kjo është koha për të bërë ndryshim. Gazeta iu referua një interviste që Samuel Eto kishte dhënë për rrjetin televiziv britanik “Sky Sports”, në të cilin e linte të hapur mundësitë për të shkuar drejt e në Premier League. Samuel Eto e pranon këtë moment jo të mirë të jetës së tij dhe “Sky Sports” informoi se kamerunasi ia kishte deklaruar nevojën për të ndryshuar. “Kampionati anglez është në nivelin më të lartë dhe është zhvilluar në një mënyrë fantastike”, - tha Eto. Sipas kamerunasit, është çasti kur duhet të merret një vendim. “Kjo është kohë në të cilën unë mendoj se më nevojitet të bëj një ndryshim. Natyrisht që më duhet të marr një vendim, që të jetë sa më i mirë për mua dhe të ardhmen time. Dua të them se është shumë e rëndësishme që në këtë pikë unë të shoh se cili duhet të jetë hapi që do të më bëjë të lumtur e që do të më kënaqë kur të zbres në fushën e lojës. Për mua ka fare pak rëndësi se ku e me kë do të luaj”, - tha Eto, për të cilin Totenhem Hotspur i ish-trajnerit spanjoll të Seviljes, Huande Ramos, ka ofruar 15 milionë euro. Totenhemi nuk do të luajë në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, por në Kupën UEFA të fituar të mërkurën nga rusët e Zenitit kundër Glasgou Rangers 2-0. Totenhemi fitoi në fillim të këtij viti Kupën e Ligës. Samuel Eto nuk eci mirë tek Barcelona, e cila po mbyll një sezon jashtëzakonisht të dështuar, pa asnjë trofe dhe me rrënim, madje duke vënë në dyshim deri edhe vendin e tretë. Ndërkohë, trajneri i sapoemëruar i Barcelonës, Bep Guardiola, po planifikon të ketë në krah si ndihmës një tjetër figurë shumë të rëndësishme të klubit, Luis Enriken, një ish-lojtar i Realit të Madridit. Luis Enrike, pasi madrilenët e larguan nga “Santiago Bernabeu” si lojtar, dha shpirtin për katalanasit. Barcelona po ashtu po mendon të japë afro 25 milionë euro për të garantuar shërbimin e brazilianit të Seviljes, Dani Alves, ndërkohë që edhe në javën e fundit trajneri Frenk Rijkard nuk do të përfshijë në lojë Ronaldinjon. Zyrtarisht braziliani është i dëmtuar prej rreth 1 muaji.