Eugenio Montale
E kanë quajtur edhe poet të dëshpërimit. Në vargjet e Eugenio Montales, poet italian, Nobel i Letërsisë më 1975, kritikët kanë lexuar shpesh nota pesimizmi duke e oërkufizuar edhe si heretik. I lindur në Gjenovë më 1896, Montale do të merrte një formim të ndryshëm nga prirjet e tij. Do të provonte shkollën ushtarake, e do të adhuronte njëkohësisht Dante-n, muzikën lirike, filozofinë... Montale jetonte dhe reflektonte në kohën ku atij si individ dhe si poet i kishte qëlluar të jetonte. E shihte me pesimizëm, por pa reflektuar nota proteste në vargjet e tij. “
E pranoj kohën që më ka rënë për hise, nuk do të doja një tjetër, sepse sot, siç kurrëndonjëherë më parë, nuk mund të besohet në një vazhdimësi absolute kohore”, shkruan Montale. Por teksa shihte vitet t’i shkisnin, teksa vëzhgonte individin dhe shoqërinë moderne të braktiste atë që ai e quante natyrore, Montale nuk ngurroi të bënte edhe reflektime filozofike, amë mirë të themi metafizike. “Në kohën tonë”, një përmbledhje shkrimesh që ishin menduar të shoqëronin botimin e një bibliografie të hartuar në vitin 1972 nga një studiues, mund të lexosh qartë në rreshtat e asaj që mund ta quash ese filozofike të tij, këndvështrimin mbi botën. Ly libërth, përkthyer shqip nga origjinali nga Ilirjana Stringa dhe botuar nga “Ideart” është një udhërrëfyes për të njohur më mirë Montalen e poezinë e tij. ç’ mendonte ai për botën moderne, për kohën, për individin që i trembet vetmisë dhe kërkon kolektivizmin, për krizën e njeriut si qenie natyrore dhe përqafimin e makinave që ia lehtësojnë më shumë jetën, për poezinë dhe artin. “Arti im poetik ka qenë ngaherë regjistrim këmbëngulës i mënyrës si jetoj “në kohën tonë”, kohë që ne të gjallëve, sot, na duket e ndryshme nga çdo kohë tjetër: një iluzion ky ndoshta, sepse, them, kohë të kollajta s’besoj të ketë pasur ndonjëherë”, thotë Montale mes rreshtave të tij. Ai tentonte të kuptonte. Në fakt të tjerët nuk e kuptonin dhe nuk u përpoqën ta bënin këtë. E shihnin herë herë edhe si poet që vuante zhdukjen e romantizmit, ndërkohë që bota merrte rrokullimën. “Në epokën e shkencës dhe teknikës arsyeja është lënë në bisht dhe bëhet ç’është e mundur që kjo të nxirret në pension... Kush vëzhgon me një lloj gjakftohtësie çka ndodh përreth nesh, duhet të pranojë që bota është e shkundulluar prej një breshërie dëshpërimi dhe një dashurie të errët, të pashpjegueshme...
Mund të themi se njeriu është i pakënaqur me veten, i paaftë për t’i dhënë një kuptim, një përmbajtje, faktit të të qenit në botë”, shkruan ai. Nëse kërkon shkrime për poezinë e Eugenio Montales, mendime rreth tij si individ, krijues dhe poezisë që bënte, gjen edhe përcaktime që e quanin hermetik. Skicat e sjella në këtë libër janë një provë e mendimit montalian, që duket se herë herë të përhumbin në mendimet e tij metafizike. Në ceremoninë e çmimin “Nobel” më 1975 ai do të thoshte: “Ndodhem këtu ngaqë kam shkruar poezi, një produkt absolutisht i padobishëm, por pothuaj asnjëherë i dëmshëm”. E mendimet e tij për poezinë i gjejmë të shkruara edhe në rreshta. “Tema e poezisë që kam përzemër(dhe besoj e çdo poezie të mundshme) është gjendja njerëzore në vetvete, jo kjo apo ajo ngjarje historike. Kjo s’do të thotë të tëhutemi nga sa ndodh në botë, don të thotë thjesht ndërgjegje dhe vullnetb për të mos shkëmbyer thelbësoren me të përkohshmen...
është e qartë se çdo poezi e vërtetë lind nga një krizë individuale, për të cilën poeti edhe mund të mos jetë i ndërgjegjshëm. Por më shumë se për krizë(fjalë e dyshimtë tashmë) do të flisja për pakënaqësi, për një zbrazëti të brendshme, zbrazëti të cilën ngërthimi i shprehjes e mbush përkohësisht”, shkruante ai. Por ai thellë-thellë besonte në një drejtësi që do të vendosej dikur. Një rend vlerash të diktuara jo nga kriza e modernitetit. “Le t’i lëmë kohë kujtesës të përmbushë detyrën e saj më të parë dhe më urgjente: harresën”.
#