E Diel, 1 Nëntor 2026

EurActiv: Shqipëria nuk do ta marrë statusin, BE-ja do të testojë zgjedhjet

Bruksel- Ministrat e Bashkimit Evropian nuk do t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat në BE në takimin e javës së ardhshme në Bruksel.

Lajmi është mësuar nga burime diplomatike për EurActiv, agjencia e lajmeve në BE dhe e debateve mbi politikat e familjes evropaine.

Sipas po të njëjtave burime BE-ja ka të ngjarë t’i hapë dritën jeshile fillimit të bisedimeve të pranimit me Serbinë, në qoftë se një numër i kushteve janë respektuar, të tilla si përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Diplomatët perëndimorë i thanë EurActiv se ata nuk presin momentalisht një vendim për Shqipërinë, duke shtuar se vendi ka ende “më shumë” për të bërë për t’u kualifikuar, veçanërisht në 12 kushtet e përshkruara në raport-progresin e Komisionit Evropain në tetor të këtij viti.

Nga ato që ka mësuar EurActiv thuhet se ‘drejtimi i zgjedhjeve është një çështje shqetësuese’. “Teksa vendi do të mbajë zgjedhjet parlamentare në qershor të vitit të ardhshëm, vendimi do të merret me gjasa pasi vendet e BE-së të sigurohen se standardet demokratike zgjedhore janë aplikuar dhe se votuesit janë në gjendje për të zgjedhur për një parlament dhe qeveri të re, pa tensionet e rasteve të mëparshme”,-thanë burimet.

Siç edhe është mësuar më parë të paktën një vend, Hollanda, ka kundërshtuar fuqishëm dhënien e statusit të kandidatit për Shqipërinë, teksa Ministrat e Çështjeve Evropiane pritet të diskutojnë tematikat e zgjerimit në takimin e tyre të hënën më 10 dhjetor në Bruksel.

Ndërkohë ka të ngjarë t’i hapet shansi i negociatave të pranimit Serbisë, ‘në qoftë se janë respektuar një numër kushtesh, të tilla si përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën’.

EurActiv tha se ministrat e BE-së pritet të miratojnë një tekst mbi Serbinë që do të integrohet në konkluzionet e 13-14 të samitit të dhjetorit, sipas të cilave BE-ja do të “shohë përpara për të hapur negociatat” me vendin, në bazë të kushteve që sipas diplomatëve “nuk janë të reja” për Beogradin.

Kushtet, thanë ata, ishin të zakonshme dhe përfshijnë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e popullatën serbe në Veri dhe pjesës tjetër të Kosovës, si dhe të ashtuquajturën “Menaxhimi i Integruar” i vendkalimeve kufitare në Kosovë, që do të menaxhohen bashkërisht nga pala serbe dhe ajo kosovare.

“Ne konsiderojmë se kushtet janë vendosur, tani ata kanë nevojë për t’u plotësuar. Kjo s’do të thotë që të shtohen kushte të reja ose të hiqet ndonjë prej tyre. Ne duhet të punojmë mbi bazën e asaj që është rënë dakord”,- tha për EurActiv një diplomat i rangut të lartë.

Ai shtoi se zbatimi i kushteve do ta lejojë BE-në për të avancuar në procesin e integrimit të Kosovës, si një lidhje pozitive dypalëshe që të mundësojë që të nisë një marrëveshje e stabilizim-asocimit.

Komisioni rekomandoi në tetor që Këshilli Evropian ta vendoste Shqipërinë në klubin e vendeve kandidate që tani përbëhen nga Turqia (1999), Maqedonia (2005), Mali i Zi (2008) Islanda (2010) dhe Serbia (mars 2012). Kosova dhe Bosnje Hercegovina i është premtuar perspektivë për anëtarësim në BE, por nuk kanë arritur ende në fazën e vendit kandidat. Kroacia pritet të bëhet një anëtare vitin e ardhshëm.

Dorina Bilbili/IDEA/

Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook 

Ndani me ne komentet tuaja:

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›