E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e viktimave të Gërdecit: Na pret i njëjti fat si Tushe Osmani

TIRANE – Zamira Durda, e cila humbi të birin 7-vjeçar në tragjedinë e ndodhur në vitin 2008 ne Gerdec, deklaroi se shkak për vetëvrasjen e Tushe Osmanit mund të jetë bërë humbja e shpresës për drejtësi.

Zamira Durda theksoi se i njëjti fat ndoshta i pret edhe familjarët e viktimave të tjera të ngjarjes. Në ceremoninë e djeshme kanë qenë të pranishëm përfaqësues politikë. Deputetja socialiste, Lindita Nikolli, me një grup kolegësh socialistë, fajësuan shtetin për mungesën e vëmendjes ndaj familjarëve të kësaj tragjedie.

Djali 29-vjeçar dhe mbesa e vogël janë të vetmit persona të mbetur gjallë në familjen Osmani nga Vora, pas vdekjes së vajzës në tragjedinë e Gërdecit dhe vetëvrasjes së dy prindërve. Ditën e djeshme në Vorë është zhvilluar ceremonia e varrimit të Tushe Osmanit, gruas e cila dy ditë më parë konsumoi fostoksinë, duke gjetur vdekjen.

Tushe Osmani, nëna e Resmie Osmanit, 19-vjeçares që humbi jetën në tragjedinë e Gërdecit, me sa duket nuk ka mundur ta përballojë dot më gjatë fatkeqësinë që i ka ndodhur. Dy vjet më parë edhe bashkëshorti i saj, Kujtimi, i dha fund jetës pas tragjedisë që i ndodhi së bijës.

Nga kjo familje ka mbetur vetëm djali 29-vjeçar, i cili në katër vite ka humbur tre njerëzit më të dashur. Tushe Osmani jetonte në katin e katërt të një pallati në Vorë. Pas humbjes së vajzës, Resmie Osmani, ajo kujdesej edhe për mbesën e vogël, të cilën e ëma e la vetëm 2 vjeçe për shkak të ngjarjes së ndodhur në Gërdec.

Trupi i së ndjerës është marrë nga vëllai në Tiranë, ndërsa vetëm në mesdite ajo është përcjellë në Vorë për t’u varrosur në krah të vajzës dhe bashkëshortit. Në ceremoninë e mbajtur për t’i dhënë lamtumirën e fundit 50-vjeçares, ditën e djeshme kanë qenë të pranishëm edhe familjarë të viktimave të tjera të Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›