E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro 1964, legjenda Pano “prodhon” golin e parë shqiptar në Europë



Dash Frashëri

Madhështia e finaleve të Euro 1960, prodhoi edhe audiencën katër vite më pas, në Kampionatin e dytë Europian. Nga 17 ekipe që morën pjesë në eliminatoret e Francë 1960, në Spanjë 1964 shkoi në 29 ekipe, por më të veçantën se skuadra e 30-të përfaqësuese, Greqia nuk pranoi të luante me Shqipërinë. Surpriza e madhe e ka emrin Luksemburg. “Liliputët” eliminuan një gjigant si Holanda (1-1, 2-1), përpara së të eliminoheshin në çerekfinale nga Danimarka me një ndeshje të tretë ekstra (3-3,2-2, 0-1), që kishte eliminuar nga e saj në çerekfinalet eliminatore pikërisht Shqipërinë, për të përfunduar e katërta në Europë.
Në finale mbërritën Bashkimi Sovjetik, Spanja dhe Hungaria. Në gjysmëfinale Bashkimi Sovjetik shkatërroi Danimarkën 3-0 në “Kamp Nour” të Barcelonës dhe Spanja mposhti 2-1 pas 120 minutave lojë Hungarinë në “Santiago Bernabeu” të Madridit. Në prami të më shumë se 79 mijë shikuesve në “Santiago Bernabeu”, Spanja mundi 2-1 Bashkimin Sovjetik me një gol të minutave të fundit të realizuar nga Marcelino.
SHQIPËRIA NË EURO 1964
45 vjet më parë, më 29 qershor 1963 në Kopenhagen nisi edhe aventura e Shqipërisë në Kampionatet Europiane, atë Euro 1964, finalet e të cilit u zhvilluan në Spanjë, dhe u fituan po nga toreadorët. Në fakt, shorti i eliminatoreve të Euro 1964, e vuri Shqipërinë përballë Greqisë, por fqinjët tanë refuzuan të luanin kundër nesh, duke vendosur si pretekst “Ligjin e luftës”, që ekzistonte midis dy vendeve. Me një “kualifikim” të dhuruar, kombëtarja jonë u vu përballë Danimarkës në Kopenhagen, njëherësh edhe ndeshja e parë e luajtur në fushë në Kampionatin Europian. Humbje shokuese 4-0, më 29 qershor 1963, ku goli i parë i danezëve si për “tersllëk” u realizua nga pika e bardhë nga ana e Jens Petersenit (16’). Madsen (35’), Klauzen (40’) dhe Enoksen (49’) mbyllën hesapet me portierin Sulejman Maliqati dhe skuadrën e trajnerit Loro Boriçi në aventurën e parë. Katër muaj më pas, më 30 tetor 1963, Shqipëria u paraqit në “Qemal Stafa” me Zyber Konçin në bankinë dhe Shefqet Topin në portë. Entuziazmi i jashtëzakonshëm në një stadium tërësisht të shitur prodhoi edhe golin e parë historik të Shqipërisë në Europë. Goli i parë i në eliminatoret e një Kampionati Europian i përket legjendës Panajot Pano (atëherë 24 vjeç), vetëm tre minuta nga fillimi i takimit, i cili vulosi edhe fitoren e parë të Shqipërisë në Europë. Për “sportistin shqiptar të shekullit të kaluar” ai konsiderohet edhe si goli më i bukur i i tij, që përkoi me ndeshjen e parë me përfaqësuesen, karrierë që përfundoi pas 20 vjetësh, më 7 nëntor 1973, në ndeshjen miqësore me përfaqësuesen kineze. Në 24 ndeshje (12 për kampionatet europiane) “Pushkashi i vogël” shqiptar realizoi 4 gola me përfaqësuesen dhe nga 34 gola ndërkombëtarë të “stilit Pano” me Kombëtaren, Tiranën e Partizanin, ku 11 gola i përkasin “vitit të artë 1963”.
Sa për statistikë nga takimi i parë kundër Danimarkës në Kopenhagen, që nisi me një humbje 4-0 dhe deri te ai i fundit, 44 vjet më pas, ai me Rumaninë të përfunduar po më një humbje 6-1 në Bukuresht, Shqipëria ka zhvilluar 73 ndeshje, një më pak se ato në eliminatoret e kampionateve Botërore, 74. Bilanci i Shqipërisë në ballafaqimet në kampionatet Europiane ofron këto statistika: 10 fitore, 7 barazime, 57 humbje; 47 gola të shënuar dhe 151 të pësuar (- 104, diferenca e golave).

Euro 1964
29 qershor 1963
Danimarkë-Shqipëri 4-0
Golat: Jens Petersen 16' pen, Ole Madsen 35', Eyvind Clausen 40', Henning Enoksen 49'
30 tetor 1963
Shqipëri-Danimarkë 1-0
Golat: Panajot Pano 3’

“Europianët” e parë kuqezinj
Danimarkë-Shqipëri 4-0
Sulejman Maliqati, Fatbardh Deliallisi, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Gëzim Kasmi, Lin Shllaku, Lorenc Vorfi, Mehdi Bushati, Pavllo Bukoviku, Panajot Pano, Fiqiri Thoma Duro. Trajner Loro Boriçi.
Shqipëri-Danimarkë 1-0
Shefqet Topi, Fatbardh Deliallisi, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Ali Mema, Lin Shllaku, Andon Zaho, Mehdi Bushati, Panajot Pano, Pavllo Bukoviku, Enver Ibërshimi. Trajner Zyber Konçi.

“Rastësia”, 10 fitore

Përbën vërtet një statistikë interesante. Shqipëria si në 73 ndeshjet e zhvilluara në kualifikueset e kampionateve europiane, ashtu dhe në 74 takimet eliminatoret për Kupën e Botës ka arritur një numër të barabartë fitoresh: nga 10.

Më mirë në Europë

Shqipëria ka një bilanc më të mirë rezultatesh në ndeshjet kualifikuese të Europianit: 73 ndeshje, 10 fitore, 17 barazime, 46 humbje. Në eliminatoret për Kupën e Botës: 74 ndeshje, 10 fitore, 7 barazime, 57 humbje.

26 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›