E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengu i dritës

Jam i shtrënguar që të përpiqem të gjej fjalët e kursyera për të treguar pragun që duhet kapërcyer, qoftë për të dalë në atë pikë, ku drita për vështrimin nuk e shenjon më pengesën si “pengesë”, qoftë edhe për të hyrë në thellësitë e vetvetes, ku ndr

Fatmir S. BAÇI

Ajo, së cilës do të përpiqem t’i përqasem, është në fakt vetëm një zhvillim i asaj që përgjithësisht e kuptojmë të gjithë, edhe pse fjala rreth kësaj teme e ka të vështirë rrugën deri tek artikulimi. Pra, “Të jesh” është vetëm një ekzistencë vetmitare dhe banale, apo një vazhdimësi stacionare prej diku për më tej?
Vështruar në aspektin e kohës së objektivizuar prej arsyes (e vetmja që njohim dhe pranojmë me kahje të përcaktuar nga e kaluara në të ardhme), qenësia në kuptimin më të rëndomtë ka dy shenjime të dallueshme për të gjithë: lindjen dhe vdekjen. Gjithçka ndërmjet rezulton jo e kushtëzuar prej kufijve të sipërpërmendur, bile as ata vetë nuk e kushtëzojnë dhe as e përjashtojnë njëri-tjetrin.
Me fjalë të tjera, lindja, jeta dhe vdekja na paraqiten si akte të pavarura ndërmjet tyre në lidhje me vetë aktin e vështrimit analitik të së tërës. Konkretisht, nëse dikush lindi në një orë x, në javën x, të muajit x, etj., në kohë me shi, diell, etj., lindi në shtëpi, spital etj., të gjitha këto nuk janë kushtëzuese për jetën, të cilën e jeton i kënaqur ose jo, i shoqërueshëm apo vetmitar, etj., e më në fund, të gjitha këto bashkë nuk përbëjnë asnjë rrethanë kushtëzimi për vdekjen, e cila pa dyshim do të vijë në çastin e duhur dhe në vendin e duhur: de uno modod nascitur, multis moritur – lindim në një mënyrë, në shumë të tjera vdesim – tingëllon një thënie e urtë latine.

* * *
Arsyeja dhe proceset që ajo vë në lëvizje e nëpër të cilat kalon, rreh gjithnjë të rrokë dhe të gjykojë në bazë të një sistemi paraprak kategorish dhe klasash të krijuara paraprakisht, ndonëse të lidhur ngusht ndërmjet tyre, “rrokja” dhe “gjykimi” janë dy hallka të dallueshme të arsyetimit, rreptësisht të ndara; madje, secila prej tyre jeton dhe lëviz në vetmësinë dhe vetminë e vet.
Kështu që, nëse shmangim një mori detajesh të panevojshme për këtë temë, arsyetimi nuk mund të na thotë më shumë se kaq në lidhje me lindjen, jetën e vdekjen.
Mirëpo, a i mjafton njeriut vetëm kjo arsye naive për qenësinë kur, i parë në vija të trasha, ky lloj empirizmi nuk është i aftë të bëjë as edhe dallimin më të thjeshtë, por gjithsesi të domosdoshëm: të paraqesë veçorinë dalluese të njeriut dhe veçimin e tij nga kafsha? Kjo, pasi i njëjti empirizëm (sipas të gjitha të dhënave shkencore), është gjithashtu evident te të gjitha gjallesat, në mos edhe shumë më i sukseshëm sesa te njeriu.
Theksoj këtu se e gjitha, për sa më sipër në lidhje me kohën, ka të bëjë vetëm me jetën e një njeriu e vështruar kjo nga këndi më i rëndomtë, ku nuk mund të gjallojnë kuptimet në të qenit fisnik, as merret në konsideratë transhendentja (përtejësia), dhe as aspirata për pëjetësinë, për fokusimin e të cilave do të përpiqem të shtjelloj deri diku, pa pretendimin e ofrimit të shtjellimit shterues, në rreshtat e mëposhtëm.
Vetëm në hapësirë apo në kohë të hapësirëzuar, qoftë kjo edhe sipas pikëpamjes dhe sjelljes konceptuale të materializmit dialektik marksist, arsyeja është në gjendje të përmbushë disa nga objektivat e saj në lidhje me qenësinë. Por edhe pse nuk mund të mohojmë faktin se është tentuar të shkohet larg në këtë drejtim, mikroskopët e fuqishëm dhe eksperimentet e shumta nuk premtojnë se do të mund të na tregojnë më shumë sesa një larushi krahasimesh, e vërteta kjo mjaft e përciptë që të mund të mbulojë, le pastaj të mund të paqëtojë, thellimet e shpeshta të secilit.
Diçka e tillë rezulton mjaft e cekët për të qenë përcaktuese në lidhje me qenësinë dhe aktet e kuptueshme të saj, lindjen, jetën e vdekjen, pasi vetë krahasimi nuk është gjë tjetër, veçse tregues i qartë i sipërfaqësisë pa thelb edhe atëherë, kur bëhet fjalë për krahasime të objekteve pa jetë. Ndërsa kur flitet për ekzistencën e njeriut dhe jetën në përgjithësi, gabimi i mësipërm dhe mendjelehtësia e pranimit të këtij gabimi, por pa e pranuar gabimin si të tillë, bën që lajthitja të shumëfishohet me shifra marramendëse dhe, në secilin hap që pason, vetëm sa i largohet mundësisë për të qetësuar stuhinë brenda nesh.
Një faktor tjetër, që e lëkund edhe më shumë këtë përcaktim të dobët të arsyetimit, është se hapësira na paraqitet tmerrësisht e ndryshueshme, ndërsa njeriu dendësisht në lëvizje. Pra “Të jesh”, edhe në hapësirë është vetëm gjendje kalimtare, gati e paklasifikueshme në të qenit rregull ose, të paktën, nuk është rregull i kontrollueshëm prej arsyes njerëzore. Duke i shtuar kësaj faktin se këto rreshta kanë për qëllim “qenësinë” në vetën e parë, diferencat thellohen edhe më tepër, pasi përcaktimi në hapësirë është vetëm dhe gjithmonë për dikë tjetër. Dija për veten përmes asaj që mund të pikasin të tjerët dhe shqisat e kujtdo nga jashtë që mund të të ofrohet si ndihmë për të kuptuar se “Je”, janë gjithmonë të pjesëshme, të pakuptueshme si mënyrë e tjetrit, për rrjedhojë, edhe të pamjaftueshme.

* * *
Meqenëse trajtesa e mësipërme i takon një libri, jam i shtrënguar që të përpiqem të gjej fjalët e kursyera për të treguar pragun që duhet kapërcyer, qoftë për të dalë në atë pikë ku drita për vështrimin nuk e shenjon më pengesën si “pengesë”, qoftë edhe për të hyrë në thellësitë e vetvetes, ku ndriçimi nuk është më thjesht dhe vetëm dritë.
Disa e vëzhgojnë dritën me tejqyrën e përvojës dhe të arsyetimit për të, duke thelluar kësisoj dallimet dhe konkurrencën ndërmjet dallimeve, ndërsa disa të tjerë e vërejnë përmes meditimit në lidhje me kumtin dhe, prej këtij të fundit, përpiqen të paqëtojnë arsyen dhe dallimet që ofron ajo.
Të gjithë ne, dashur pa dashur, jemi gjithsesi “peng” të asaj drite që na rrethon së jashtmi, dritë e cila na zhvillon kryesisht shqisat me kuptimet dhe moskuptimet tona, që përmes tyre të mund të vështrojmë dhe përdorim kësisoj botën që na rrethon.
Por fakt është, gjithashtu, se drita që kupton arsyeja nuk është po ajo me të cilën zgjohet kumti dhe përmes saj dritësohet bota e njeriut brenda vetes. Kjo dritësi është e vetmja me të cilën bëhet dhe veçohet identiteti i secilit, gjë që edhe pse tejet e rëndësishme për këdo, shpesh e madje mjaft shpesh, e lëmë atë larg meditimit, diku në periferi të përparësive tona apo edhe tërësisht në harresë.
Drejtimet e vështrimeve të mësipërme janë tërësisht të ndryshme, pasi të parët përdorin të tashmen, kryesisht përmes përzgjedhjes në kujtesë, duke i përshtatur ato me reflekset e lindura, ndërsa të dytët e përdorin të tashmen në lidhje me shpresën në të ardhmen, duke shmnagur veten, me aq sa është e mundur, nga reagimi përmes reflekseve dhe instikteve, vetëmbrojtëse ose jo, kjo është tjetër çështje.
Të parët i referohen kryesisht një sistemi të ngurtë, siç është e kaluara me të gjitha mitet që e shoqërojnë atë, ndërsa të dytët mëtojnë të mbajnë zgjuar atë sistem ku merr kuptim premtimi qiellor brenda qiellores së njeriut, përmes të cilit gjykojnë të kaluarën e vet, kujdesen për të tashmen dhe shpresojnë për të ardhmen. (Fragment)

26 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›