Teuta mbijeton në Superligë
Teuta ia doli pas 120 minutave të mbijetojë në Kategorinë Superiore, pasi mposhti 2-1 në “play-out” Burrelin e Kategorisë së Parë në takimin e zhvilluar në “Qemal Stafa”, me një penallti të realizuar nga Bledar Hodo në minutën e 114-të, kur dy ekipet e mbyllën me nga 10 lojtarë.
Ashtu si dy sezone më parë, kur Teuta e drejtuar nga Alfred Ferko fitoi me Skënderbeun e mbijetoi në Superligë, edhe në këtë “ekstra”-fundsezoni përvoja e 3-herë fituesve të Kupës së Shqipërisë të drejtuar nga Kristaq Mile, vendosi jo pak.
Një takim me ritëm të ngadaltë loje, kjo dhe për shkak të temperaturës së lartë së motit, por që gjithsesi në faza të caktuara shfaqi edhe shenja të një futbolli të pranueshëm, për Teutën në pjesën e parë dhe Burrelin në të dytën, ndërsa shtesat prodhuan tension, teksa u hodh ideja e një braktisje nga ana e Burrelit, pas penalltisë së dhënë nga gjyqtari Sokol Jareci për Teutën shtatë minuta nga përfundimi i 120 minutave, ku u dhanë nëntë kartonë të verdhë e dy kartonë të kuq .
Mbrojtësi shtatlartë Dushku shfrytëzoi në maksimum harkimin nga e majta e sulmit durrsak me anë të Ilirjan Çaushajt, e duke realizuar golin e parë në minutën e 7-të për blutë e Kristaq Miles. Skuadra matjane e udhëhequr nga kapiteni Xhetani në fushë e Përparim Daiu në bankinë mbeti e shokuar nga goli i shpejtë.
Mile pati edhe një rast të mirë në minutën e 28-të, por lojtari i huazuar nga Dinamo u tregua konfuz. Burreli pati një mundësi të artë në të 30’, por Rada nuk u tregua i vëmendshëm përballë portierit Vashaku.
Në pjesën e dytë në “Qemal Stafa”, matjanët ishin më entuziastë në kërkim të golit të dëshiruar e duke prodhuar emocione për shikuesit e paktë, por edhe ndonjë teprim fjalori.
Xhetani ngulmoi dhe një mbrojtës durrsak, mund të kishte shkaktuar autogl, por falë reflekseve të Vashakut, topi u devijua në goditje këndi. Buna, Xhixha, Uka e Xhetani patën disa momente të mira përballë një Teutë të lodhur në fraksionin e dytë. Gjithsesi Burreli i Kategorisë së Parë mundi të prodhojë golin e dëshiruar, në sekondat e fundit të shtesës katër minutëshe: 1-1. Xhetani kombinoi me Xhixhën, i cili më një gjuajte tokazi, duke sjellë edhe golin e barazimit, atëherë kur askush nuk e priste.
Mehmeti për Teutën pati mundësi për të kaluar në avantazh në fillim të shtesës së parë, por ishte Uka i Burrelit, i cili me portën e boshatisur pas gabimit të portierit Vashaku, bëri më të vështirën duke e çuar sferën mbi tra. Në fraksionin e dytë të shtesës durrsakët patën një rast të artë, kur një futbollis i saj goditi shtyllën, por portieri Haxhiaj i Burrelit, bëri mrekullinë, duke e dërguar në goditje këndi. Një minutë më pas, në të 114’ Haxhiaj ndërpreu Mirel Çotën në zonën dhe Jareci akordoi penallti për Teutën, e duke ndëshkuar me karton të kuq portierin e Burrelit. Drejtuesit matjanë protestuan ashpër, madje u hodh edhe ideja e braktisjes së fushës, në shenjë revolte. Gjithesi, reflektimi i stafit të Burrelit se i priste një ndëshkim i rëndë, i riktheu në fushë, teksa mesfushori Xhixha luajti në minutat e mbetura në rolin e portierit.
Te pika u bardh u shfaq Bledar Hodo. Topi goditi shtyllën e më pas pushoi në portë për të sjellën edhe golin që mbijetoi Teutën në Kategorinë Superiore. Pas këtij momenti ka kohë edhe një karton të kuq për Likmetën e Teutës, për të vendosur edhe ekuilibrat në fushë përsa i përket numrit të lojtarëve. Jakupi i Burrelit gjuajti bukur në ecje e sipër ngjitur me shtyllën pingule.
Gjyqtari i takimit, ndërkombëtari Sokol Jareci, i cili testoi për herë të fundit në një ndeshje të kampionatit shqiptar, u tregua i “pamëshirshëm” ndaj faulleve të lojtarëve. Katër kartonë të verdhë për Teutën dhe 2 për Burrelin, përpara se gjyqtari me stemën e FIFA-s e të gjykojë ndeshjen miqësore ndërkombëtare të nivelit të lartë, Spanjë-SHBA (4 qershor 2008), përpara se Spanja të nisë aventurën e saj në finalet e Euro 2008.
PLAY-OUT PËR SUPERLIGËN
Teuta-Burreli 2-1
Shënues: Dushku 7’, Hodo 114’ /Xhixha 93’
Gjyqtar: Sokol Jareci
Kartonë të verdhë: Dushku (T), Buna (T), Hodo (T), Likmeta 2 (T)/ Xhixha (B), Xhetani (B), Stafa (B)
Karton i kuq: Likmeta (T) 116’ /Haxhiaj (B) 113’
Kastrioti - Lushnja
Kastrioti e Lushnja do të luajnë të dielën në “Qemal Stafa” ndeshjen play-out, që sipas stafeve të dy klubeve vlen sa për gjithë sezonin, pasi fituesi i këtij çifti do të luajë sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore.
KASTRIOTI – Skuadra krutane ia doli të zërë një vend në zonën play-out në Kategorinë Superiore edhe pse i luajti të gjitha takimet jashtë fushës së tij, për shkak të rikonstruksionit të stadiumit. Kastrioti, që zuri vendin e 9-të në renditjen e përgjithshme të Superligës, ka disa lojtarë cilësorë brenda grupit si Rizvanolli, Gallo, Turdiu.
LUSHNJA – Me dy lojtarë me përvojë si Bardhyl Elezi e sulmuesi
kavajas Dorian Bubeqi, por edhe me Sefën, Spahon e Dhimën, verdhejeshilët e trajnerit Artan Bano, besojnë te fitorja kundër Kastriotit, çka do ti ringjiste klubin e themeluar në vitin 1926 mes 12 skuadrave më të mira të Shqipërisë pas dy vite mungesë, kur për herë të fundit në Superligë ka luajtur në sezonin 2005-2006.
Agim Canaj, trajneri i ri i Vllaznisë
Agim Canaj është zyrtarisht trajneri i ri i Vllaznisë, duke mposhtur rivalin e tij, malaziasin Dervish Haxhiosmanoviç, me të cilin fitoi edhe Kupën e Shqipërisë. Prezantimi ish-trajnerit të Dinamos u bë sot nga presidenti skuadrës shkodrane Valter Fushaj. Vlonjati Canaj njihet për eksperiencën e tij, teksa më para ka drejtuar Flamurtarin, Shkumbinin, Skënderbeun, Besën e Dinamon, me të cilën ka dalë edhe si lojtar kampion.
Vllaznia, që fitoi për herë të gjashtë në historinë e saj, Kupën e Shqipërisë do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Kupës UEFA. Sipas Fushaj, objektivi i skuadrës kuqeblu është kalimi i një turi në UEFA. Sezonin e kaluar Vllaznia kaloi një tur në Kupën Intertoto, ku eliminoi në të parin kroatët e NK Zagreb.
U-19, Shqipëria barazon 2-2 me Sllovakinë
Shqipëria U-19 arriti një barazim 2-2 të merituar me Sllovakinë U-19 në takimin e luajtur në e të vlefshëm për grupin 4 të Elite Round. Të katër golat u realizuan në pjesën e parë, por i veçantë është se Shqipëria kaloi dy herë në avantazh. Në kompanitë më të mëdha të basteve favorit i pastër për fitimin e ndeshjes ishte Sllovakia: 1.35 (Bëin), ndërkohë që Shqipëria kuotohej për fitoren 8.00. Barazimi: 4.00. Në ndeshjen e parë Shqipëria e drejtuar nga Ramadan Shehu humbi 2-0 me Gjermaninë e Horst Hrubeshit. Sllovakia arriti nga ana e saj barazimin e dytë, pas atij me Kroacinë (1-1), që barazoi po sot me Gjermaninë (2-2). Takimi i tretë dhe i fundit për Kombëtaren tonë të vogël do të jetë ai kundër Kroacisë.
Ndeshjet e Shqipërisë
Gjermani-Shqipëri 2-0
Sllovaki-Shqipëri 1-1
Kroaci-Shqipëri, 27 maj
Renditja
Ekipet Nd P
Gjermania 2 4
Kroacia 2 2
Sllovakia 2 2
Shqipëria 2 1
Polonia fitoi 1-0 me Schaffhausen
Polonia, kundërshtarja e Shqipërisë në miqësoren e 27 majit, regjistroi një fitore minimale në testin me Schaffhausen,
edhe pse trajneri holandez Leo Beenhakker kishte orientuar skuadrën e tij të me një profil të qartë sulmues. Golin e vetëm të takimit e shënoi futbollisti Jacek Krzynoëek, i cili luan me Ëolfsburgin në Bundesligë. Beenhakker i provoi të 26 lojtarët që kishte në dispozicion. Kundër Schaffhausen, skuadër e kategorisë së dytë zvicerane, Shqipëria fitoi 3-1 në testin e parë të trajnerit holandez Arie Haan. Golat për ekipin tonë u shënuan nga Hamdi Salihi, Erion Bogdani dhe Edmond Kapllani, i cili realizoi një eurogol. Më 27 maj, në Reutlingen të Gjermanisë përveçse do të kemi një sfidë miqësore Poloni-Shqipëri, do të kemi edhe një miniduel trajnerësh holandezë: Leo Beenhakker vs. Ari Haan.
Jonid Toska e Apolonia kampionë
Çiklisti i Apolonisë, Jonid Toska është fituesi i Rrethit të 65-ë Çiklistik të Shqipërisë, ndërkohë që skuadra fierake u shpall edhe kampione e rrethit. Çiklisti Ervin Harxhi i Teutës fitoi etapën e fundit Pogradec-Tiranë (140 km).
Monako me “drita të kuqe”
Felipe Masa fitoi “pole position” në Çmimin e Madh të Monakos dhe të dielën do të niset i pari në garën e gjashtë të Kampionatit Botëror të Fomula 1. Braziliani i Ferrarit me kohën 1:15,787 arriti “pole position” e tretë sezonal (i 12-ti në total) me një kohë më të mirë prej 0,028 sekonda se finlandezi Raikonen, njëherësh edhe kampioni në fuqi i botës dhe lideri i kampionatit aktual. Dy makina në rreshtin e parë në Monako për Ferrarin nuk ndodhte që nga viti 1979, kur ia dolën dy pilotët e asaj kohe Jody Scheckter e Gilles Villeneuve, ndërsa më parë e kishin arritur edhe Niki Lauda e Clay Regazzoni në vitin 1974 dhe 1976.
Rreshti i dytë është i tëri i skuderisë anglo-gjermane McLaren-Mercedes: Leëis Hamilton, i treti dhe Heikki Kovalainen i katërti. Kampionati kryesohet nga Raikonen me 35 pikë, ndërkohë që Masa dhe Hamilton ndajnë vendet 2-3 me pikë të barabarta, nga 28.
26 Maj 2008