E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro 1968, Shqipëria eliminon Gjermaninë

Për Shqipërinë, Euro 1968, do të kujtohet si një nga kulmet e futbollit shqiptar. Nëse në Euro 1964 kaluam "traun" helen, pasi Greqia refuzoi të luante me Shqipërinë, e më pas Panajot Pano me golin e tij kundër Danimarkës, firmosi edhe fitoren e parë në Europë, në Kampionatin e tretë Europian, kuqezinjtë e drejtuar nga Loro Borici arritën rezultatin më të rëndësishëm në Europë, teksa me barazimin 0-0 në Tiranë, i "hoqën qafe" Italisë, kampiones së ardshme të Euro 1968, një nga pretendentët më të mëdhënj, Gjermaninë.
PAGËZIMI "KAMPIONATI EUROPIAN"
Pas organizimit të Kampionatit të dytë Botëror të futbollit në vitin 1934, 34 vjet më pas Italia organizoi për herë të parë Kampionatin Europian të vitit 1968, njëherësh edhe Kampionati i tretë i organizuar nga UEFA, teksa dy të parët ishin organizuar në Francë (1960, kampion ish-Bashkimi Sovjetik) dhe Spanjë (1964, kampion vendi organizator).
Finalet italiane u zhvilluan brenda pesë ditëve, nga 5 deri më 10 qershor 1968, dy ditë më shumë nga sa ishte parashikuar, kjo edhe për faktin se u luajtën dy ndeshje finale. Ishte ky kampionat, që në fakt mori edhe emrin zyrtar që e njohim të gjithë: Kampionati Europian, pasi në dy të parët ishte identifikuar si Kupa e Kombeve të Europës.
Por, ky nuk ishte ndryshimi i vetëm. Edhe struktura e kualifikueseve pësoi modifikime: ekipe të ndara në grupe, me dy ndeshje, në shtëpi e transfertë në periudhën 1968-1968. Cerekfinalet u luajtën në vitin 1968 dhe finalet në qershor 1968. Tetë grupe kualifikuese me katër ekipe, përvec grupit 4, i përbërë nga tre ekipe, ku bënin pjesë Shqipëria, Gjermania e Jugosllavia. Atëherë fitorja konsiderohej dy pikë, barazimi 1 pikë, dhe humbja 0 pikë. Cerekfinalistët luanin ndeshje vajtje-ardhje, ndërsa fituesit u bënë pjesë e finaleve të turneut.
Vendi organizator i kampionatit u bë i ditur pas raundit kualifikues, që do të thoshte se Italia, më parë duhej të kalonte fazën eliminatore, përpara se të merrte pjesë në fazën finale.
Italia, Jugosllavia, Anglia dhe ish-Bashkimi Sovjetik morrën pjesë në fazën e më të mirave.
SHQIPËRIA ELIMINON GJERMANINË
Shqipëria bënte pjesë pikërisht në grupin 4, i vetmi me tre ekipe, kur shtatë të tjerë ishin të gjithë me katër. Përballë kombëtares sonë dy kundërshtarë të mëdhenj: Gjermania, kampione botës në vitin 1954 dhe Jugosllavia, që do të mbërrinte më pas deri në finalen e Euro 1968. Në katër ndeshje nuk arritëm të shënonim asnjëherë, teksa pësuam 12 gola.
Por, pikërisht në këto eliminatore është arritur edhe një nga rezultatet më të mëdha të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, i cili solli edhe fundin e aventurës nëj kolosi si Gjermania në kualifikueset e Euro 1968.
Është pikërisht barazimi i vetëm i Shqipërisë në 14 takime të luajtura historike me Gjermaninë, në debutimin e saj të parë në një Kampionat Europian. Një barazim 0-0 në Tiranë, si hakmarrje e asaj humbje poshtëruese 6-0 në Dortmund, pikërisht në ndeshjen hapëse eliminatore të turneut e ku, Gerd Myleri i famshëm, 7-herë golashënuesi më i mirë i Gjermanisë, 1-herë i Botërorit 1970 dhe 1-herë i Europianit 1972, në debutimin e tij me fanellën e Gjermanisë na shënoi jo pak, por 4 gola.
Sulmuesi i Këlnit, Johanes Lohr me dy golat e tij, kompletoi "shifrën tenistike". Jugosllavia, të cilës i kishim hequr nga duart titullin e Ballkanit në vitin 1946, na mposhti dy herë: 2-0 në Tiranë dhe dyfishin në Beograd, 4-0.
19 lojtarë përdori trajneri i madh shqiptar Loro Borici gjatë katër takimeve, ku spikasin 3 portierë të ndryshëm: Mikel Janku (portier), Koco Dinella (portier), Jani Rama (portier), Fatmir Frashëri, Ali Mema, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Josif Kazanxhi, Niko Xhacka, Skënder Hyka, Panajot Pano, Sabah Bizi, Bahri Ishka, Frederik Gjinali, Lin Shllaku, Medin Zhega, Lorenc Vorfi, Foto Andoni e Gani Xhafa.
EURO 1968, "KOKË A PIL"
Në vitin 1934, kur Italia fitoi për herë të parë Kampionatin Botëror, një përqindje në trofeun e fituar kishte edhe klima fashiste e regjimit të Benito Musolinit, por fitimi i titullit të parë të Kampionatit Europian, ishte krejtësisht një cështje fati.
Edhe në këto finale vetëm katër vende morrën pjesë për të diskutuar titullin. Edhe pse ishin parashikaur 4 takime, u luajtën 5 të tilla, me të vecantën se u luajtën dy takime finale. Përvec dy gjysmëfinaleve dhe një ndeshje për vendin e tretë.
Shorti e vuri Italinë përballë Bashkimin Sovjetik. Pas 120 minutave ndeshja në "San Paolo" të Napolit (68 mijë shikes) përfundoi pa gola: 0-0. Për të vendosur fituesin u aplikuan jo gjuajtjet e penalltive, një rregull i vendosur më vonë, por hedhja e monedhës, duke e përcaktuar më parë secili kapiten anën e saj. Pra një lojë "kokë a pil". Fati i buzëqeshi Italisë, pasi kapiteni rus Albert Shesternvoi zgjodhën anën e gabuar.
Rendimenti i golave ishte shumë i ulët: në total 5 gola në katërt takime, ndërsa jugosllavi Dragan Xhajic ishte edhe shënuesi më i mirë me 2 gola. Në gjysmëfinalen tjetër Jugosllavia fitoi 1-0 me Anglinë me golin e vonshëm të Xhajic (87'), i cili fitoi edhe "këpucën e artë", me vetëm dy gola të realizuar. Vendi i tretë u fitua nga Anglia, që mposhti Bashkimin Sovjetik: Bobi Carlton në të 39' dhe Geof Hurst në të 63'.
Edhe finalja Itali-Jugosllavi është një histori më vete. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë: Xhajic realizoi për jugosllavët në minutën e 39-të, ndërkohë që Italia barazoi vetëm dhjetë minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt me Domenghinin (80'). Shtesat nuk e ndryshuan rezultatin, dhe në vend të zgjedhjes së fituesit me hedhjen e monedhës, dy ditë më pas u luajt një finale e dytë, po në Romë.
Italia e udhëheque nga legjendari Xhacino Faketi e Dino Xof në portë fitoi takimin e dytë Jugosllavisë 2-0, me gola të Rivës (12') dhe Anastasit (31). 55 mijë shikues ishin të pranishëm në stadiumin "Olimpik" të Romës, në triumfin e parë të Italisë në Europë.

SHQIPËRIA
NË EURO 1968

Eliminatoret, Grupi 4
Gjermani-Shqipëri 6-0
Shqipëri-Jugosllavi 0-2
Jugosllavi-Shqipëri 4-0
Shqipëri-Gjermani 0-0
Gjermani-Jugosllavi 3-1
Jugosllavi-Gjermani 1-0
Renditja
Jugosllavia 6
Gjermania 5
Shqipëria 1

"Europianët" kuqezinj

Gjermani-Shqipëri 6-0
SHQIPËRIA: Mikel Janku, Fatmir Frashëri, Ali Mema, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Josif Kazanxhi, Niko Xhacka, Skënder Hyka, Panajot Pano, Sabah Bizi, Bahri Ishka. Tr. Loro Borici.
Shqipëri-Gjermani 0-0
SHQIPËRIA: Koco Dinella, Frederik Gjinali, Frederik Jorgaqi, Lin Shllaku, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Ali Mema, Josif Kazanxhi, Sabah Bizi, Panajot Pano, Medin Zhega. Tr. Loro Borici.
Shqipëri-Jugosllavi 0-2
SHQIPËRIA: Mikel Janku, Fatmir Frashëri, Josif Kazanxhi, Teodor Vaso, Ali Mema, Lin Shllaku, Lorenc Vorfi, Medin Zhega, Panajot Pano, Ramazan Rragami, Niko Xhacka. Tr.: Loro Borici.
Jugosllavi-Shqipëri 4-0
SHQIPËRIA: Jani Rama, Frederik Jorgaqi, Gani Xhafa, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Lin Shllaku, Panajot Pano, Ali Mema, Medin Zhega, Sabah Bizi, Foto Andoni. Tr.:Loro Borici.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›