E Diel, 1 Nëntor 2026

Euro 2012, Spanja nis mbrojtjen e titullit



Shtatë javë dhe pesë ditë pas fitimit të Kampionatit Botëror në Johanesburg, Spanja e Vinsente del Boskes, kampione e Europës dhe e botës, do ta nisë fushatën kualifikuese të Euro 2012-s me një kundërshtar më se modest, Lihteshtejnin, në një stadium që ka një kapacitet prej 6127 vendesh.
Për Spanjën, ky është starti për mbrojtjen e titullit europian të fituar në Vjenë dy vjet më parë. Me kurorën botërore gjithashtu në kokë, Spanja synon të behët ekipi i parë në botë që fiton dy herë rresht kampionatin europian, diçka që Gjermania dështoi në vitin 1976 përballë Çekosllovalisë, pasi ajo kishte fituar më parë Europianin (1972) dhe Kupën e Botës (1974).
Spanja është e bindur në një hapje pozitive në programin e saj në grupin I, duke i fituar të katër takimet e mëparshme me Lihteshtejnin pa pësuar qoftë dhe një gol. E njëjta gjë dhe për Holandën, finalisten e Botërorit, që do të startojë fushatën e saj në grupin E në transfertë kundër San Marinos, dhe ashtu si Spanja me Lihteshtejnin, të cilën e kanë mundur katër herë pa pësuar qoftë dhe një gol deri tani.
Gjermania, finalistja e humbur e Euro 2008-s, synon të bëjë një fushatë më të mirë në Europianin e Polonisë dhe Ukrainës, duke besuar të paraqitjet e saj premtuese në Afrikën e Jugut dhe të bollëku i talenteve të rinj që fituan vitin e kaluar Kampionatin Europian U-21. Formacioni i Johakim Lëvit e nis fushatën në grupin A me udhëtimin në Belgjikë, testi i parë serioz për belgët, qysh kur Xhorxh Likens mori për herë të dytë drejtimin e Kombëtares. Për të njëjtin grup, Gus Hidink i Turqisë synon një fitore të lehtë në Kazakistan, ndërkohë ish-ekipi i tij, Rusia, tashmë nën drejtimin e një tjetër holandezi, Dik Advokat, do të udhëtojë në Andorrë për ndeshjen e grupit B.
Grupi C i ka filluar tashmë ndeshjet, me Estoninë që ka fituar 2-1 kundër Ishujve Faroe. Tani Estonia synon të bllokojë Italinë, në ndeshjen e parë të “azurrëve” të drejtuar nga trajneri i ri Sezare Prandeli, i cili kërkon të përmirësojë imazhin e skuadrës pas humbjes në miqësoren me Bregun e Fildishtë. Ashtu si Italia, edhe Franca kërkon të lërë pas figurën e keqe që bëri në Kupën e Botës. Trajneri i ri, Lorent Blank, thirri një skuadër krejtësisht të re në miqësoren e humbur kundër Norvegjisë, por tani në ndeshjen zyrtare kundër Bjellorusisë në Paris në grupin D (ku bën pjesë dhe Shqipëria) synon të marrë pikë të plota.
Ndeshja e parë e 23 takimeve të kësaj fundjave është ajo e së enjtes mbrëma, kur në grupin F do të përballen Izraeli me Maltën. Njëzet e katër orë më pas, kampionia e vitit 2004, Greqia, tashmë nën urdhrat e trajnerit të ri, Fernando Santos do të përballet me Gjeorgjinë e teknikut Temuri Ketsabia. Anglia e Fabio Kapelos kërkon të lerë pas atë paraqitje të zbehtë në Kupën e Botës, me një fitore në shtëpi kundër Bullgarisë, ndërkohë që Portugalia do të synojë të përmbushë objektivin e saj më një start fitues kundër Qipros në Guimares.

31 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›