E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në PD, në shtator do të nisë beteja për sekretarin e Përgjithshëm



Me nisjen e sesionit të ri parlamentar pritet që partia më e madhe në pushtet të ndërmarrë një fushatë ndryshimesh brenda saj. Burimet kanë bërë të ditur se pikërisht brenda këtij muaji do të mblidhet Këshilli Kombëtar, i cili do të konstituojë anëtarët e rinj të zgjedhur në dhjetor të vitit të kaluar. Pikërisht kjo strukturë do t’i japë fund ngrirjes prej një kohe kaq të gjatë të garës brenda PD-së. Shtyrja për gati nëntë muajsh e mbledhjes së Këshillit Kombëtar duket se ka pasur si synim kalcifikimin e grupeve rivale në mbështetje të kandidatëve potencialë për postin e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, që është edhe një prej posteve më të rëndësishme në selinë blu. Por, me afrimin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar kanë filluar sërish të ndihen tensionet e garës për pushtet. Së fundi, dy janë emrat më të favorizuar për këtë post: është ai i sekretarit aktual Ridvan Bode dhe emrin i ministrit të Brendshëm Lulzim Basha. Por, që të dy janë figura me peshë në PD dhe sipas burimeve, është menduar një skemë e re e drejtimit të partisë në mënyrë që të kënaqen që të dy. Skema parashikon që të shtohet posti i sekretarit Politik, krahas sekretarit të Përgjithshëm dhe shkrirjen e sekretarit Organizativ. Pra mendohet që sekretari i Përgjithshëm të merret më së shumti me çështjet organizative të partisë, ndërsa sekretari Politik të merret me programin politik dhe derivatet e tij. Por, edhe për këtë post duket se ka një tjetër kandidaturë të fortë, siç është ajo e Sokol Olldashit. Pra ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, por pikë së pari, ky këshill duhet të zgjedhë Kryesinë e re.
Kandidatët
Një ndër postet me rëndësi në PD është ai i sekretarit të Përgjithshëm, që drejtohet prej vitesh nga Ridvan Bode. Sipas burimeve, kandidatë potencialë për këtë post janë Lulzim Basha, Arben Imami dhe sekretari aktual, Bode, që do të vazhdojë garën për ta mbajtur këtë post. Ndërkaq, dy kandidatët e tjerë rivalë, Basha dhe Imami, njihen si njerëz të afërt të kryeministrit Berisha dhe që gëzojnë mbështetje të Këshillit Kombëtar. Madje Arben Imami e zyrtarizoi publikisht kandidaturën e tij për këtë post fill pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, atëherë kur Berisha deklaroi se do të bënte ndryshime në kupolën drejtuese të partisë. Burimet në PD bëjnë të ditur se një tjetër ndryshim i pritshëm do të jetë krijimi i postit të sekretarit Politik. Për këtë post kandidaturat kryesore janë ajo e Sokol Olldashit, e Genc Pollos, si dhe kandidatura e Bashës, në rast se nuk zgjidhet sekretar i Përgjithshëm. Basha dhe Olldashi njihen si personalitete me peshë në PD dhe që gëzojnë mbështetjen e liderit të selisë blu. Përsa i përket Pollos, mendohet se ai do të marrë një post në selinë blu në bazë të marrëveshjes së bërë me kryetarin e PD-së për shkrirjen e PDR-së. Megjithatë, pritet që të jenë zgjedhjet që do të zhvillohen në Këshillin Kombëtar për të parë se cili do të jetë fituesi.
Një tjetër post i rëndësishëm që do të shtohet në PD është ai i sekretarit Elektoral. Dy janë kandidatët potencialë për këtë post; Ilir Rusmali, që mban postin e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, si dhe Oerd Bylykbashi, që mban postin e shefit të Kabinetit të kryeministrit Berisha. Këta dy kandidatë njihen si njohës të mirë të ligjit elektoral. Madje që të dy kanë marrë pjesë në hartimin e Kodit Zgjedhor, ndaj gara pritet të zhvillohet mes tyre. Sipas burimeve pritet të ketë ndryshime dhe në postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Publikun. Pak kohë më parë Berisha komandoi në këtë post ministrin aktual të Kulturës, Ferdinand Xhaferrin, por sipas burimeve pritet që të futet një figurë femër në këtë post. Më favorite janë zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu dhe deputetja Raimonda Bulku.

Neni 41
Kompetencat e Këshillit Kombëtar

2- a) Këshilli Kombëtar merr të gjitha vendimet që mund të kërkojnë rrethanat kur Kuvendi Kombëtar nuk është mbledhur dhe kur ato nuk janë parashikuar në këtë statut si e drejtë vetëm e Kuvendit.
b) Këshilli Kombëtar zgjedh ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi, me votim të fshehtë, njëzetepesë anëtarët e Kryesisë së partisë nga një listë ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që kërkohen.
c) Këshilli Kombëtar zgjedh/shkarkon ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi Kombëtar, me votim të fshehtë:
- sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët funksionalë;
- nënkryetarët e partisë;
- kryetarin e Bordit Financiar të Partisë;
- Komisionin Qendror të Apelimit.

Postet dhe kandidaturat
Sekretar i Përgjithshëm
Ridvan Bode
Lulzim Basha
Arben Imami

Sekretar Politik
Lulzim Basha
Sokol Olldashi
Genc Pollo

Sekretar Elektoral
Ilir Rusmali
Oerd Bylykbashi

Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun
Ferdinand Xhaferri
Majlinda Bregu
Rajmonda Bulku

Vizita
Komunistët kinezë kërkojnë forcimin e marrëdhënieve me PD-në

Një delegacion i Partisë Komuniste të Kinës ka zhvilluar këto ditë në Tiranë një sërë takimesh të nivelit të lartë, qëllimi i të cilave ka pasur jo vetëm forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, por edhe forcimin e marrëdhënieve të kësaj partie me Partinë Demokratike të Shqipërisë. Kjo deklaratë është bërë nga përfaqësuesit e këtij delegacioni gjatë takimit që zhvilluan me sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Ridvan Bode, në mungesë të kryetarit Berisha, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë vendit. Duket se boshllëkun e krijuar nga PPSH-ja, së fundi ka ditur ta zëvendësojë shumë mirë PD-ja, e cila pret dhe premton marrëdhënie të shkëlqyera me komunistët kinezë. Delegacioni është pritur dje dhe nga kryeministri Berisha, i cili është ndalur në veçanti në bashkëpunimin ndërmjet dy forcave politike. Duke i vlerësuar të shkëlqyera këto marrëdhënie, kryeministri theksoi se në dekadat e fundit këto forca politike kanë qenë promotor apo forca transformuese të shoqërive të dy vendeve. Kryeministri Berisha u shpreh se në sajë të reformave të ndërmarra Shqipëria u bë vend anëtar i NATO-s dhe po punon për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Duke e falënderuar kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe ftesën e bërë nga Partia Demokratike, kryetari i delegacionit, z. Liu Yunshan, i përcolli atij përshëndetjet e presidentit dhe kryeministrit të Kinës dhe u shpreh se kjo vizitë ka si qëllim konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe stimulimin dhe çuarjen përpara të këtyre marrëdhënieve. Zoti Liu Yunshan u shpreh se “ne, si një popull mik i popullit shqiptar, jemi të kënaqur që Shqipëria ka realizuar një zhvillim të shpejtë ekonomik e kulturor, rritje të nivelit të jetesës dhe është një vend me vitalitet të rrallë ndërtimi dhe zhvillimi. Shqipëria ka korrur suksese në përballimin e krizës financiare botërore dhe kjo në sajë të përpjekjeve dhe trajtimit shumë të mira nga ana e qeverisë tuaj”. Zoti Liu Yunshan e siguroi kryeministrin se qeveria kineze do të nxitë sipërmarrjet kineze të investojnë në Shqipëri. Ai u shpreh se ishte njohur me treguesit e rritjes së eksporteve të Shqipërisë me Kinën, të cilat, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë rritur 600 për qind në krahasim me vitin e kaluar, dhe kjo është një arsye për rritjen e marrëdhënieve ekonomike-financiare ndërmjet dy vendeve tona.
Përsa i përket turizmit, z. Liu Yunshan u shpreh se ka interes nga pala kineze për të investuar në këtë fushë, pasi çdo vit 20 milionë turistë kinezë vizitojnë vendet e Europës. Gjithashtu, ai shprehu interes edhe për bashkëpunim lidhur me shkëmbimet kulturore ndërmjet dy vendeve tona, bashkëpunim në fushën e arsimit, të shëndetësisë etj.
Z. Liu Yunshan i vlerësoi shumë të rëndësishme marrëdhëniet ndërpartiake dhe u shpreh se nëpërmjet këtij bashkëpunimi forcohet edhe bashkëpunimi ekonomiko - financiar. Lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE, ai u shpreh se kjo do të sjellë premisa për një zhvillimin shumë të madh Shqipërisë dhe se Kina do të ketë miq të ngushtë në BE.
Kryeministri Berisha foli edhe për çështjen e Kosovës, duke u shprehur se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë qartësoi së shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje të plotë me Të Drejtën Ndërkombëtare dhe Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se rasti i Kosovës është një rast sui generis. Njohja e Kosovës, u shpreh kryeministri, i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon.
Ndërkaq, ky delegacion është pritur dje edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ndër të tjera ka bërë të ditur se gjatë muajit shtator do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Republikën Popullore të Kinës.

31 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›