Huliganët grekë sulmojnë dhe djegin autobusin shqiptar
TIRANË - Sulmohet me bomba molotov dhe gurë një autobus shqiptar në Greqi. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, kur mjeti udhëtues po kthehej nga Athina për në Sarandë. Fatmirësisht autobusi ka qenë bosh, pa pasagjerë, dhe nuk ka pasur asnjë person të lënduar, por vetëm disa dëme materiale si xhama të thyer dhe djegie të derës së pasagjerëve. Ngjarja është bërë e ditur nga policia helene, e cila ka nisur hetimet. Nga të dhënat e para, uniformat blu të Greqisë kanë bërë të ditur se të dyshuarit kryesorë për këtë akt vandalizmi janë një grup tifozësh të AEK, të cilët po ktheheshin pas ndeshjes. Kjo është pista e parë, por policia greke është duke hetuar dhe për mundësinë e një akti racist ndaj shqiptarëve, meqë autobusi ishte me targa të Sarandës, SR 5892 B.
Deklaratat
Një autobus i linjës Athinë-Sarandë është sulmuar me bomba molotov teksa po lëvizte në rrugës nacionale Antiriu-Janinë, në Kefalovriso, pak pas mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme. Lajmi është konfirmuar edhe nga ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi, por dhe nga vetë shoferi i autobusit, Leonard Berberi. Autobusi me targa SR 5892 B i kompanisë “Saranda - Ekspres” po udhëtonte në drejtim të Shqipërisë kur është sulmuar nga një grup personash në kilometrin e 44 të rrugës nacionale Antiriu-Janinë. Ambasadori shqiptar ka treguar se “në momentin kur ka ndodhur sulmi autobusi ka qenë në lëvizje, por nuk ka pasur pasagjerë”. Edhe pronari i linjës “Saranda-Ekspres”, Kristo Zholi ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme se autobusi ishte pa pasagjerë.
Ngjarja
“Ishte ora 01:00 e së dielës kur autobusi po kthehej nga Athina drejt Shqipërisë pasi kishte zbritur pasagjerët në Athinë. Në Kefalovriso, autobusi po ecte me ngadalë pasi në rrugë po bëheshin punime. Në një moment dy persona kanë dalë në rrugë dhe kanë hedhur shishe me benzine dhe gurë në drejtim të autobusit”, - ka treguar Kristo Zholi. Sipas ambasadorit Dervishi, dyshohet se autobusi është sulmuar nga tifozët e skuadrës së futbollit të AEK-ut, të cilët kanë bërë rrëmujë pas ndeshjes. Ndërsa pronari i linjës “Saranda-Ekspres” thotë se autorët ishin veshur me rroba të thjeshta, të përditshme dhe nuk duheshin si tifozë futbolli. Nga incidenti nuk ka pasur të lënduar, ndërsa autobusi ka pësuar dëme të mëdha. Njëra nga bombat molotov ka shkaktuar flakë dhe në gomat e autobusit, si dhe janë thyer disa xhama të tij.
Pistat e hetimit të Policisë greke
Menjëherë është kontaktuar policia greke, e cila ka nisur veprimet hetimore dhe kërkimet në zonë për të arrestuar ndonjë autor të mundshëm. Në polici për t’u marrë në pyetje është shoqëruar dhe drejtuesi i mjetit, Leonard Berberi. Sulmi është pasqyruar dhe në të përditshmet greke. Në faqen online të gazetës "Kathimerini" shkruhej sot, duke iu referuar burimeve policore helene, se persona ende të panjohur kanë hedhur 3 bomba molotov në drejtim të autobusit me targa shqiptare. Mediat greke informojnë se në pistat e hetimit nuk përjashtohet dhe rasti se një i panjohur të ketë ngritur kurth autobusit duke besuar se brenda tij ndodheshin tifozë të skuadrës së Korfuzit, që ktheheshin nga Patra. Policia greke ka nisur hetimet për incidentin, ndërsa nuk përjashtohet rasti kur të panjohur t’i kenë ngritur kurth autobusit duke besuar se brenda tij ndodheshin tifozë të skuadrës së Korfuzit që ktheheshin nga Patra.
Rasti i parë
Ky është rasti i dytë kur një autobus me targa shqiptare është sulmuar në tokën greke. Në 11 korrik të këtij viti, disa persona të armatosur dhe me maska kanë sulmuar një lokal, ku ishin ndaluar tre autobusë të linjës Athinë-Tiranë. Nga sulmi mbetën të plagosur tre shqiptarë. Incidenti u shënua në qytetin e Agrinios, rreth 330 kilometra nga kryeqyteti grek. Deri tani ende nuk ka njoftime për arrestimin e autorëve të këtij sulmi.
PRECEDENTËT
Gusht 2010
Një ngjarje e rëndë ndodhi në Himarë. Policia shqiptare akuzoi një të ri se ka përplasur qëllimisht një 35-vjeçar nga Himara dhe që e quante veten minoritar. Kjo ngjarje solli një reagim të madh nga banorët e zonës, të cilët bllokuan për më shumë se 13 orë rrugën kombëtare Vlorë-Sarandë. Por kjo ngjarje solli dhe reagime të ashpra nga Athina zyrtare. Policia ndaloi tetë të rinj nga Vlora, disa u liruan më pas nga gjykata, ndërsa të tjerët presin të dalin pasi u përfundojnë afatet. Vetëm një i ri është nën masën “arrest me burg”.
16 prill 2010
Një hap që opozita shqiptare e ndërmori duke shkelur me këmbë interesat e saj të momentit. Paraqitja e ankimimit në fillim të vitit për Marrëveshjen detare me Greqinë, që Kuvendi miratoi mes polemikash të forta, solli një vendim unanim (9 me zero) të Gjykatës Kushtetuese kundër marrëveshjes. Sipas saj, një sipërfaqe jo e vogël detare do t’i kalohej Greqisë, e cila e kërkonte me ngulm nga kryeministri Berisha miratimin e këtij akti.
Mars 2007
Këto vargje të një kënge të kënduar nga ushtarët grekë gjatë stërvitjes u xhiruan në mars 2007 nga një video amatore. E gjitha kjo përfundoi në media, gjë që shkaktoi një furtunë të vërtetë diplomatike mes dy vendeve. “I shikoni ata? Janë shqiptarë. Me zorrët e tyre do të bëjmë lidhëse këpucësh”.
2004-2006
Ka paguar me jetë gëzimin për fitoren e Kombëtares tonë ndaj asaj të Greqisë. Në shtator 2004, shqiptari Gramoz Palushi u vra me thikë nga Panajotis Kladhis vetëm pasi po festonte fitoren. Pak ditë pas tij vdes në Athinë Gëzim Bërdëllima, i cili u qëllua për vdekje në një lokal nga një polic grek. Janë kohë të vështira për emigrantët tanë në Greqi, të cilët përballen me një klimë tensioni dhe ekstremizmi etnik të banorëve vendas. Në Kretë, në njërin ndër ishujt më racistë të Greqisë, ndodhi një konflikt mes disa shtetasve grekë dhe disa emigrantëve shqiptarë për shkak se një shqiptar mbante një bluzë me flamurin shqiptar, çka u pasua nga përplasje mes palëve, ku mbeti i vdekur Edison Jahaj, 17 vjeç. Protesta të fuqishme u zhvilluan me këtë rast në Shqipëri.
Tetor 2000
Është ndoshta kjo zanafilla e protagonizmit politik të Himarës në skenën politike shqiptare. Tri parti, PD, PS e PBDNJ u përplasën në zgjedhjet lokale të atij viti, që përfunduan me fitoren e dyshes PD-PS. Tensioni arriti kulmin kur deputetë grekë dhe media të ardhura nga Athina ushtruan presion psikologjik në favor të PBDNJ-së. Imazhet e një të riu që u nxirrte gjuhën mediave shqiptare dhe shante me fjalë të ndyra bënë xhiron e botës. Parlamenti reagoi duke miratuar një rezolutë për këto incidente.
31 Gusht 2010