E Diel, 1 Nëntor 2026

Në shtator, në qendrat rajonale, do të nisë shpërndarja e medikamentit bazë për pacientët e dializës



Mbi 300 pacientë, në rrethe të ndryshme të vendit, që trajtohen me dializë, do të përfitojnë falas në fillim të muajit shtator ilaçin bazë për trajtimin e tyre. Gjatë këtij muaji do të nisë shpërndarja e medikamentit Eritropoetin në të gjitha qendrat shëndetësore në rrethe. Pacientët e dializës gjithashtu do të marrin shërbimin e plotë dhe të nevojshëm në spitalet e rretheve ku banojnë. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se rreth 300 persona që i nënshtrohen dializës në rrethe do të përfitojnë gjithashtu transport falas nga vendi ku banojnë deri në qendrën rajonale më të afërt të dializës gjatë kohës që duhet të marrin shërbimin. Këtë fakt e konfirmoi dje në një konferencë për shtyp zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Alisa Demollari. Demollari u shpreh se ky ishte propozim i ministrit të Shëndetësisë Vasili dhe miratim i bordit drejtues të Institutit të Sigurimeve e të Kujdesit Shëndetësor, mbas takimit të këtyre të fundit me përfaqësues rajonalë të kësaj kategorie që përfiton një trajtim dialitik dhe për të evituar ardhjen e të sëmurëve në Tiranë për marrjen e medikamentit. “Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, vendosi gjithashtu shfuqizimin e Urdhrit Nr. 443, datë 03.08.2010 dhe ka urdhëruar drejtoritë e spitaleve që bazuar në listën e të sëmurëve, të miratuar nga qendra ku ofrohet shërbimi i dializës dhe sipas vlerësimit të drejtorit të spitalit, të sigurojnë transportin e të sëmurëve nga vendi i banimit në qendrën e dializës dhe anasjelltas, nëpërmjet automjeteve të transportit të spitalit apo atyre të shërbimit urban-publik e privat, duke rimbursuar koston e transportit”, - tha Demollari. Sipas zëdhënëses, vendimi u mor në vlerësim të problematikave të tyre, ndër të cilat dhe disa shqetësime që kanë të bëjnë me transportin dhe aksesin e kufizuar në disa raste për mjete të shërbimit publik, veçanërisht për ata që marrin shërbimin mjaft larg banesës së tyre.

Trajtimi
Në Shqipëri janë më shumë se 450 persona adultë që vuajnë nga insuficienca renale, siç njihet ndryshe mosfunksionimi i organit të veshkës, që e kanë të domosdoshëm trajtimin me dializë. Mbi 300 nga këta pacientë që i nënshtrohen këtij procesi janë nga rrethe të ndryshme të vendit. Ata shpesh detyrohen të udhëtojnë për në Tiranë për shkak të mungesës së medikamenteve dhe në mënyrë që të marrin trajtimin e plotë. Sipas statistikave, çdo vit në vendin tonë rritet numri i personave që duan të kryejnë dializë, gjithashtu do të rritet edhe më shumë dhe vlera e kostos së dializës. Për këtë arsye, mjekët specialistë mendojnë se duhen hapur në vazhdim reparte të reja që trajtojnë këta të sëmurë. Qëllimi i dializës në vetvete është që t’i ndihmojë pacientët në momentet kritike për jetën, por jo të vazhdojnë dializën deri në pafundësi. Në Pavijonin e Nefrologjisë në QSUT punohet me turne për t’iu ardhur në ndihmë të sëmurëve që kanë nevojë për shërbimin e dializës dhe për ata që janë në stadin e fundit. Dializa ruan parametrat vitalë të organit të veshkës derisa pacienti të bëhet gati për zëvendësimin e saj. Aparati i dializës kryen të njëjtin funksion me organin e veshkës, por shërbimi nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Të sëmurët kronikë dializohen në bazë të një programi, një ditë po, një ditë jo, derisa pacienti t’i nënshtrohet transplantimit. Sa më i dëmtuar të jetë organi i veshkës, aq më e shpeshtë është dializa.

Apeli
Pacientët që trajtohem me dializë në Pavijonin e Nefrologjisë në QSUT u bëjnë apel instancave kompetente të rifillojnë transplantimet. Sipas tyre, ata nuk mund të vazhdojnë të marrin shërbimin e dializës përjetësisht sepse kjo i kushtëzon në kryerjen e një jete normale. Pacientët tregojnë se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për ta, madje disa prej tyre shprehen se familjarët e tyre kanë dalë vullnetarë për t’u dhuruar organin e veshkës, por që mungojnë mjekët për të kryer transplantimin. Burimet zyrtare nga Drejtoria e QSUT-së bëjnë me dije se kërkesa për transplantimin e veshkës janë të shumta dhe se shqiptarët po vuajnë gjithnjë e më shumë nga sëmundjet e veshkave. Çdo vit regjistrohen 180 pacientë të rinj që vuajnë nga insuficienca renale dhe që kanë nevojë për dializë. Janë me dhjetëra pacientë që presin të realizojnë transplantimin e veshkave në sistemin publik, sepse në atë privat nuk i përballojnë dot kostot por me sa duket, kjo ka mbetur vetëm një ëndërr për ta. Premtimi se do të ofrohej të paktën një transplantim në muaj ka mbetur vetëm premtim.

Studimi i ISHP-së: 2% e popullsisë rezulton çdo ditë e dehur, adoleshentët e fillojnë alkoolin që 13 vjeç

Nga një studim i fundit që ka kryer Instituti i Shëndetit Publik me rreth 3000 persona në të gjithë Shqipërinë, lidhur me konsumin e alkoolit, rezultoi se 2% e popullsisë janë çdo ditë të dehur. Në këtë raport gjithashtu thuhet se 5% e personave që konsumojnë alkool sistematikisht dhe mbi normat e lejuara janë adoleshentë të moshës 15-16 vjeç. Sipas rezultateve, shqetësues është gjithashtu fakti se 5% e femrave në vend konsumojnë alkool sistematikisht. Shifrat alarmante të ISHP-së shprehen se rreth 40% e meshkujve nga mosha 25 deri në 50 vjeç janë alkoolpirës. Sipas studimeve, 9% e të gjitha sëmundjeve vijnë si rezultat i konsumit të pijeve alkoolike. Konsumi i alkoolit rrit gjithashtu mundësinë e sëmundjeve kancerogjene në organet e brendshme, rrezikun për atakun kardiak në zemër, hemorragji cerebrale, hipertension etj. Konsumi alkoolit stimulon gjithashtu dhunën dhe sipas studimeve është shkaktar për 2/5 e rasteve të dhunës që ndodhin në vend.

29 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›