E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro 2012, blindohet Kievi në Ukrainë

Altin Manallari

Autoritetet vendase rrisin masat e sigurisë para nisjes së kompeticionit kontinental

Ukraina, në prag të startit të Euro 2012, ngjan me një vend të blinduar me policë, sidomos në afërsinë e objekteve sportive dhe hoteleve ku do të kenë rezidencën e tyre kombëtaret përkatëse. Pak ditë para fillimit të Euro 2012, përgatitjet në qendër të kryeqytetit Kiev po kryhen me ritme të shpejta. Masat e sigurisë janë shtuar, ndërsa policia ka ngritur postblloqe në rrugë, duke kontrolluar dokumentet e shoferëve. Do të jemi të lumtur ti mirëpresim të gjithë në kryeqytetin tonë. Do të jemi miqësorë me të gjithë ata që do të na vizitojnë për Kampionatin Europian, tha oficeri i policisë, Jakimçuk. Në qendër të Kievit, në zonën pedonale është ndërtuar një zonë gjigante e tifozëve, me ekrane të mëdhenj që do të bëjnë të mundur që mijëra të pasionuarit e futbollit të argëtohen gjatë muajit qershor. Disa vizitorë janë mahnitur nga përgatitjet, ashtu si muzikanti Hoze Fernandez nga Peruja, i cili deklaroi se autoritetet ukrainase kanë bërë një punë të mirë, edhe pse koha në dispozicion nuk ishte e mjaftueshme dhe pati disa vonesa. Megjithatë, ata ia kanë arritur qëllimit që të përgatiten sa më mirë. Gjatë Euro 2012, tifozët dhe vizitorët pritet të pushtojnë sheshin Pavarësia, atë që cilësohet si zemra e Kievit, ku ka shumë shatërvanë dhe një statujë fluturuese të pavarësisë. Hera e fundit që në këtë shesh janë mbledhur qindra mijëra persona ka qenë në dimrin e periudhës 2004-2005, ku ai u bë pika e referimit për protestat e Revolucionit portokalli. Gjatë asaj periudhe, Julia Timoshenko ka sulmuar ashpër me retorikën e saj Viktor Janukoviç, pas dyshimeve për mënyrën e zgjedhjes së tij si president e që u shoqërua me protestat e dhjeta mijëra njerëzve. Për ironi, kur kanë kaluar 7 vjet nga ajo periudhë, Janukoviç është në pushtet, ndërsa Timoshenko në burg, me akuza për shpërdorim detyre, ndërsa çështja e ish-kryeministres ka bërë që krerët e shumë vendeve të mëdha europiane të mendojnë bojkotin e Euro 2012. Situata në vend ka qenë e tensionuar nga protesta të shumta, që kërkojnë lirimin nga burgu të Timoshenkos. Kjo ka bërë që autoritetet ukrainase të marrin të gjitha masat për të mos i gjendur të papërgatitur në rast të trazirave apo edhe për të shmangur aktet e mundshme terroriste. Ndërkohë që në vendin tjetër mikpritës të Euro 2012, Poloni, kanë zbarkuar edhe gjigantët e parë të futbollit europian. Janë dy nga skuadrat favorite për të fituar Euro 2012, ndërsa përballja e tyre në “grupin e ferrit” është një nga sfidat më të shumëpritura të kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit europian që do të nisë më 8 qershor në Poloni dhe Ukrainë. Gjermania dhe Holanda janë nga skuadrat e para që kanë lënë vendet e tyre për të nisur sprintin final drejt debutimit në Kampionatin Europian i programuar për më 9 qershor. Skuadra gjermane e drejtuar nga Joakim Lëv ka nisur përgatitjet në Gdansk të Polonisë, ku dhe parashikon të qëndrojë deri në fund të Euro 2012. “Panzerat” kuotohen si pretendentët kryesorë për të ngritur titullin Kampion për herë të katërt në finalen që do të luhet në Kiev. Ndryshe nga ditët e mëparshme të grumbullimit, Lëv tashmë ka në dispozicion edhe Bastian Shvajnshtajger, i rikuperuar plotësisht nga problemet financiare. Edhe Holanda ka mbërritur në bazën e saj në Krakov, ku skuadra e drejtuar nga Bert van Marwijk do të përgatitet për ndeshjen e parë që do të luajë në Grupin B kundër Danimarkës. Asnjë problem me mungesat për “Tulipanët” që janë pritur nga shumë tifozë polakë.

Ukraina

Ukraina ngjan tashmë me një vend të blinduar me policë, sidomos në afërsinë e objekteve sportive dhe hoteleve ku do të kenë rezidencën e tyre kombëtaret përkatëse

Zbarkimet

Kur duhen edhe pak ditë nga nisja e Euro 2012, në Poloni dhe Ukrainë kanë filluar të zbarkojnë disa nga gjigantët e kompeticionit, mes të cilëve Gjermania, Holanda e Italia

Problematika

Bluzat e futbollistëve janë të dëmshme për shëndetin, sepse përmbajnë substanca toksike: Italia, Spanja, Gjermania, Ukraina, Rusia, Franca, Portugalia dhe Holanda

Euro 2012, blindohet Kievi në Ukrainë burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›