Superiorja me 10 skuadra, KE u jep kohë klubeve
Mbledhja
Ekzekutivi shtyn vendimin për strukturën e re të kategorisë elitare të futbollit tonë
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur të shtyjë për në mbledhjen e ardhshme vendimin për të ndryshuar strukturën e Kategorisë Superiore, duke nisur nga sezoni 2013-2014. Institucioni më i lartë vendimmarrës i FSHF-së është mbledhur gjatë ditës së martë, ndërsa ka vendosur t’u japë më shumë kohë klubeve për të shqyrtuar propozimet paraprake që u zbardhën gjatë takimit të ditës së hënë. Klubet e mëdha propozojnë një Superligë me 10 skuadra, ndërsa kjo ide kundërshtohet nga klubet e vegjël që rrezikojnë më shumë qëndrimin në kampionatin elitar të futbollit në vend. Po ashtu, në mbledhjen e fundit, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, në mbledhjen e tij të radhës, ditën e martë, ka marrë një sërë vendimesh, kryesisht për infrastrukturën, duke investuar në terrene e stadiume ku luajnë skuadrat shqiptare të kategorive të ndryshme. Kështu, është vendosur që FSHF-ja, në bashkëpunim me Bashkinë e Ballshit, të rikonstruktojë stadiumin dhe fushën e Bylisit, në të cilin zhvillon ndeshjet e veta skuadra mallakastriote, pjesëmarrëse në Kategorinë Superiore. Në qytetin e Burrelit, po në bashkëpunim bashki-FSHF, do të rikonstruktohet stadiumi dhe fusha, sikundër do të bëhet kjo edhe për një skuadër tjetër, që merr pjesë në Kategorinë e Parë, Himara. Në qytetin bregdetar do të ketë fushë me bar artificial, në ndryshim nga Burreli. Në Ersekë, bashkia dhe federata do të ndërtojnë kompleksin futbollistik me fushë ndihmëse për stadiumin e skuadrës së Gramozit. Për sa i përket dhënies së një vendimi në lidhje me mundësinë e një formati të ri për Superioren për sezonin e ardhshëm 2013-2014, tashmë do të duhet të presim ende zhvillimet në ditët e ardhshme deri në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv, që pritet të japë edhe përgjigjen përfundimtare për këtë çështje.
Superiorja me 10 skuadra, KE u jep kohë klubeve burimi: Gazeta Shqip