Euro false në Fier, prangoset prodhuesi
Fier- Një i ri 25-vjeçar dyshohet të jetë një falsifikalor Eurosh. Ai është vënë në pranga nga blutë e Fierit dhe pritet që nga dëshmitë të dalin të dhëna të reja për mënyrën se si ai e depërtonte në treg monedhën europiane.
Edmond Bajramaj banues në Drenovë të Mallakstrës u kap me 320 Euro të fallsifikuara të prerjeve 20 Euro. Ai u vu në ndjekje nga inspektorët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko - Financiar në Drejtorinë e Policisë Qarku Fier. Mësohet se ky shetas për një periudhë kohe survejohej nga strukturat e policisë dhe në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative është vertetuar se qarkullonte në treg Euro të falsifikuara.
Pikërisht nga këto të dhëna, 25 vjeçarit i është bërë një kontroll i befasishëm në banesë. Sipas policisë ai është kapur në flagrancë me një sasi eurosh të falsifikuara, të prerjeve 20 euro. Ato janë sekuestruar me cilësine e provës materiale, ndërkohë që dokumentet procuderiale i kaluan prokurorisë së rrethit gjyqsor për veprime të mëtejshme hetimore.