Euro fiton pikë, kundrejt lekut shqiptar

Euro vazhdon që të fitojë pikë kundrejt lekut shqiptar. Vetëm ditët e fundit, një euro është shkëmbyer me rreth 130 lekë. Por cilët janë ata persona të cilët preken më shumë prej shvlerësimit të lekut shqiptar?
Sipas specialistëve, ata persona të cilët kanë marrë kredi në monedhën europiane euro, do të jenë ata që do të humbasin dhe që do të preken më tepër prej shvlerësimit të lekut shqiptar. Kohët e fundit është deklaruar shpesh se ka pasur nje rritje të kredive të këqia dhe mesa duket, kjo ka pasur ndikim edhe në vlerësimin e euros dhe si rezultat pamundësinë për pagimin e kredive prej bizneseve.
Në Shqipëri, pjesa më e madhe e kredive merren në euro dhe kjo ka bërë që shumë shqiptarë të preken drejtpërdrejt prej vlerësimit të monedhës europiane. Marrja e kredive në euro shpjegohet me faktin se bankat kreditojnë më lehtë në euro, pasi në pjesën më të madhe të rasteve rrisin fitimet për shkak të kursit.
Një tjetër problem është edhe fakti se kreditë afatgjata shërbejnë për blerjen e kapitaleve të paluajtshme, shtëpi, të cilat firmat e ndërtimit i shesin me euro.
Ndërkohë specialistët paralajmërojnë se euro pritet që të vazhdojë të qëndrojë në kuota të larta duke e shpjeguar me faktin se të ardhurat nga emigrantët janë zvogëluar prej krizës ekonomike. Kështu duke përmendur faktin se Greqia është në një krizë totale dhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh punojnë aty, kjo bën që të kemi më pak të ardhura edhe në muajt në vazhdim.