E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontributet, detyrimet që falen sipas kategorive

SHKRUAN: Jonida Tashi 11-06-2011 10:54

Instituti i Sigurimeve Shoqërore zbardh kushtet dhe masën e faljes së kontributeve, gjobave e kamatvonesave për 523 subjekte fizike, 838 subjekte juridike, 23 mijë subjekte të tjera nga organet tatimore, të vetëpunësuarit dhe fermerët. Kreu i drejtorisë së Kontributeve në ISSH, Naim Balluku, sqaron të gjitha detajet e faljes për sigurimet shoqërore e shëndetësore. Në përmbajtjen e tij, ligji nr.10418, datë 21.4.2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, krahas faljes së disa detyrimeve në sektorë të tjerë, fal dhe një pjesë të mirë të detyrimeve kontributive, gjobave e kamatvonesave në fushën e sigurimeve shoqërore. Ligji i mësipërm, faljen e detyrimeve kontributive, gjobave dha kamatvonesave, e bën në përputhje me statusin e subjekteve, duke pasur në konsideratë subjektet e vetëpunësuar, që nuk kanë të punësuar të tjerë, si dhe subjektet juridike e fizike me të punësuar, ku punëdhënësit krahas përgjegjësive të tyre, kanë përgjegjësi për sigurimin shoqëror dhe të personave të tjerë të punësuar. Duke analizuar efektet e ligjit të miratuar, rezulton se për subjektet që janë debitore pranë ISSH, deri më 31.12.2004, përfitojnë 523 subjekte fizike me një shumë prej rreth 18.2 milionë lekë dhe 838 subjekte juridike me një shumë prej rreth 458.8 milionë lekë kamatvonesa. Efektet e përfitimit janë shumë të mëdha për periudhën që shërbimi i pagesës së kontributeve është transferuar në organet tatimore, ku përfitojnë afro 23 000 subjekte me një shumë prej 3.1 miliardë lekë.

Për të vetëpunësuarit

Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar, me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë pasur këtë status, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat. Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë pasur këtë status, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda datës 31.12.2011, të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti. Të gjithë tatimpaguesit e mësipërm, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 dhjetor 2011, ku përfshihen edhe detyrimet që lindin gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti, përfitojnë nga falja e të gjithë gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera. Të vetëpunësuarve në bujqësi me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat. Të vetëpunësuarve në bujqësi me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 dhe që janë debitorë për kontributet u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda datës 31 dhjetor 2011 të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011. Të vetëpunësuarve në bujqësi, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 dhjetor 2011, përfitojnë nga falja e të gjithë gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera. Periudha për të cilën nuk janë paguar sigurimet shoqërore dhe për të cilën kontributi është falur, nuk do të konsiderohet për efekt të përftimit të së drejtës për pension sipas përcaktimeve të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Falja për personat fizik dhe juridik

Ndërmarrjeve dhe shoqërive me kapital tërësisht shtetëror, institucioneve shtetërore, buxhetore dhe jobuxhetore, ndërmarrjeve e shoqërive me kapital të përbashkët me shtetin, personave juridikë e fizikë privatë, të cilët nuk kanë derdhur të gjitha detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të lidhura me periudhën deri më 31 dhjetor 2010, u falen të gjitha shumat e gjobave dhe të kamatëvonesave. Subjektet e mësipërme debitorë për detyrimet ndaj organeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, që rezultojnë nga një vendim i formës së prerë, nuk përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji. Ky ligj nuk i shtrin efektet edhe për rastet kur ka filluar një procedim penal dhe procesi nuk ka përfunduar. Miratimi i këtij ligji është një mundësi e mirë dhe një ndihmë e konsiderueshme që u bëhet subjekteve juridike dhe fizike, të cilët kanë detyrime të pashlyera që lidhen me sigurimet shoqërore, për vazhdimësinë e biznesit te tyre, duke iu krijuar mundësi për një ecuri normale të shlyerjes së tyre në vitin aktual dhe në periudhat e mëvonshme. Po kështu, efekti i faljeve nëpërmjet këtij ligji është inkurajim dhe për ato biznese, që për pamundësi financiare të shlyerjes së detyrimeve, kanë ndërprerë aktivitetin financiar, duke u dhënë mundësi për riaktivizimin e tij. Nisur nga arsyet e lindjes së detyrimeve të prapambetura, për pagesat e sigurimeve shoqërore, krahas shkaqeve të tjera financiare apo procedurale, masa kontributive për sigurimet shoqërore, ka qenë në nivele të tilla, që për shumë subjekte ende të pakonsoliduara, përbënte një ngarkesë financiare shpesh të papërballueshme.

Ndryshimi i masës së kontributeve

Duke dhënë një panoramë të shkurtër për masën kontributive, që nga miratimi i ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, ka rezultuar se: në vitin 1993 e deri më 1.1.1995, masa e kontributeve për të punësuarit ishte 42.5% dhe për të vetëpunësuarit 34.5%. Me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.42, datë 23.01.1995, u shtua sigurimi shëndetësor në masën 3.4% dhe përqindja për pagesën e sigurimeve shoqërore u bë 45.9%, nga të cilat 34.2% paguhej nga punëdhënësi dhe 11.7% nga i punësuari. Që nga kjo periudhë, e deri më 1.7.2002, subjektet juridike kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore me këtë përqindje. Në vitin 2002, duke filluar nga data 1.7.2002, masa e kontributeve u reduktua në 4%, duke bërë që totali i pagesave të kontributeve të llogaritej dhe paguhej në 41.9%, nga të cilat 30.7% paguhej nga punëdhënësi dhe 11.2% nga i punësuari. Një ulje e konsiderueshme në përqindjen e pagesës së kontributeve u bë më 2006, me Ligjin nr.9600, datë 27.7.2006, ku përqindja e pagesës së kontributeve u reduktua në 32.9%, nga të cilat 29.5% për sigurim shoqëror dhe 3.4% për sigurim shëndetësor. Reduktimi i masës së kontributeve, prej 9% u bë në pjesën e kontributeve që paguan punëdhënësi, mbasi ngarkesa e tyre ishte tepër i lartë. Reduktim i mëtejshëm i përqindjes për pagesën e kontributeve u bë edhe në vitin 2009, ku kjo masë u reduktua me 5%, duke bërë që masa e pagesës së kontributeve për sigurimet shoqërore të reduktohet në 24.5% dhe së bashku me sigurimet shëndetësore në total të jetë 27.9%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›