Bankers Petroleum mbyll me fitime tremujorin e dyte
Kompania kanadeze e naftës dhe gazit “Bankers Petroleum” që operon në Shqipëri ka raportuar një rritje të të ardhurave me 3,7% në tremujorin e dytë të vitit falë kontributit nga shitja e naftës. Sipas këtij raporti të ardhurat neto të kompanisë rezultojnë në 11,2 milionë dollarë apo 4.4 cent për aksion. Shuma është deri në 4% më e lartë se vitin e kaluar ku të ardhurat neto të Bankers qëndronin në 10,8 milionë dollarë. Për periudhën prill-qershor Bankers raporton të ardhura në rritje me 16% nga 85.2 milionë dollarë në tremujorin e parë në 98.6 milionë në tremujorin e dytë. Gjatë kësaj periudhe kompania ka shitur mesatarisht 14.169 fuci naftë në ditë që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011 rezulton 17% më shumë. Gjithashtu cmimet mesatare për një fuci natfe janë ulur nga 77,03 dollarë në 76,46 dollarë. Ndër të tjera Bankers raporton se ka paguar detyrimet ndaj qeverisë shqiptare 17,2 milionë dollarë gjatë tremujorit të dytë nga 13,1 milionë të vitit të kaluar. Kompania kanadeze ka shpenzuar gjatë periudhës prill- qershor rreth 53 milionë dollarë për shpimin e 36 puseve si dhe për eksplorimin më të mirë në Bllokun F. Kanadezja “Bankers Petroleum” kompani e bazuar në eksplorimin e naftës dhe gazit në Shqipëri ka si objektiv zgjerimin e shpimit të puseve të reja të naftës dhe rezerva më të mëdha të gazit. Në Shqipëri kjo kompani operon me të drejta të plota për të zhvilluar fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës. Gjithashtu zotëron deri në 100% të aksioneve në fushën naftëmbajtëse të Kucovës.