E Shtunë, 31 Tetor 2026

50 e bizneseve aktive u hapen mes 2005-2009

Gjysma e bizneseve aktive private që operojnë në Shqipëri janë krijuar mes periudhës 2005-2009. Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, në atë periudhë filluan aktivitetet në sektorë të ndryshëm gati 49 mijë ndërmarrje, nga 97.4 që llogariten aktualisht si aktive. Krahasuar me pesëvjeçarin e mëparshëm 2000-2004, numri i sipërmarrjeve të reja të regjistruara ishte 2.5 herë më i lartë.
Sipas ekspertëve në fushën e të drejtës tregtare, në hapjen e biznesve të reja kanë ndikuar lehtësitë që parashikonte ligji “Për Shoqëritë Tregtare”, i cili hyri në fuqi në muajin prill të vitit 2008. Me këtë ligj, si krijimi i statusit por edhe procedurat e regjistrimit të një biznesi u bënë më të thjeshta. Po kështu edhe kapitali i nevojshëm fillestar për një Sh.p.k. zbriti nga 100 mijë lekë në 100 lekë, duke shërbyer vetëm për ndarjen e kuotave mes ortakëve.
Me ngritjen e Qendrës Kombëtare për Regjistrimin u reduktuan ndjeshëm të gjitha burokracitë duke bërë të mundur që në një sportel të vetëm ‘One stop shop” të kryhen dhe aplikohen të gjitha proceset e regjistrimit të biznesit, duke përfshirë regjistrimin e taksave në nivel kombëtar dhe vendor, sigurimin shëndetësor dhe shoqëror, Inspektoriatin e Punës dhe Institutin Kombëtar të Statistikave. Por edhe regjistrimi elektronik i biznesit lehtësoi në maksimum procedurat dhe mundësoi marrjen e informacionit të duhur nga publiku. Pikërisht për këto arsye, numri i kompanive të reja të regjistruara në vitin 2010 ishte sa 70% e ndërmarrjeve që u regjistruan në periudhën 2000-2004.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›