E Diel, 1 Nëntor 2026

Euro, pozita të forta në treg. Kambistët: Ka ndërhyrë BSH

Banka e Shqipërisë nuk po lejon rënien e euros në treg, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë gjatë sezonit veror. Në agjencitë e këmbimit, euro shkëmbehet me 129.8 lekë nga 126 lekë që ishte një vit më parë. 

TIRANE- Euro po ruan pozita të forta në tregun tonë të këmbimit, ndryshe nga vitet e mëparshme ku gjatë sezonit verorë vlera e saj binte ndjeshëm për shkak të valutës që sillnin turistët dhe emigrantët që ktheheshin në atdhe për pushime. Në agjencitë e këmbimit monedha e përbashkët europiane blihet më 129.3 lekë dhe shitet me 129.8 lekë.
Ndërkohë që gjatë të njëjtës periudhë të një viti më parë euro tregtohej me rreth 126 lekë. Agjentët në tregun e këmbimit shpjegojnë se rënia e euros është penguar nga ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë, e cila ka blerë valutë duke tërhequr kështu nga tregu sasinë e tepërt që po sjellin emigrantët dhe turistët. Institucioni mbikëqyrës bankar po përpiqet që të ruaj ekuilibrat në tregun e këmbimit duke mos lejuar luhatjet e ndjeshme të monedhave ashtu siç veproi edhe gjatë tre mujorit të parë të këtij viti.

Vetë Banka e Shqipërisë njoftoi se gjatë kësaj periudhe ka ndërhyrë në treg duke shitur një shumë prej 5 miliardë lekësh për të stabilizuar kursin e këmbimit të lekut. Por në euron e fortë ka ndikuar edhe fluksi i ulët i shkëmbimeve valutore që kanë bërë emigrantët krahasuar me vitet e mëparshme, një dukuri kjo që pritej për shkak të krizës ekonomike botërore. Agjentët në tregun e këmbimit parashikojnë një rënie të lehtë të euros gjatë muajit gush por jo në nivelet e viteve të mëparshme. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›