Eurobondet, jo vetëm për shlyerjen e borxhit
Qeveria shqiptare ka në plan jo vetëm të marrë një kredi këtë vit për të shlyer kredinë e shtrenjtë që mori vitin e kaluar për rrugën “Durrës-Kukës”, por edhe për të mbuluar deficitin buxhetor të këtij viti. Parlamenti filloi diskutimin për një ligj që do të autorizojë qeverinë të tërheqë 300-400 milionë euro borxhe në tregun ndërkombëtar përkundrejt një interesi jo më të lartë se 7.5 për qind në vit, por nga kjo shumë, vetëm 200 milionë euro do të përdoren për të shlyer kredinë e vjetër, e cila ka një interes vjetor prej afërsisht 11 për qind. Pjesa tjetër, e cila sipas dëshirës së Ministrisë së Financave, duhet të jetë rreth 150 milionë euro, do të përdoret për qëllime të tjera.
Gjatë ditëve të fundit, opozita ka debatuar politikisht me qeverinë nëse është një gjë e mirë për të shlyer borxhin e vjetër me borxh të ri, por kredia e qeverisë duket se synon diçka më shumë se kaq.
Por eurobondi është i pasigurtNdërsa Parlamenti diskuton autorizimin për emetimin e eurobondit, situata rajonale e tregut të borxheve publike duket se është përkeqësuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, gjë që ka ulur optimizmin e ekspertëve. Borxhet e Greqisë ofrojnë aktualisht interesa deri në 7 për qind në vit, gjë që nënkupton se interesat për Shqipërinë do të jenë edhe më të larta se kaq. Vetë qeveria, duket se e ka të qartë se emetimi i eurobondit po vështirësohet dhe ka filluar të heshtë, duke mos dhënë asnjë deklaratë publike dhe duke mos dhënë një datë të saktë se kur do të emetohet ky bond. Eurobondet janë tituj borxhi që jepen pa garanci, pra pa kolateral nga ana e marrësit të borxhit. Vendet që arrijnë të emetojnë eurobonde zakonisht kanë një histori kredibiliteti ndërkombëtar. Vetë ekspertët e Ministrisë së Financave pranojnë në konfidencë se Shqipëria ka vetëm dy vjet që paguan kompaninë “Moody’s” për vlerësimin e aftësisë së vet kredimarrëse, periudhë kjo shumë e shkurtër për të bindur investitorët për të blerë bonde pesëvjeçare.
#