Topi, krerëve të Shkupit: Zbatoni Marrëveshjen e Ohrit

Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka kërkuar dje nga krerët e Shkupit, në tribunën e Parlamentit të Maqedonisë, që të zbatohet plotësisht “Marrëveshja e Ohrit”, e cila i jep shqiptarëve pozitë të barabartë me kombin tjetër, që e ka krijuar shtetin fqinj, pra sllavo-maqedonasve. Në një fjalim që është ndërprerë disa herë nga duartrokitjet jo vetëm nga deputetët shqiptarë, Presidenti Topi deklaroi se “marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet shembull i kompromisit jo vetëm politik, por edhe i paqes ndëretnike në Republikën e Maqedonisë. Zbatimi i plotë i saj është element kyç për stabilitetin e Maqedonisë dhe të ardhmen e saj europiane”, theksoi Presidenti. Në vlerësimin e tij, kjo kornizë e rëndësishme ligjore i ka paraparë të gjithë qytetarët e Maqedonisë të barabartë përpara ligjit dhe Kushtetutës, duke u garantuar shqiptarëve të drejtat e tyre, të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare dhe të përdorimit të saj, të përdorimit dhe respektimit të simboleve kombëtare, historike e kulturore, të përfaqësimit të drejtë të tyre në institucionet e Maqedonisë dhe një zhvillim harmonik ekonomik në zonat dhe rajonet ku ata jetojnë dhe punojnë në të mirë të familjeve dhe të vendit të tyre. “Realizimi në kohë e me sukses i saj kërkon kontributin dhe bashkëpunimin e të gjitha forcave politike në Maqedoni dhe institucioneve të saj”, theksoi Topi. Kreu i shtetit shqiptar, i cili ka nisur ditën e dytë të vizitës në Maqedoni, është pritur dje nga homologu i tij, Gjeorgje Ivanov, kreu i Parlamentit, Trajko Veljanovski, ka takuar Kryeministrin Nikolla Gruevski, kreun e opozitës, ish-presidentin Branko Cervenkovski. Më pas do të takohet me të gjithë faktorin shqiptar, të cilit i ka lënë më shumë se gjysmën e vizitës së tij treditore në vendin fqinj.
Topi-IvanovPresidenti Topi e ka nisur vizitën në Maqedoni me takimin e zhvilluar me homologun e tij, Gjeorgje Ivanov, ku është zhvilluar një ceremoni e posaçme në rezidencën presidenciale në Shkup. Pas një takimi kokë më kokë, dy presidentët kanë dhënë deklaratat për shtyp, ku nuk kanë munguar qëndrimet për çështjet e nxehta. Topi është pyetur për çështjen e minoritetit maqedonas në Shqipëri, që ka marrë si përgjigje: “Këshilli i Europës, i cili në mënyrë të vazhdueshme monitoron situatën e minoriteteve në vendet tona, është tregues shumë domethënës për trajtim sipas standardeve ku Këshilli i Europës jep vlerësime maksimale për çështjen e trajtimit të minoriteteve në Shqipëri”. Ndërkaq, Presidenti maqedonas, pyetjes për çështjen e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit i është përgjigjur në mënyrë lakonike: “është në vazhdim e sipër. Ndërsa për sa i përket kabinetit tim, kam tre të punësuar shqiptarë, por kjo nuk do të thotë se ky numër nuk do të ndryshojë në të ardhmen”. Megjithatë Presidenti shqiptar, Bamir Topi, ka arritur t’i marrë Ivanovit premtimin për pjesëmarrjen në samitin e qershorit që do të zhvillohet në Prizren, me ftesë të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ku pritet të takohen krerët e vendeve të rajonit, natyrisht pa Serbinë.
Topi-GruevskiGjatë takimit që është zhvilluar me Kryeministrin, Nikolla Gruevski, ku kanë marrë pjesë të dy delegacionet, Presidenti Topi ka kërkuar nga Shkupi që “në kuadër të lehtësimit të qarkullimit, hapja e vendkalimeve të reja të përbashkëta kufitare e doganore ndërmjet dy vendeve tona, do të ndikojnë në nivelin e mirëbesimit mes dy popujve, do të sigurojnë lirinë e lëvizjes së rregullt, si dhe do të krijojnë lidhje edhe më të ngushta, jo vetëm politike, por dhe ekonomike, kulturore etj.”. Sot Presidenti do të zhvillojë një vizitë në qytetin më të madh të banuar nga shqiptarët, Tetovë, ku është organizuar një pjesëmarrje madhështore e qytetarëve.
#