Eurobondi, garancitë që rrisin interesat
Aristir Lumezi
Në pamje të parë duket interes i pranueshëm, por në fakt, mbi tavanin 8.5 për qind, që ka vendosur Qeveria për emetimin e 400 milionë eurove në formën e eurobondit, do të aplikohen edhe komisione të tjera. Në një intervistë për gazetën, deputeti i PS, Arben Ahmetaj tregon sekretet e eurobondit shqiptar. "Ato që quhen "autoritetet e garancisë", në rastin konkret është Detuche Bank dhe JP Morgan, do të kërkojnë garanci për eurobondin", thekson Ahmetaj. Aktualisht Greqia, që renditet afërsisht si Shqipëria, ka një interes prej 4 për qind, për garantin e kredisë. Dhe formula është e thjeshtë, interesit tavan të publikuar prej 8.5 për qind, financat duhet t'i shtojnë edhe garantimin e pagesës, prej të paktën 4 për qind. "Dhe nëse do të përdorim një llogaritje të thjeshtë (formula e interesit mbi interesin), ne me këtë kosto do të paguajmë për katër vjet e gjysmë deri në 5 vjet, dyfishin e asaj që do të marrim. Pra, interesi dhe kostoja e kësaj kredie do të jetë jashtëzakonisht shumë e madhe".
Qeveria ka ndryshuar ligjin për eurobondin 400 milionë euro. A mendoni se ky ndryshim, do t'i joshë tregjet?
Ka disa këndvështrime. Këndvështrimi i parë është ai financiar, pra i deficitit dhe kostos financiare. Këndvështrimi i dytë është ana procedurale dhe këndvështrimi i tretë është ku do shkojnë këto para. Po t'i referohemi së pari anës financiare ose formatit financiar, më 6 maj ka kaluar një ligj për eurobondin, ku e rrit nivelin e interesit, nga 7.5% në 8.5% pra me 1 për qind. Nuk e dimë akoma nëse është prekur apo jo afati i pagesës. Por afati i pagesës nuk është i rëndësishëm në këtë rast. Unë them që 8.5 është jashtëzakonisht shumë dhe megjithatë edhe ky nivel prapë nuk ka për t'u arritur sepse tregjet ndërkombëtare dhe kompanitë e renditjes financiare e kanë degraduar performancën financiare të Shqipërisë dhe borxhin sovran të saj.
Pra, po thoni se kushtet janë përkeqësuar?
Arsyet janë të shumta dhe ato arsye ose ato pika ku është mbështetur raiting-u, asnjëra prej tyre nuk ka ndryshuar, as situata politike që ishte një nga pikat. Nuk ka ndryshuar performanca fiskale e Qeverisë shqiptare, përkundrazi kemi një përkeqësim të theksuar në 4 muajt e parë të vitit, ku kemi një deficit të ri, gati 100 milionë dollarë, ndërkohë që disbursimet për investimet nuk kanë filluar akoma. Madje ky deficit është akoma më i madh, nëse do t'i referohemi detyrimeve të administratës fiskale për rimbursim të TVSH-së. Për këto shkaqe të grumbulluara, të cilat nuk kanë ndryshuar, kostoja e sigurimit të kësaj kredie është shumë e madhe. Ato që quhen "autoritetet e garancisë", në rastin konkret është Detuche Bank dhe JP Morgan, do të kërkojnë garanci për eurobondin. Kjo garanci ka një kosto, "prim sigurie". Po ju jap një shembull, për 10 milionë euro borxh, Gjermania paguan sot 35 mijë euro sigurim. Greqia do të paguante, po të hynte në tregun ndërkombëtar, siç po tentojmë të hyjmë ne, 375 mijë euro për 10 milionë euro borxh. Shqipëria, sipas parashikimit, do të detyrohet që të paguajë 400 mijë euro për 10 milionë euro borxh. Kjo do të thotë që mbi koston e interesit do të rritet edhe kostoja e sigurimit. Dhe nëse do të përdorim një llogaritje të thjeshtë (formula e interesit mbi interesin), ne me këtë kosto do të paguajmë për katër vjet e gjysmë deri në 5 vjet, dyfishin e asaj që do të marrim. Pra, interesi dhe kostoja e kësaj kredie do të jetë jashtëzakonisht shumë e madhe.
Kjo është arsyeja e nxitimit?
E dyta është procedura. Ndërkohë që ka pasur një ligj, Ministria e Financave sjell një ndryshim ligji në fshehtësi të plotë dhe i kërkon Presidentit që të aplikojë hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit. Imagjinoni pra, Shqipëria po merr një borxh dhe po e bën këtë gati-gati në mënyrë sekrete. Ligji akoma nuk ka dalë në fletoren zyrtare dhe nga ana procedurale duhej të dilte në fletoren zyrtare të datës 13 maj, por as në fletoren zyrtare të datës 13 maj nuk ka dalë. Dhe mbi të gjitha akoma dhe sot është shumë e vështirë për të marrë formalisht ligjin.
Qeveria mendon që 200 milionë euro të eurobondit, të shkojnë për shlyerjen e kredisë së vjetshme sindikale.
Nëse këto shkojnë për kredinë e vjetshme, ky është një nga elementët e krizës financiare fiskale që po kalon Qeveria dhe buxheti. Pra Qeveria po merr borxh të paguajë borxhin dhe nuk është aspak e vërtetë që Qeveria merr borxh më të lirë për të paguar borxh më të shtrenjtë. Kjo nuk është normale. Që të paguash borxhin është normale në kohë krize, por në kohë të shëndetshmërisë financiare, të arsyes së shëndoshë financiare, në vendimmarrjen e Qeverisë nuk është sepse i bie që është bërë një vendimmarrje financiare më përpara e gabuar me emergjencë dhe pa qenë e nevojshme sepse gjërat lidhen, janë zinxhir nuk duhet t'i shikojmë të shkëputura dhe jashtë kontekstit.