E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja, mbarojnë edhe 3 mandate



Fatos Mahmutaj

Përfundojnë në Gjyk-atën Kushtetuese, mandatet e tre anët-arëve, rrezikohet "bll-okimi" i institucionit. Burime nga Gjykata Kushtetuese pohojnë se ditën e hënë pritet të deklarohet përfundimi i mandateve të tre togave të zeza të kësaj gjykate, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi dhe Admir Thanza. Dita e fundit e mandatit të këtyre gjyqtarëve ka qenë e premtja e kësaj jave, data 21 maj, ndërsa pritet që kolegët e tyre në këtë institucion të mblidhen për të deklaruar me vendim mbarimin e mandateve të tre kolegëve. Vetëm pak ditë më parë, Presidenti i Republikës dekretoi tre anëtarë të rinj për Gjykatën Kushtetuese, por Kuvendi rrëzoi njërin prej tyre, ndërsa dy të tjerët arritën të merrnin votat e duhura për të fituar mandatet 9-vjeçarë në Kushtetuese. Kështu, gjyqtarja kryeqytetase Altina Xhoxhaj, me 70 vota deputetësh, arriti të kualifikohej për të zëvendësuar paraardhësin e saj në detyrë, Kujtim Puto, mandati i të cilit përfundoi më datë 1 prill të këtij viti. Po kështu, gjyqtari i Apelit të Durrësit, Bashkim Dedja me të njëjtin numër votash, sikurse edhe kolegia e tij, Xhoxhaj, arriti të fitonte mandatin, duke zëvendësuar ish-kryetarin e këtij institucioni Fehmi Abdiu. I vetmi që u rrëzua nga Parlamenti është juristi Vangjel Kosta, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, tashmë avokat dhe pedagog i Magjistraturës. Burime nga Gjykata Kushtetuese pohojnë se moszëvendësimi i mandateve të këtij institucioni është bërë shkak që të mbeten pa u marrë në shqyrtim disa çështje të dërguara gjatë vitit 2010. Një nga çështjet më të rëndësishme është edhe ankesa e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për ligjin Antimafia. Vetëm pak kohë më parë, kjo gjykatë vendosi me shumicë të theksuar votash rrëzimin e kërkesës për pezullimin paraprak të këtij ligji. KSHH kërkoi pezullimin derisa të shqyrtohej padia e tyre, me pretendimin se do të krijoheshin pasoja të rënda nga zbatimi i tij. Gjykata e rrëzoi këtë kërkesë me argumentet se zbatimi i këtij ligji nuk do të sillte pasoja të pariparueshme. Por ndërkohë, padia kundër këtij ligji ka mbetur në sirtarët e Kushtetueses, me argumentet se gjashtë prej anëtarëve të këtij institucioni: Kujtim Puto, Fehmi Abdiu, Sokol Sadushi, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi dhe Admir Thanza, njëri pas tjetrit u përfunduan mandatet dhe nëse këta do nisnin shqyrtimin e çështjes atëherë, sipas ligjit, u duhej ta mbaronin atë. Por koha e paktë që u ka mbetur në dispozicion këtyre nuk ua premton këtë. Nisur nga ky fakt, kreu aktual i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, siç duket ka vendosur ta kalojë për shqyrtim këtë dosje vetëm pasi të jetë plotësuar numri i anëtarëve të institucionit që ai drejton. Ndërkohë në ditët në vazhdim pritet që Gjykata Kushtetuese të shpallë vendimin për pronat e Sindikatave, si dhe vendimin për regjistrimin e pronave në Hipotekë, kërkuar nga Avokati i Popullit.

Xhezair Zaganjori
Anëtari i Kushtetueses, Prof.As.Dr. Xhezair Zaganjori ndodhet në këtë detyrë që nga viti 2003. I lindur në 1957 në Shkodër, Zaganjori është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë më 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë Lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Evropiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Evropiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador i Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë. Në 1991 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. është autor i një sërë botimesh shkencorë, si dhe pjesëmarrës aktiv në Kongrese e Konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Petrit Plloçi
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Petrit Plloçi ka lindur më 1958 në Mat. Ai është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1983. Pas kësaj ka punuar në Gjykatat e Shkallës së Parë të rretheve Dibër, Shkodër e Mat, si dhe në Drejtorinë e Kodifikimit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Gjatë periudhës 1993-2000 ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Plloçi ka dhënë kontributin e tij në hartimin e Kodit Civil. Po kështu, ky gjyqtar ka qenë anëtar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Shqipërisë, si dhe i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Mandati i tij në Gjykatën Kushtetuese ka nisur në vitin 2001 dhe sipas ligjit përfundoi ditën e premte, më datë 21 maj. Plloçi është pjesëmarrës i shumë aktiviteteve në fushën e Drejtësisë.

Admir Thanza
Gjyqtari Kushtetues Admir Thanza, 41 vjeç, është anëtari më i ri aktual i Gjykatës Kushtetuese. Në muajin shkurt të vitit të kaluar, ai zëvendësoi ish-anëtarin Gjergj Sauli, i cili u largua nga detyra për shkak të daljes në pension. Thanza është diplomuar për Drejtësi në Tiranë më 1992. Nga kjo kohë deri më 2006 ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, ndërkohë në periudhën 1999 - 2006 ka qenë edhe Kryetar i kësaj gjykate. Prej vitit 2006, deri sa mori mandatin në Kushtetuese, Thanza ka punuar si gjyqtar në Tiranë. Thanza ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mandat të cilin e la në mes për shkak të emërimit në Kushtetuese. Në periudhën 1992-1996 ka qenë pedagog i Fakultetit Juridik të Universitetit të Shkodrës.

Kuvendi votoi dy anëtarët e rinj të Kushtetueses

Katër ditë më parë, Kuvendi vendosi t'iu jepte mandatet në Gjykatën Kushtetuese gjyqtares kryeqytetase Altina Xhoxhaj dhe atij të Apelit Durrës, Bashkim Dedja duke zëvendësuar respektivisht gjyqtarët Kujtim Puto dhe Fehmi Abdiu. Nga 72 deputetë pjesëmarrës në seancë, Xhoxhaj dhe Dedja morën secili nga 72 vota pro. Po kështu, dy deputetë votuan kundër Xhoxhajt, ndërsa kundër Dedjes votoi një dhe një tjetër abstenoi. Xhoxhaj vjen në Gjykatën Kushtetuese si një gjyqtare e suksesshme në kryeqytet, ku për 15 vjet me radhë ka shqyrtuar çështje të shumta, ndërsa që nga viti 2006 është anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Që nga viti 1994, kur është diplomuar për Drejtësi, Xhoxhaj ka qenë Këshilltare Ligjore në Ministria e Drejtësisë, Departamenti i Kodifikimit si dhe pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë. Po kështu edhe Dedja ka një karrierë të pasur në gjyqësor. f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›