E Diel, 1 Nëntor 2026

Walker: Kontrolli i Thaçit në aeroport, turp dhe fyerje



“Kontrolli i imtësishëm i autoriteteve të Kosovës në aeroportin e Prishtinës ka qenë fyes dhe ofendues”, u shpreh dje ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosove, William Walker. Ai iu referua veprimit të doganierëve të EULEX-it, të cilët kontrolluan valixhet e Kryeministrit, Hashim Thaçi dhe disa ministrave të tij ndërsa ata po kalonin në zonën VIP të Aeroportit të Prishtinës gjatë nisjes për në Turqi. “Të kontrollosh Kryeministrin është turp. Kjo nuk duhet të kishte ndodhur. Ky veprim i EULEX-it është arrogant, jo profesional dhe jashtë çdo norme shtetërore”, tha Walker, duke theksuar se “Ndihem i fyer dhe i ofenduar nga ky veprim dhe kur them këtë flas në emër të popullit të Kosovës”. Sipas tij, për asnjë arsye nuk mund të nënvlerësohet në atë mënyrë një udhëheqës i një Qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike. Kryeministri Hashim Thaçi dhe katër ministra të tjerë të Qeverisë së Kosovës janë ndeshur me një surprizë të hidhur në Aeroportin e Prishtinës, ndërsa do të niseshin për në Turqi. Ata janë kontrolluar njëlloj si qytetarët e thjeshtë edhe pse në zonën VIP, nuk janë lejuar të hyjnë me makinë deri afër avionit, siç normalisht duhej të ndodhte, dhe valixhet e tyre janë hapur dhe janë kontrolluar me detaje. EULEX e ka komentuar kontrollin në doganë si një procedurë ligjore. Politikanëve të lartë të Kosovës iu desh edhe të ecnin në këmbë disa metra, pasi makina e tyre nuk u lejua të afrohej me avionin, një praktikë e shërbimit të doganave për persona si ata. Dera e zonës VIP, nga ku zakonisht zyrtarët e lartë të Kosovës kalojnë me makinë, u bllokua nga një makinë e shërbimit të doganave të EULEX-it, ndërsa pranë saj qëndronin disa oficerë doganorë. Ndërsa foli dje i kënaqur për punimet e autostradës, Limaj nuk ka pranuar të komentojë mbi kontrollimin e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës në Aeroportin e Prishtinës nga ana e Policisë së EULEX-it, ndërsa ka shprehur edhe njëherë gatishmëri për bashkëpunim rreth hetimeve që po zhvillon misioni EULEX.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›