E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurobonot, qeveria lan borxhin me borxh

Me përfshirjen në tregun e eurobonove qeveria synon të shlyejë kredinë sindikale prej 250 mln euro të marrë në maj 2009

Ministria e Financave: Janë ofruar 15 banka, do të përzgjedhim vetëm katër prej tyre. Emetimi përfundon në maj 2010

TIRANË- Ministria e Financave përmbyll fazën e parë e pranimit të ofertave nga bankat perëndimore për marrjen e një borxhi 300 milionë euro. Deri më tani janë 15 banka ato që kanë shfaqur interes, ndërkohë, sipas financave, i takon këtij institucioni tashmë që të kryejë seleksionimin për të listuar vetëm katër ose pesë prej tyre të cilat do të vazhdojnë më tej konkurimin. "Procesi i emetimit të eurobonos së parë të Shqipërise, si procesi më i rëndesishëm ndonjë herë i operacioneve të huamarrjes publike të Shqipërisë , startoi në fillim të Janarit me publikimin e Kërkesave për Ofertë nga Ministria e Financave. Institucionet konkurruese patën afat deri në datën 5 Shkurt për të sjellë ofertat e tyre. Interesi i tregut për të menaxhuar Eurobonon rezultoi të ishte masiv, ç'ka është e dukshme edhe nga numri shumë i lartë i ofertave të paraqitura", - citohet nga Financat.
Financimi i këtij borxhi me anë të eurobonove shihet si i suksesshëm nga Ministria e Financave për faktin se pritet që 300 milionë eurot të merren me norma interesi më të ulta në krahasim me kreditë e marra më parë. Madje qeveria synon që me pjesën më të madhe të parave që do të huazojë kësaj radhe nga bankat perëndimore të shlyejë kredinë sindikale prej 250 milionë euro të marrë në maj të vitit 2009.
Sipas Ministrisë së Financave, nga shuma 300 deri 350 milionë euro që pritet të emetohet, eurobonoja rreth 200 milionë prej tyre do të përdoren për të shlyer këtë kredi ndërsa pjesa tjetër për nevoja të tjera të buxhetit të shtetit. "Ministria e Financave synon të përfundoje procesin e emëtimit brenda muajit maj, kohë që korrespondon edhe me plotësimin e vitit të parë të kredisë sindikale të marrë vitin e kaluar, dhe na jep mundësinë të shlyejmë këtë kredi dhe ta zëvendësojmë me Eurobonon, e cila do të ketë normë interesi cilësisht më të ulë t. Eurobonoja do të eme tohet për një vlerë prej 300-350 milionë eurosh, rreth 200 milionë prej të cilave do të shkojnë për shlyerjen e kredisë sindikale, dhe pjesa tjetër për të financuar nevojat e buxhetit", - vijon ministria
Këtë e kishte paralajmëruar që në fillim të marrjes së kredisë sindikale me interesa shumë të larta edhe ministri i Financave, Ridvan Bode. Gjatë daljeve të tij publike Bode kishte thënë se në momentin e parë që do të përmirësohej situata në tregun ndërkombëtar, do të shikohej mundësia e shlyerjes së menjëhershme të kredisë për t'iu shmangur interesave të larta.

Si u mor kredia 250 mln euro
TIRANË - Marrja e një kredie 250 milionë euro në kulmin e krizës ekonomike botërore dhe me interesa super të larta ka rënduar së tepërmi treguesit e borxhit në vend. Në maj të vitit të shkuar kur u mor edhe kredia 250 milionë euro nga disa banka europiane, normat e interesit ishin në maksimumin e tyre nisur edhe për faktin se kredia e marrë ishte hua tregtare.
Ky është edhe shkaku se përse ekzekutivi shpejton të shlyejë këtë kredi duke hyrë në tregun e eurobonove për të përfituara nga interesa më favorizuese.
Sipas të dhënave nga financat, gjatë vitit të shkuar, qeveria ka shpenzuar rreth 3.6 për qind të Produktit të Brëndshem Bruto për të paguar interesat e borxhit. Gjatë debatit për marrjen e kredisë tregtare në maj të 2009, opozita akuzoi qeverinë se kishte marrë hua me norma interesi shumë të larta vetëm për të financuar investimet elektorale. Pas nënshkrimit të marrëveshjes për kredinë, Ministri Bode deklaroi se ajo ishte marrë me një normë interesi rreth 11.3 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›