Eurodeputetët: Vizat hiqen para verës
Delegacioni i parlamentarëve europianë ka çertifikuar përmbushjen e parakushteve teknike të vendosura nga Brukseli dhe ka paranjoftuar marrjen e vendimit për heqjen e regjimit të vizave, brenda muajit prill. Pas këtij rekomandimi, pritet që procedura të vihet në zbatim para nisjes së sezonit të pushimeve verore
Qeveria shqiptare ka përmbushur detyrimet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Ky është konstatimi që ka bërë delegacioni i Parlamentit Europian, i cili ka mbërritur në Tiranë në një vizitë disa-ditore që përfshin një njohje në terren të hapave të hedhura nga vendi ynë. Vlerësimin për përmbushjen e detyrimeve, e bëri Presidenti i Komisionit për Ballkanin, në Parlamentin Europian, Eduard Kukan gjatë takimit me Kryeministrin Berisha.
“Ne si deputetë të Parlamentit Europian do të vazhdojmë të ngremë zërin lart në favor të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë sa më shpejt”, tha Kukan, duke shtuar se delegacioni konstatoi në vend funksionimin efikas të të gjithë sistemeve për kontrollin e integruar të kufirit dhe infrastrukturës e lidhur me çështjet e migracionit në institucionet shqiptare.
Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i paraqitur eurodeputetëve rezultatet e punës përgatitore të qeverisë në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. “Tashmë Shqipëria ka një kontroll të plotë të integruar të kufijve”- u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se të 24 pikat e kalimit kufitar janë unifikuar në sistemin TIMS, i cili funksionon me efikasitet dhe është i ndërlidhur edhe me Interpol-in. Ky sistem kontrolli, u shpreh Kryeministri, funksionon mbi parimin one-stop-shop dhe janë krijuar modelet për e-visa dhe e-lejet e qëndrimit.
Ndërkohë, Berisha u shpreh se është miratuar legjislacioni i nevojshëm për kontrollin dhe survejimin e kufirit, si dhe ai për azilin në përputhje me standardet evropiane dhe është vënë në funksion të plotë kontrolli i hapësirës detare me radarë. Shqipëria, theksoi Kryeministri , ka nënshkruar gjithashtu marrëveshjen e ripranimit me të gjitha vendet e BE-së.
Kryeministri Berisha i bëri me dije europarlamentarëve masat e rëndësishme legjislative të miratuara gjatë kësaj periudhe nga qeveria shqiptare dhe Kuvendi, si ligji antimafia, shtyrja e afatit për moratoriumin për skafet, etj.
Nga ana e tij, eurodeputeti Kukan iu përgjigj se europarlamentarët gjatë vizitës së tyre kanë pasur rastin të vizitojnë dhe ta konstatojnë drejtpërsëdrejti funksionimin efikas të të gjithë sistemeve për kontrollin e integruar të kufirit dhe infrastrukturës tjetër të lidhur me çështjet e migracionit në institucionet shqiptare, si dhe shprehu vlerësimin e grupit të eurodeputetëve se kërkesat teknike të udhërrëfyesit janë plotësuar tashmë nga qeveria shqiptare. Kreu i qeverisë Berisha i informoi në vijim europarlamentarët për reformat dhe arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe në luftën me tolerancë zero kundër krimit, trafiqeve dhe korrupsionit. Ne këtë kontekst, Kryeministri theksoi se Shqipëria është një ndër vendet e rralla në botë ku të gjitha prokurimet kryen në formë elektronike dhe on-line, ku janë hequr 2/3 e licencave e lejeve, ku përditë po thjeshtëzohen e dixhitalizohen procedurat duke u bazuar në parimet one-stop-shop, për të evituar praktikat korruptive e abuzive dhe ku vijon lufta me tolerance zero ndaj çdo praktike korruptive. Vetëm në periudhën shator 2009 - shkurt 2010 janë arrestuar rreth 55 zyrtarë me akuzën e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës. Duke i vlerësuar procesin e liberalizmit të vizave në veçanti dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian në përgjithësi si një shtysë shumë e fuqishme për reforma të thella dhe të gjithanshme dhe për modernizimin e zhvillimin e mëtejshëm të vendit, Kryeministri Berisha u shprehu eurodeputetëve vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë çdo reformë, miratuar çdo masë dhe paguar çdo çmim që këto procese të përmbyllen me sukses sa më parë. Më tej, Kryeministri i informoi europarlamentarët për punën e jashtëzakonshme dhe intensive të bërë nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe për përmbledhjen, përgatitjen, sistemimin dhe përkthimin e përgjigjeve të pyetësorit të Bashkimit Evropian, të cilat së shpejti do t’i dorëzohen Komisionit Evropian. Gjithashtu, në takim u diskutuar edhe mbi situatën në vend të shkaktuar nga bojkoti i institucioneve demokratike nga opozita. Kryeministri u bëri me dije eurodeputetëve për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të dhënë të gjithë mbështetjen e nevojshme buxhetore dhe institucionale për 100 prokurorë, të cilët në mënyrë të pavarur dhe të paanshme të hetojnë dhe të realizojnë në mënyrë sa më të shpejtë transparencën. Kryeministri u bëri me dije eurodeputetëve ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar pas kërkesës së opozitës, duke i garantuar ata për angazhimin e plotë të qeverisë për respektim të plotë të Kushtetutës në punën e tij.
Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule
“Brenda prillit jepet propozimi i Komisionit Europian për vizat”
Garancia e dhënë nga delegacioni i Parlamentarëve evropianë, se heqja e vizave me Shqipërinë do të realizohet para pushimeve të verës, e ka zanafillën te deklarata e Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili vizitoi Shqipërinë javën e kaluar.
Fule i shprehu kryeministrit Berisha, gjatë një takimit të zhvilluar me të, se Komisioni Evropian do japë propozimin për vizat, brenda muajit prill, duke nënkuptuar mbylljen e procedurave të hyrjes në listën e bardhë të “Schengen”-it, përpara pushimeve të verës.
“Dua të theksoj se për sa i përket veprave, liberalizimi i vizave ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur. Kohët e fundit, Shqipëria ka bërë shumë progres në implementimin e udhërrëfyesit. Kolegët e mi në Komision po punojnë për të prezantuar muajin tjetër një vlerësim, dhe bazuar në të, një propozim se si duhet të veprojë më tej, Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian”, deklaroi Komisioneri Fule.
...