Eurodeputetët: Zgjedhjet në Kosovë, të qeta

Dita e zgjedhjeve, përgjithësisht e organizuar mirë, me një numër të mirë votuesish, është inkurajues për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës. Kjo është theksuar nga delegacioni vëzhgues i zgjedhjeve i Parlamentit Evropian (PE) pas monitorimit të qendrave të votimeve.
Delegacioni ka vlerësuar përpjekjet e suksesshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për organizimin e këtyre zgjedhjeve brenda një kohe të shkurtër.
Kjo deklaratë u publikuar para përfundimit të numërimit të votave dhe shqyrtimit të ankesave zgjedhore. Delegacioni është duke pritur rezultatet e misioneve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare të vëzhguesve të zgjedhjeve në mënyrë që të bëjë vlerësim të plotë të procesit të zgjedhjeve.
Delegacioni u shpreh i kënaqur që procesi është zhvilluar në një atmosferë të qetë. Ai gjithashtu vuri në pah vështirësitë e vogla teknike dhe shprehu keqardhje për disa incidente të izoluara, por brengosëse. Akuza serioze për parregullsi në dy komuna janë vënë në dijeni të delegacionit.
Delegacioni inkurajon partitë politike që të ndjekin procedurat e duhura ligjore. Shkelësit e identifikuar duhet të ndiqen penalisht në përputhje me ligjin në mënyrë që të largohet kultura e mosndëshkimit.
Anëtarët e delegacionit nënvizuan pjesëmarrjen e rritur të komunitetit serb të Kosovës si shenjë e angazhimit të mëtejmë me institucionet e vendit.
Delegacioni shpreson për një formim të shpejtë të kuvendit dhe qeverisë së re si dhe zgjedhjen e presidentit. Po ashtu delegacioni thekson të drejtat e partive të parashtrojnë ankesa para Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas zgjedhjeve, dhe beson se në rast të ankesave, ata do të kërkojnë zgjidhje ligjore. Në të njëjtën kohë delegacioni pret që ankesat dhe parashtresat të shqyrtohen në transparencë të plotë, pa vonesa.
Në përbërje të delegacionit ishin Doris Pack, Eduard Kukan, Jutta Steinruck, Francesco de Angelis, Jelko Kacin, Fiona Hall dhe Ulrike Lunacek, të cilët të dielën vizituan qendrat e votimit në Prishtinë, Graçanicë, Skenderaj, Gllogoc, Mitrovicë, Gjilan, Partesh dhe Prizren, dhe kishin mundësinë të takoheshin me anëtarët komisioneve zgjedhore, kandidatët dhe votuesit.