Eurodeputetët debatojnë për Shqipërinë
Erald Kapri
Deputetët e Parlamentit Evropian debatuan dje për situatën politike në Shqipëri, duke mos arritur në fund një konkluzion konkret. Eurodeputetët debatuan dje në lidhje me projekt-rezolutën e paraqitur në Parlament nga raportuesi Nikolaos Chuntis, i cili u kritikua si nga e djathta, edhe nga e majta evropiane. Eurodeputetët u bashkuan me idenë se opozita duhet të kthehet në Kuvend, në mënyrë të përhershme dhe të bëhet një transparencë sipas kushtetueses së zgjedhjeve. Deputetët debatuan më shumë në lidhje me idenë e kërkesave që duhet të ketë projekt-rezoluta. Disa mbështesin idenë që të theksohen qartë kushtet për realizimin e kritereve politike, pasi ndryshe preket statusi kandidat i Shqipërisë, ndërsa disa të tjerë thanë se politika shqiptare duhet të tregohet që është e pjekur dhe të arrijë marrëveshje. "Mendoj se ky problem ilustron fenomene të trashëguara në sistem e duhet të ketë demokratizim", tha në fjalën e tij Chuntis. Ndërkohë kryetari i delegacionit për Ballkanin në PE, Eduard Kukan u shpreh se "zgjidhja për situatën duhet të gjendet në kuadër të institucioneve demokratike dhe të gjitha partitë duhet të pranojnë rezultatin". Eurodeputetja, Doris Pack kërkon që opozitës duhet t'i thuhet se "protestat në rrugë nuk janë mënyra e duhur e sjelljes së vendeve demokratike'. Ndërsa më pas Chuntis tha se: "Unë nuk mendoj se ne jemi këtu për t'i vënë gishtin e për t'i treguar njerëzve si ta bëjnë". Libor Roucek, zëvendëspresident i PE-së, tha se "në një demokraci parlamentare, Kuvendi është zemra e sistemit, ndaj ju pëlqen apo jo rezultati, të gjithë duhet ta pranojnë atë". Ndërkohë Takis Hadjigeorgiou, eurodeputet, tha se "ata që e njohin sadopak këtë vend, si jugun dhe veriun, mund të kuptojnë se ndonjëherë qëndrime nga demokracitë perëndimore drejtojnë njerëzit në mënyrë të gabuar. Ndonjëherë këto deklarata përdoren, apo abuzohet me to, për qëllime përfitimi." Nga ana e saj, Pack theksoi se "raporti duhet të nisë ndryshe, në fillim thua të mirat e pastaj duhet të thuash përmirëso këtë apo atë". Edhe Roucek theksoi se në Shqipëri ka krizë politike, por nuk mund të thuhet krizë institucionale, sepse Parlamenti po funksionon, pavarësisht bojkotit të opozitës". Pas gjithë këtyre deklarimeve, Chuntis ndërhyri duke u shprehur se dy partitë e mëdha në Shqipëri janë përgjegjëse për situatën në të cilën ndodhet politika shqiptare. Pierre Mirel, drejtor për zgjerimin me Ballkanin në KE, tha se rruga e vetme është gjetja e kompromisit për arritjen e transparencës, sipas Kushtetutës së vendit. "Të gjendet rruga mes dy principeve, respektimi i Kushtetutës por dhe nevojës për transparencë. E së fundi, pas zgjedhjeve të fundit, OSBE/ODIHR shpër-ndau raportin ku thuhet se ka ende parregullsi, dhe është e rëndësishme që ato të adresohen përpara zgjedhjeve lokale", u shpreh Pierre Mirel.
Projekt-rezoluta
Raporti i eurodeputetit grek, Chuntis, pritet të pësojë ndryshime deri në datën 5 maj e më pas do të votohet në Parlamentin Evropian. Raportuesi për Shqipërinë në PE, Nikolaos Chuntis, i cili vjen nga Partia Komuniste greke, duhet të gjejë mbështetje të plotë për rezolutën e tij. Sipas rezolutës, tërhiqet vëmendja për problemet në zgjedhjet e fundit dhe bëhet thirrje që këto parregullsi të riparohen në mënyrë që ato të mos verifikohen në zgjedhjet e ardhshme, si dhe ndëshkim të përgjegjësve. Më tej kritikat në projekt-rezolutë vijojnë edhe për situatën ekonomike, ku theksi vihet te rritja e ulët dhe papunësia e informaliteti i lartë. Pikat e vetme pozitive në draft janë plani për liberalizimin e vizave dhe fqinjësia e mirë e Shqipërisë me vendet e rajonit.
Vizat, 11 vende të BE lobing për Shqipërinë
Italia dhe Sllovenia kërkojnë përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Krerët e diplomacive të Romës e Lubjanës kanë hartuar një letër, e cila është firmosur edhe nga 11 ministra të vendeve anëtare të BE-së, e cila i është drejtuar Presidencës spanjolle dhe zyrtarëve më të lartë të Unionit. Në të thuhet se "suksesi i këtyre tre vendeve ka qenë një nxitje e fuqishme edhe për Shqipërinë dhe për Bosnjë-Hercegovinën, me forcë duke i inkurajuar ata për të intensifikuar përpjekjet e tyre për të përmbushur kushtet e mbetura të vendosura në hartën e rrugës së tyre drejt këtij procesi. Tani e rëndësishme është përfundimi i këtij procesi, duke pasur parasysh që kushtet e përcaktuara në udhëzimet përkatëse nga Komisioni Evropian janë përmbushur". Sipas ministrave të Jashtëm, Bashkimi Evropian duhet të shprehet me vendim në qershor të këtij viti gjatë samitit të Sarajevës, për të bërë të mundur më pas heqjen e regjimit të vizave në vjeshtë. "Ne do të donim t'iu kujtonim deklaratën e përbashkët të miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamentin Evropian në nëntor 2009, e cila në mënyrë të qartë na bën të shqyrtojmë një propozim për amendimin e Rregullores Nr 539/2001, lidhur me Shqipërinë dhe Bosnjën duke e trajtuar procesin e heqjes së vizave për këto dy vende si çështje urgjente. Duke pasur parasysh bashkë-vendimin e procedurave, ne kemi nevojë për të siguruar kohë në punën e organeve përgatitore të Këshillit, duke bërë të mundur që Komisioni Evropian të jetë në gjendje për të bërë propozimin e tij deri në fund të muajit maj 2010. Si rrjedhojë, debati politik për ndryshimin e rregullores së mësipërme duhet të vazhdojë në Këshill në muajin qershor, duke bërë të mundur që Parlamentit Evropian të përfundojë punën e tij në fillim të vjeshtës", thuhet më tej në letrën drejtuar Ministrit të Jashtëm të Spanjës, Moratinos. Një kopje e letrës i është dërguar edhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit të Punëve të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, baroneshës Ashton, komisionerit Fule, Komisioneres Malmstorm, Kryetarit të AFET Albertini, dhe ministrave të jashtëm të vendeve anëtarë të BE.
Berisha
Raporti për vizat pozitiv
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje raportin e hartuar nga ekspertët e KE-së për heqjen e vizave me Shqipërinë. "Raporti është pozitiv, qartësisht pozitiv. Ky është vlerësimi i përgjithshëm. Shtron disa kërkesa dhe kështu është vepruar edhe me vendet e tjera që kanë marrë heqjen e vizave. Grupe vijnë sërish për t'i parë, por kësaj here procesi ecën. Ka disa etapa, ka një proces politik, legjislativ, sepse do të votohet edhe në Parlament më vonë. Ndaj duhet të bëjmë që të gjitha çështjet që ngrihen në raport t'i konkretizojmë sa më shpejt", u shpreh Berisha.